Demaskimi i Macron-it: Shifra rekord e Francës për gazin rus

Demaskimi i Macron-it: Shifra rekord e Francës për gazin rus

10:45, 17/04/2024
A+ Aa A-

E mbani mend Emmanuel Macron-in që deri pak javë më parë rrihte gjoksin kundër Rusisë? Presidenti francez kishte promovuar dërgimin e trupave perëndimore në Ukrainë. "Putini nuk duhet të fitojë, mos u bëni frikacakë," tha ai, duke mbledhur vendet e tjera europiane.

Ndërsa Macron po e bënte këtë shfaqje në versionin "gjel", Franca vazhdonte të blinte gaz rus. Për ta marrë atë, Parisi i ka paguar Moskës mbi 600 milionë euro vetëm këtë vit, shkruan gazeta Politico, e cila citon të dhënat e siguruara nga Qendra për Kërkime për Energjinë dhe Ajrin e Pastër (CREA).

"Franca rrit blerjen e gazit rus"

Ky sigurisht nuk është një lajm i ri (disa kohë më parë kishim dhënë lajme të ngjashme për Austrinë), por bëhet sensacionale sepse Macron-i që shpall se dëshiron të mposhtë Rusinë është i njëjti që ndërkohë po ndihmon Moskën të financojë luftën kundër Ukrainës, të cilën presidenti pretendon se dëshiron ta mbrojë.

"Franca po rrit në heshtje pagesat për gazin rus. Në tre muajt e parë të këtij viti, dërgesat e gazit natyror të lëngshëm rus në Francë u rritën më shumë se në çdo vend tjetër të BE-së krahasuar me vitin e kaluar".

Politico

Franca konfirmon: Kontrata e Total për gazin rus

Lajmi konfirmohet nga Parisi: "Nuk është një temë e lehtë", pranon një zyrtar i Ministrisë Franceze të Energjisë, i cili e përkufizon blerjen e gazit rus si "të nevojshme për të garantuar fluksin e furnizimeve për familjet në të gjithë Europën, përfshirë Italinë".

Në realitet, kompania franceze e energjisë TotalEnergies është e detyruar me një kontratë deri në vitin 2032 me Moskën të importojë të paktën 4 milionë tonë gaz çdo vit.

Total mban 20% të aksioneve në fabrikën ruse të Yamal LNG, e cila gjithashtu numëron Novatek, prodhuesi i dytë më i madh i gazit natyror në Rusi, ndër aksionerët e tij. E njëjta gjë ndodh në Holandë dhe një situatë e ngjashme është e pranishme në Austri, e cila vetëm dy muaj më parë pranoi se importonte 98% të gazit rus sepse nuk kishte alternativa më të mira por edhe për shkak të një kontrate afatgjatë të firmosur nga kompania OMV me Gazprom.

Gazi rus, Franca dhe Bashkimi Europian

Në këtë pikë, duket surreale që Macron u jep leksione të tjerëve: "Franca nuk mund të na thotë të jemi të ashpër ndaj Rusisë dhe më pas t'i paguajmë asaj shuma të mëdha parash", thotë një diplomat nga një vend europian i cituar nga Politico.

Kjo histori sqaron më së miri të gjithë hipokrizinë europiane në konfliktin në Ukrainë. Shumica e liderëve kishin njoftuar shumë herët se Rusia do të nënshtrohej për shkak të sanksioneve dhe falë mbështetjes ushtarake të ofruar për Kievin.

Kjo ndodhi ndërkohë që të njëjtët pushtetarë nuk ndaluan së financuari Rusinë, e cila gjithmonë e ka pasur energjinë si pikën e saj të fortë. Dhe kështu Vladimir Putini mund të buzëqeshë vetëm duke dëgjuar deklaratat e Emmanuel Macronit./Byoblu - Syri.net

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco