Ushtria e rregullt e Sudanit ka zmbrapsur një tjetër sulm të forcave paramilitare të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në qytetin El-Fasher, në perëndim të vendit, sipas burimeve ushtarake për agjencinë AFP.
Kjo deklaratë bie ndesh me pretendimet e RSF-së, të cilat thonë se kanë marrë nën kontroll zona kyçe të qytetit.
El-Fasher është kryeqyteti i fundit i shtetit të Darfurit që nuk ka rënë ende në duart e RSF-së, e cila e ka rrethuar qytetin për më shumë se një vit, që prej shpërthimit të luftës në vitin 2023. Sulmet janë intensifikuar ndjeshëm që nga e marta.
Sipas ushtrisë, me ndihmën e aleatëve lokalë, ata rimorën kontrollin e një burgu në lagjen Tchala dhe një baze ushtarake në jugperëndim të qytetit, duke shkaktuar humbje të rënda në radhët e forcave kundërshtare.
Nga ana tjetër, burime nga RSF pretendojnë se që nga e premtja, ata kontrollojnë këto zona, përfshirë edhe tregun e bagëtive në jug të qytetit.
Dëshmitarët nga qyteti tregojnë për luftime të ashpra. Sipas banorit Salah Isa, milicia RSF nisi një ofensivë të premten drejt aeroportit të El-Fasher nga jugperëndimi, ndërsa një tjetër qytetar, Mohyeldin Abdel Rahman, tha se sulmet u kryen me armë automatike, jo me artileri të rëndë si zakonisht.
Të premten në mbrëmje, RSF publikoi video ku pretendon se kontrollon disa pjesë të qytetit, por AFP thekson se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.
Sipas mjekëve të spitalit universitar në El-Fasher, një nga të paktët që ende funksionon, të paktën tetë civilë u vranë nga një sulm me dron të martën në mbrëmje, ndërsa qëndronin në një strehimore.
Komunikimi në qytet është pothuajse i ndërprerë, dhe nuk mund të konfirmohet asnjë bilanc zyrtar për viktimat. Rreth një milion banorë të El-Fasherit po përballen me mungesë ekstreme të ushqimit, ujit të pijshëm dhe kujdesit shëndetësor, ndërsa infrastruktura është dëmtuar rëndë.
Që nga marsi, kur ushtria rifitoi kontrollin e kryeqytetit Khartoum, RSF ka përshkallëzuar operacionet në El-Fasher dhe në kampet e të zhvendosurve përreth, ku tashmë është shpallur gjendje urie. Qëllimi i tyre duket të jetë dominimi i plotë në rajonin e Darfurit.
Lufta në Sudan ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra, ndoshta qindra mijëra njerëzve, ndërsa mbi 14 milionë të tjerë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre, brenda apo jashtë vendit. Kombet e Bashkuara e kanë cilësuar këtë si ‘kriza më e rëndë humanitare në botë’ për momentin.
© SYRI.net