Miratohet ndryshimi ligjor/ Parlamenti i Portugalisë e riklasifikon përdhunimin si krim publik

Miratohet ndryshimi ligjor/ Parlamenti i Portugalisë e riklasifikon përdhunimin si krim publik

19:46, 11/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Parlamenti portugez miratoi të premten një ndryshim të rëndësishëm ligjor duke e riklasifikuar përdhunimin si krim publik, një lëvizje që u përshëndet nga organizatat për të drejtat e grave dhe solli debat në sallën e Kuvendit.

Ligji i ri u jep autoriteteve fuqinë për të hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e përdhunimit edhe në mungesë të një padie zyrtare nga viktima, duke e trajtuar këtë vepër penale me të njëjtin status si krimet më të rënda kundër rendit shoqëror.

Propozimet u paraqitën nga partitë Bloco de Esquerda (BE), LIVRE dhe PAN, dhe u miratuan me mbështetjen e Partisë Socialdemokrate (PSD) dhe Chega, parti e krahut të djathtë. Megjithatë, jo të gjithë deputetët e këtyre partive votuan në njëzëri: disa prej tyre abstenuan, duke krijuar një atmosferë të tensionuar në sallë.

Surpriza erdhi edhe nga radhët e Partisë Socialiste (PS), e cila në mënyrë zyrtare kishte zgjedhur të abstenohej për disa propozime. Megjithatë, disa deputetë socialistë votuan pro, duke dalë hapur kundër vijës zyrtare të grupit parlamentar. Kjo solli reagime dhe pyetje publike, çka detyroi kreun e grupit parlamentar të PS-së, Eurico Brilhante Dias, të publikonte një video shpjeguese.

“Duke e bërë këtë krim publik, Zyra e Prokurorit nuk konsultohet më me viktimën përpara se të veprojë, dhe kjo mund t’i heqë asaj zërin,” tha ai. “Natyra automatike e këtij ndryshimi heq zërin e viktimës dhe ne nuk mund ta mbyllim gojën dikujt që ka vuajtur nga një krim kaq i tmerrshëm.”

Ndërkohë, përfaqësuesja e BE-së, Mariana Mortágua, tha se projektligji tashmë do t’i drejtohet komisionit parlamentar për detajime ligjore, si mënyra se si nisin hetimet dhe mbrojtja e dëshmitarëve. “Qëllimi është të shmangim përplasjet e panevojshme në këtë fazë dhe të punojmë për një ligj të fortë dhe të qartë në fazën e specializimit,” theksoi ajo.

Ligji i miratuar përfshin ndryshime në Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe Statutin e Viktimës, duke e sjellë Portugalinë në përputhje me shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian. Deri tani, ajo ndante qëndrimin me Italinë dhe San Marinon, duke mos e trajtuar përdhunimin si krim publik – një qëndrim i kritikuar prej kohësh nga organizatat për të drejtat e njeriut si shkelje e Konventës së Stambollit.

Kujtojmë se në vitin 2019, parlamenti portugez bëri një hap të madh përpara duke zgjeruar përkufizimin e përdhunimit për të përfshirë çdo marrëdhënie seksuale të kryer pa pëlqim, një standard që e vendosi vendin mes vetëm shtatë shteteve të BE-së me një përkufizim të tillë. Megjithatë, ligjvënësit dhe aktivistët theksuan se nevoja për pëlqim nuk mjaftonte nëse autoritetet nuk kishin të drejtë të ndërhynin në mungesë të padisë nga viktima.

Ndryshimi i miratuar të premten përbën një hap tjetër thelbësor në mbrojtjen e viktimave të dhunës seksuale në Portugali.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco