Në një moment kyç për të ardhmen e mbrojtjes dhe teknologjisë evropiane, Bashkimi Evropian dhe Ukraina shpallën aleancën e parë të barabartë teknologjike mes tyre, të quajtur BraveTech EU, me një fond fillestar prej 100 milionë euro, nga të cilat secila palë do të kontribuojë 50 milionë.
Lajmi u njoftua në Konferencën e katërt të Rimëkëmbjes së Ukrainës (URC) në Romë nga Ministri i Transformimit Dixhital të Ukrainës, Mykhailo Fedorov dhe Komisioneri i BE-së për Mbrojtjen, Andrius Kubilius.
Qëllimi i kësaj nisme është të përshpejtojë inovacionin në mbrojtje, duke u mbështetur në teknologjitë e testuara nga Ukraina në fushëbetejë që prej fillimit të luftës me Rusinë. BraveTech do të fokusohet në mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, si dhe startup-eve të cilat do të zhvillojnë teknologji të reja në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Kolegët evropianë do të marrin rezultate nga fusha e betejës”, deklaroi Fedorov, duke theksuar se iniciativa është e hapur edhe për vende të tjera të BE-së. Sipas tij, programi do të zbatohet në dy faza, duke nisur në vjeshtë me hackathone për kompani mbrojtjeje dhe duke vijuar në vitin 2026 me grante e investime për projektet më premtuese.
BraveTech EU synon të integrojë industrinë mbrojtëse të Ukrainës në mekanizmat evropianë përmes lidhjes së platformës BRAVE1 të Ukrainës me instrumentet si Fondi Evropian i Mbrojtjes (EDF) dhe Skema e Inovacionit në Mbrojtje e BE-së (EUDIS). Kubilius theksoi se kapaciteti industrial i BE-së mund të ndihmojë në rritjen e qëndrueshmërisë evropiane, duke ndihmuar njëkohësisht edhe përpjekjet mbrojtëse të Ukrainës.
Aleanca teknologjike u shpall në një ditë kur Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Uashingtoni do të dërgojë sisteme mbrojtjeje ajrore Patriot në Ukrainë, përmes strukturave të NATO-s. Trump bëri të ditur se NATO do të financojë shpërndarjen e sistemeve, duke fuqizuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës, në një kohë kur Rusia po shton sulmet me raketa dhe dronë.
Në të njëjtën kohë, autoritetet në Kiev njoftuan projektin “Qielli i Qartë”, një sistem gjithëpërfshirës për përgjimin e dronëve, me 260 milionë hryvnia (5.3 milionë euro) të alokuara për dronë interceptues, trajnim operatorësh dhe njësi të reja të reagimit. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë të ndihmojnë në përshpejtimin e prodhimit të këtyre dronëve të avancuar, të cilët janë dëshmuar efektivë kundër dronëve Shahed dhe Geran-2.
“Shkencëtarët tanë gjetën një zgjidhje. Tani kemi nevojë për financim për të përshpejtuar prodhimin. Dhe pastaj, ne do të interceptojmë,” deklaroi Zelenskyy me vendosmëri.
© SYRI.net