'Pse e ndale karburantin?'/ Zbulohen fjalët e fundit të pilotëve para përplasjes së avionit të Air India, pista e re për hetimet

'Pse e ndale karburantin?'/ Zbulohen fjalët e fundit të pilotëve para përplasjes së avionit të Air India, pista e re për hetimet

14:04, 12/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Fjalët e fundit të pilotëve të avionit të Air India që u rrëzua tragjikisht më 12 qershor, duke i marrë jetën 241 pasagjerëve dhe 19 personave në tokë, janë zbuluar dhe mund të jenë kyçe për të zbardhur shkakun e aksidentit më vdekjeprurës ajror të dekadës së fundit. Avioni Boeing 787 Dreamliner, i nisur nga aeroporti i Ahmedabadit me destinacion Londrën, u rrëzua vetëm pak minuta pas ngritjes në një zonë të banuar të quajtur Meghani Nagar në Gujarat, Indi.

Raporti paraprak i publikuar nga Byroja Indiane e Hetimeve të Aksidenteve Ajrore (AAIB) ka zbuluar një detaj tronditës: pilotët debatonin brenda kabinës për ndërprerjen e furnizimit me karburant. Njëri prej tyre pyet pse ishte ndërprerë karburanti, ndërsa tjetri përgjigjet se “nuk e bëra unë”. Ende nuk dihet nëse këto ishin fjalët e kapitenit Sumeet Sabharwal apo të bashkëpilotit Clive Kunder, ndërsa mbetet mister kush dha sinjalin dramatik të emergjencës: “Thrust not achieved… falling… Mayday! Mayday! Mayday!”

Sipas raportit, të dy çelësat e prerjes së karburantit të motorëve, që normalisht përdoren për të fikur motorët vetëm pas uljes apo në raste emergjente, kaluan në pozicionin CUTOFF njëri pas tjetrit, me një diferencë prej vetëm një sekonde. Kjo veprimtari ndaloi furnizimin me karburant dhe çoi në humbjen e fuqisë së motorëve, duke e bërë avionin të zhytet me shpejtësi të lartë në tokë.

Image

Çelësat në fjalë janë dizenjuar për të qenë jashtëzakonisht të sigurt, me një mekanizëm mbrojtës që kërkon ngritje të levës përpara aktivizimit. Ekspertët thonë se është praktikisht e pamundur që ato të aktivizohen aksidentalisht, veçanërisht që të dy njëkohësisht. “Nuk mund t’i godasësh me bërryl dhe të aktivizohen”, tha John Cox, ekspert i sigurisë ajrore në SHBA.

Por një nga pistat që po hetohet është një problem i mundshëm elektronik, ku sistemi i kontrollit elektronik të avionit mund të ketë komanduar vetë kalimin e çelësave në pozicionin CUTOFF. Kjo teori lidhet me një njoftim të veçantë teknik të FAA-së amerikane në vitin 2018, që paralajmëronte për çelësa karburanti të montuar me defekt në disa avionë Boeing 737, të njëjtin model që përdor edhe Dreamlineri i Air India.

Sipas të dhënave të regjistruara, pilotët tentuan të rivendosnin furnizimin me karburant: çelësi i motorit 1 kaloi sërish në pozicionin RUN në orën 08:08:52 UTC, ndërsa ai i motorit 2 u kthye në pozicionin aktiv 4 sekonda më vonë. Kjo shkaktoi një përpjekje për rilidhje të motorëve, por avioni ishte tashmë shumë poshtë dhe koha nuk mjaftoi. Ai shpërtheu në flakë kur goditi një konvikt në tokë.

Të gjitha testet mjekësore konfirmojnë se ekuipazhi ishte i kthjellët dhe me pushim të mjaftueshëm. Avioni kishte një sasi normale karburanti prej 54,200 kg, ndërsa mostrat ishin “brenda parametrave”. Nga ana tjetër, sistemi emergjent i avionit, i njohur si RAT (Ram Air Turbine), u aktivizua, një tregues ky i qartë se të dy motorët kishin humbur fuqinë.

Për momentin, raporti nuk përmend asnjë defekt strukturor në avion apo në motorët e tij të prodhuar nga GE Aerospace, duke e përjashtuar përgjegjësinë e kompanive prodhuese. Edhe pse Air India nuk kishte zbatuar rekomandimet jo të detyrueshme për kontroll të çelësave, kjo nuk cilësohet si shkelje.

Ngjarja ka shkaktuar përplasje diplomatike mes autoriteteve indiane dhe atyre amerikane, veçanërisht për vonesat në analizimin e të dhënave të regjistruara nga pajisjet e avionit. NTSB amerikane, së bashku me FAA, Boeing dhe GE, janë pjesë e hetimit, por nuk kanë komentuar ende publikisht për raportin.

Fatkeqësia solli vdekjen e 169 pasagjerëve indianë, 53 britanikëve, 7 portugezëve, një kanadezi dhe 12 anëtarëve të ekuipazhit. I vetmi që mbijetoi është Vishwash Kumar Ramesh, një shtetas britanik 40-vjeçar.

Me mbi 10,000 orë fluturimi, kapiteni Sabharwal konsiderohej një pilot me përvojë, ndërsa Kunder kishte mbi 3,400 orë. Për Air India, një kompani që po përpiqet të rilindë pas viteve të menaxhimit shtetëror, ky aksident është një goditje e rëndë në imazh.

Hetimi vazhdon, por pyetja kyçe mbetet e njëjtë: si u aktivizuan çelësat që ndërprenë furnizimin me karburant dhe a ishte kjo një gabim njerëzor, defekt teknik apo veprim i qëllimshëm?/ The telegraph - Syri.Net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco