Bashkimi Evropian po përballet me sfida demografike të thella, pasi që nga viti 2012, numri i vdekjeve tejkalon vazhdimisht numrin e lindjeve, duke bërë që migrimi të jetë e vetmja fuqi shtytëse për rritjen e popullsisë në bllok.
Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat të premten, popullsia e BE-së arriti në 450.4 milionë banorë vitin e kaluar, shifër kjo rekord e arritur kryesisht falë migrimit neto pozitiv prej 2.3 milion njerëzish.
Në vitin 2024, BE-ja shtoi 1.07 milion banorë të rinj, duke kompensuar kështu një rënie natyrore prej 1.3 milion njerëzish. Numri i vdekjeve vitin e kaluar ishte 4.82 milion, ndërsa lindjet ishin vetëm 3.56 milionë, duke theksuar sfidat demografike që po përballon kontinenti.
Eurostat thekson se rritja e popullsisë i detyrohet kryesisht rritjes së lëvizjeve migratore pas periudhës së pandemisë COVID-19. Kjo situatë po i shtyn vendeve të BE-së të përballen me presione në sistemet e mirëqenies dhe mungesa të fuqisë punëtore, për shkak të plakjes së popullsisë dhe shkallës së ulët të lindjeve.
Franca, Gjermania dhe Italia mbeten vendet me popullsinë më të madhe në BE, duke përbërë 47% të totalit të bllokut. Ndërsa 19 vende të BE-së regjistruan rritje të popullsisë vitin e kaluar, tetë vende panë rënie, me Maltën, Irlandën dhe Luksemburgun që shënuan rritjen më të lartë.
Nga ana tjetër, Letonia, Hungaria, Polonia dhe Estonia u përballën me rënie të popullsisë, duke reflektuar sfida të ndryshme socio-ekonomike në këto vende.
Popullsia e BE-së ka pësuar rritje të qëndrueshme nga 354.5 milionë në vitin 1960 në nivelet aktuale, por kjo rritje mbështetet sot kryesisht në migrim, duke vënë në fokus nevojën për politika të reja demografike dhe migratore në Bashkimin Evropian.
© SYRI.net