Negociatat për armëpushim në Gaza në prag të dështimit, Hamasi akuzon Izraelin për zvarritje dhe mashtrim

Negociatat për armëpushim në Gaza në prag të dështimit, Hamasi akuzon Izraelin për zvarritje dhe mashtrim

09:17, 12/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Negociatat mes Izraelit dhe Hamasit në Doha të Katarit për një armëpushim të ri dhe lirimin e pengjeve janë pranë kolapsit, sipas zyrtarëve palestinezë të përfshirë në proces.

Një burim i lartë i tha BBC-së se delegacioni izraelit kishte udhëtuar në Katar pa autoritet real për të marrë vendime thelbësore, duke e akuzuar atë se “po blinte kohë” gjatë vizitës së kryeministrit Benjamin Netanyahu në Uashington.

Dy çështjet që kanë bllokuar progresin janë mekanizmi i shpërndarjes së ndihmës humanitare dhe shkalla e tërheqjes ushtarake izraelite nga Gaza. Hamasi kërkon shpërndarjen e ndihmës nga OKB-ja dhe organizata ndërkombëtare, ndërsa Izraeli insiston për një mekanizëm të mbështetur nga vetë ai dhe SHBA-të. Pavarësisht njëfarë përparimi teknik, palët nuk kanë arritur ende një marrëveshje formale.

Ndërkohë, tensionet janë shtuar pas zbulimit të një harte izraelite që paraqet “zona tampon” deri në 3 km brenda territorit të Gazës, në kundërshtim me propozimet e mëparshme të paraqitura gjatë bisedimeve. Kjo ka shkaktuar zemërim në kampin palestinez, i cili e ka cilësuar këtë si një manovër të pandershme që minon besimin dhe që synon vendosjen e një pranie të përhershme izraelite.

Zyrtarë palestinezë pretendojnë gjithashtu se Izraeli po ndjek një strategji të zhvendosjes së detyruar të popullsisë nën maskën e planifikimit humanitar. Ata i referohen një plani të ministrit izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz, për ngritjen e një kampi të madh në Rafah, fillimisht për 600 mijë e më pas për të gjithë popullsinë prej 2.1 milionë banorësh të Gazës. Plani parashikon kontroll ushtarak dhe ndalim të largimit, gjë që kritikët e kanë cilësuar si një “kamp përqendrimi”.

Ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe SHBA-ja janë përfshirë intensivisht në proces, por paralajmërojnë se situata është “në një fije peri”. Pala palestineze i bën thirrje Uashingtonit të ushtrojë presion real mbi Izraelin për lëshime konkrete, në të kundërt negociatat mund të dështojnë plotësisht, duke shtyrë rajonin drejt një katastrofe humanitare edhe më të madhe.

Konflikti aktual nisi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së drejtuar nga Hamasi, më shumë se 57,800 persona janë vrarë në Gaza që nga ajo ditë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco