Për vite me radhë, nga pas një ekrani kompjuteri, Erin Patterson ndërtoi një reputacion në një komunitet online të krimeve të vërteta si një “super-detekive”.
Sot, ajo vetë është kthyer në një fiksim të botës së krimeve të vërteta.
Kur tre persona vdiqën – dhe një tjetër u sëmur rëndë – pasi konsumuan beef Wellington me kërpudha helmuese në shtëpinë e saj në një zonë rurale të Viktorias dy vite më parë, e gjithë jeta e saj u vu nën mikroskop.
Gazetarë nga e gjithë bota zbarkuan për të ndjekur gjyqin e gjatë për vrasje, spektatorët prisnin çdo ditë me radhë për të kapur një vend në sallën e gjyqit, dhe mijëra njerëz analizuan detaje të çështjes në internet.
Por, edhe pse juria e shpalli fajtore për të gjitha akuzat këtë javë, ethet e spekulimeve dhe shkalla e interesit vetëm sa janë shtuar.
“Ka një aromë të Makbethit”, tha psikologu kriminal Tim Watson-Munro për BBC-në.

Ishte në një nga sallat më të vogla të gjykatës në Australi ku u zhvillua një nga gjyqet më të mëdha në historinë e fundit të vendit.
Për 11 javë, shtatë ekipe dokumentarësh drejtuan kamerat nga qyteti i vogël Morwell. Podcaster-ët ishin të zakonshëm sa dhe kafenetë. Gazetarët garonin çdo ditë për gjashtë vendet e rezervuara për median. Edhe një nga shkrimtaret më të dashura të Australisë, Helen Garner, vizitonte shpesh Gjykatën e Latrobe Valley, duke ushqyer zërat se po përgatitet të shkruajë një tjetër bestseller.

Çdo mëngjes të gjyqit, përballë ndërtesës gjyqësore, formoheshin radhë me karrige kampingu.
Në shi, acar apo mjegull, ndjekësit e gjyqit – kryesisht gra, të mbuluara me kapuça dhe të mbështjella me thes gjumi – prisnin hapjen e dyerve prej xhami.

Pasi hynin brenda, vendosnin gjëra personale – shalla, shishe uji, fletore, çanta – për të rezervuar vendin e tyre jashtë sallës së gjyqit.
Tammy Egglestone udhëtonte më shumë se një orë çdo ditë për të qenë në Morwell. “Jam paksa e çmendur pas krimeve të vërteta,” shpjegon ajo.
Ajo ishte në sallë kur dëgjoi se Patterson dikur ishte si ajo.
Patterson kishte qenë anëtare aktive në një grup në Facebook për krimet e Keli Lane, një grua e dënuar për vrasjen e vajzës së saj dy-ditëshe, në një nga rastet më famëkeqe në Australi.
Në vitin 2018, Lane u bë subjekt i një podkasti të madh pasi i shkroi një gazetari duke pretenduar se ishte dënuar padrejtësisht dhe duke i kërkuar të hetonte çështjen.
Në gjyqin e Patterson-it, një prej shoqeve të saj online, Christine Hunt, tha se ajo njihej për aftësitë kërkimore dhe teknologjike.
“Ajo ishte një lloj super-detekive,” tha Hunt. “Vlerësohej shumë në atë grup.”
Por ndërsa çështja zhvillohej në Morwell, Patterson po gjykohej edhe në “gjykatën” e opinionit publik.
U bë temë diskutimi në punë, thashetheme mes miqve, dhe temë e nxehtë në rrjetet sociale.
Mijëra njerëz spekulonin për një motiv, komentonin mbi prova të caktuara, madje akuzonin edhe për konspiracione – shumica pa bazë dhe në shkelje të ligjeve që garantojnë një gjykim të drejtë për të pandehurin.
Rrjetet sociale u mbushën me meme. Në Google Maps, dikush krijoi një listë restoranti në adresën e shtëpisë së Patterson. Të tjerë shpërndanë “kartela bingo” të gjyqit për ndjekësit më të afërt.
Gjatë javës që juria shqyrtonte vendimin, e izoluar në një hotel për t’i mbrojtur nga zhurma publike, pyetja që shtrohej ishte: çfarë po mendojnë?
“Çfarë po bëjnë aty brenda?” u dëgjua të pyeste një avokat në një kafene të Morwell, në ditën e katërt të diskutimeve të jurisë.
Meqë anëtarët e jurisë janë të detyruar të ruajnë sekretin, ne kurrë nuk do ta dimë.
“Në SHBA, mund të intervistosh juristët pas një gjyqi,” tha Watson-Munro. “Në Australi nuk mundemi… prandaj është e vështirë të dimë çfarë kanë menduar.”
Kjo lë një boshllëk të madh që publiku e mbush me spekulime.
Njerëz si znj. Egglestone mendonin: nëse helmimi ishte i qëllimshëm, a nuk do ta kishte planifikuar dhe realizuar më mirë Patterson?
“Unë kam ardhur këtu si Zvicra,” shpjegoi Egglestone, duke e quajtur diskutimin rreth çështjes “shumë si një gjueti shtrigash”.
“E di, është: ‘ajo është fajtore, ajo është fajtore, ajo është fajtore’.
“Dhe shumë njerëz po përdorin logjikën e pas-faktit. ‘Po të isha në atë situatë, nuk do të bëja këtë, këtë dhe këtë.’ Por ti nuk e di si do të sillesh në atë situatë.”
Por njerëzit si ajo u mbytën nga turmat që shpallnin Patterson fajtore.
Shumë thanë se ishin gënjeshtrat e saj që i bindën. Disa pretenduan se provat tregonin mungesë empatie për viktimat.
“Ajo që e zbuloi ishte se kishte veshur pantallona të bardha kur kishte ‘gastro’ dhe përfundoi në spital për të!” – shkroi dikush, duke iu referuar pamjeve të sigurisë nga ditët pas drekës fatale, që u shfaqën në gjyq.
Rasti ka frymëzuar tashmë një program televiziv, një seri dramatike, disa podkaste, dokumentarë dhe disa libra.
“Ka ato klishetë tipike që e bëjnë një histori të suksesshme krimi të vërtetë,” tha Egglestone, duke shpjeguar pse ajo dhe shumë të tjerë janë fiksuar pas këtij rasti.
“Helmi është arma, fakti që ajo vrau anëtarë të familjes... ajo është e bardhë, femër, e qëndrueshme financiarisht, e di. Dhe janë të gjithë njerëz kishe.”
Për David Peters, rrethanat në dukje të zakonshme të krimit – dhe fakti që ndodhi në zonën e tij – e tërhoqën: “Fakti që ishte një familje që po bënte diçka që do të duhej të ishte e sigurt – të hanin një vakt – dhe më pas pasojat…”
Disa i thanë BBC-së se çështja u kujtonte gjyqin famëkeq të Lindy Chamberlain në vitin 1982, e dënuar padrejtësisht për vrasje pasi foshnja e saj Azaria u rrëmbye nga një dingo në kamp.
Nuk është rastësi që të dyja rastet kanë në qendër gra, thotë studiuesja e kriminologjisë Brandy Cochrane për BBC-në.
Bota ka kohë që është e fiksuar pas grave që vrasin – në pjesë të madhe sepse bie ndesh me rolin tradicional “kujdesës” të gruas, shpjegon ajo.
Këto stereotipe hodhën hije edhe mbi sjelljen e Patterson në gjyq.
“Prej saj pritet të sillet në një mënyrë të caktuar, dhe ajo nuk e bën,” thotë Dr. Cochrane, pedagoge në Universitetin Victoria.
“Është si: ‘Sigurisht që është fajtore, nuk qan gjatë gjithë kohës’ apo ‘Sigurisht që është fajtore, ka gënjyer për këtë’... Sistemi ligjor në vetvete i trajton gratë ndryshe.”/BCC
© SYRI.net