Juan Merchan, gjykatësi që Donald Trump e quan 'urryes', dikur i ka dhënë para Joe Biden-it

Juan Merchan, gjykatësi që Donald Trump e quan 'urryes', dikur i ka dhënë para Joe Biden-it

11:11, 16/04/2024
A+ Aa A-

Gjykatësi që drejton çështjen penale të blerjes së heshtjes kundër Donald Trump-it është kryqëzuar ligjërisht me ish-presidentin më parë. Në vitin 2022, gjyqtari Juan Manuel Merchan drejtoi gjyqin e mashtrimit fiskal që çoi në dënimin e Allen Weisselberg-ut, shefit financiar të Organizatës Trump. Ai është gjithashtu gjyqtar në çështjen e mashtrimit dhe pastrimit të parave kundër aleatit të Trump-it, Steve Bannon.

Por gjyqi i zotit Trump për blerjen e heshtjes, i cili filloi të hënën, është deri tani rasti i profilit më të lartë të 17 viteve të gjykatësit Merchan. Trump është akuzuar për falsifikim të të dhënave të biznesit përpara zgjedhjeve të 2016-ës për të mbuluar një pagesë prej 130,000 dollarësh të bërë për të ndaluar Stormy Daniels, një yll filmash për të rritur, të flasë për lidhjen e tyre të dyshuar. Ai është deklaruar i pafajshëm dhe ka mohuar lidhjen.

Kush është gjykatës Merchan-i

Gjykatës Merchan ka drejtuar gjyqin e ish-presidentit që kur ai u padit në prill të vitit të kaluar, përfshirë këtu edhe përpjekjen e dështuar të zotit Trump për ta zhvendosur çështjen në gjykatën federale, dy përpjekje për ta përjashtuar gjyqtarin nga çështja dhe shumë përpjekje të tjera për të vonuar procedurat.

Ai e filloi karrierën e tij juridike në vitin 1994 pasi u diplomua në Hofstra University School of Law. Para se të emërohej gjyqtar i gjykatës për çështjet familjare në vitin 2006, gjykatës Merchan-i shërbeu në Zyrën e Prokurorit të Qarkut të Nju Jorkut dhe si ndihmësprokuror i përgjithshëm në qarqet Nassau dhe Suffolk. Që nga viti 2009, ai ka drejtuar çështjet penale ndërsa shërbente në Gjykatën e Lartë të Qarkut të Nju Jorkut.

Donacioni prej 15 dollarësh për Biden-in

Jo shumë kohë pasi zoti Trump u akuzua, doli se gjykatës Merchan-i kishte dhuruar 35 dollarë për demokratët në vitin 2020, duke përfshirë 15 dollarë për Joe Biden-in. Pavarësisht se donacionet ishin të vogla, ata ngritën pyetje për paanshmërinë e tij.

Sipas të dhënave të zgjedhjeve federale, gjykatës Merchan-i dhuroi 15 dollarë për fushatën e Biden-it, si dhe dy kontribute prej 10 dollarësh për Projektin Progresiv të Pjesëmarrjes dhe Stop Republicans.

Në shtetin e Nju Jorkut, gjyqtarëve u ndalohet të bëjnë donacione për organizatat politike ose kandidatët, por donacioni u konsiderua si i parëndësishëm duke pasur parasysh shumën e tij. Gjykatës Merchan-i nuk u tërhoq nga çështja kur doli në dritë çështja.

E bija ka punuar për demokratët

Vajza e gjykatës Merchan-it, Loren Merchan, është presidentja e Authentic Campaigns, një firmë që ka punuar në mbledhjen e fondeve dhe reklamat dixhitale për klientët demokratë.

Lista e klientëve të saj të mëparshëm përfshin Biden-in dhe përfaqësuesin Adam Schiff, të cilët udhëhoqën përpjekjet për shkarkimin e Trump-it. Zbulimi e bëri zotin Trump të shtyjë që gjykatës Merchan-i të hiqet nga çështja.

Çfarë ka thënë Trump?

Z. Trump ka qenë jashtëzakonisht i hapur kundër gjykatës Merchan-it dhe vajzës së tij. Në një fjalim televiziv nga rezidenca e tij në Florida në Mar-a-Lago prillin e kaluar, Trump akuzoi gjykatësin se kishte një "familje që urren Trump-in" me lidhje me Kamala Harrisin.

"Unë kam një gjykatës që urren Trump-in me një grua dhe një familje që urren Trump-in, vajza e të cilit punonte për Kamala Harrisin dhe tani merr para nga fushata Biden-Harris – dhe shumë prej tyre", tha Trump.

Sulmet e tij kundër zonjës Merchan në rrjetet sociale bënë që Alvin Bragg, Prokurori i Qarkut të Manhatanit, të kërkonte një zgjerim të urdhrit ekzistues të ish-presidentit për të përfshirë familjen e gjyqtarit. Trump e cilësoi urdhrin si shkelje të së drejtës së tij kushtetuese për lirinë e fjalës.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco