Gjermania miraton furnizimin e Ukrainës me armë me rreze të gjatë veprimi, lejon goditjet brenda territorit rus

Gjermania miraton furnizimin e Ukrainës me armë me rreze të gjatë veprimi, lejon goditjet brenda territorit rus

14:00, 12/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjermania ka konfirmuar zyrtarisht vendimin për të furnizuar Ukrainën me sisteme të reja armësh me rreze të gjatë veprimi, duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm në politikën e saj të deritanishme të kujdesshme ndaj përshkallëzimit të konfliktit. Armët e avancuara do t’i mundësojnë Kievit të godasë objektiva strategjike brenda territorit të Rusisë, përtej vijës së parë të frontit.

Gjenerali i Bundeswehrit, Christian Freuding, i cili drejton grupin mbështetës të Ministrisë së Mbrojtjes për Ukrainën, deklaroi se dërgesat e para pritet të mbërrijnë brenda këtij muaji. “Ky është një hap i rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve ushtarake të Ukrainës,” u shpreh ai për mediat gjermane, duke theksuar se këto sisteme do të përmirësojnë ndjeshëm aftësinë për goditje precize në thellësi të territorit armik dhe mbrojtjen ajrore të vendit.

Sipas autoriteteve, sistemet e reja përfshijnë teknologji të sofistikuar për të goditur objektiva kyç si depot e municioneve, qendrat logjistike dhe komandat ruse që ndodhen larg vijës së frontit. Kjo pritet të ndikojë në ndërprerjen e zinxhirit të furnizimeve për forcat ruse dhe të lehtësojë presionin mbi trupat ukrainase.

Vendimi i Berlinit vjen pas kërkesave të përsëritura nga autoritetet ukrainase, të cilat kanë theksuar se pa mundësinë për të goditur objektiva në Rusi, është e pamundur të ndalohet përparimi i ushtrisë ruse apo të mbrohen qytetet ukrainase nga sulmet me raketa dhe dronë. Deri më tani, Gjermania kishte refuzuar dërgimin e armëve të tilla nga frika e përshkallëzimit të konfliktit.

Zyrtarët gjermanë kanë nënvizuar se përdorimi i armëve do të bëhet në koordinim me aleatët dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Gjenerali Freuding ka theksuar se objektivi mbetet ndihma për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Ky vendim konsiderohet një përforcim i rëndësishëm i mbështetjes perëndimore për Kievin, në një moment kur lufta ka hyrë në një fazë të re, me ofensiva të intensifikuara nga ana e forcave ruse. Ukraina pritet të përdorë këto armë për të forcuar pozitat në fushën e betejës në muajt e ardhshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco