Raporti që vë në siklet Biden: Një i moshuar me kujtesë të dobët/ Presidenti zemërohet, por bën një tjetër gafë

Raporti që vë në siklet Biden: Një i moshuar me kujtesë të dobët/ Presidenti zemërohet, por bën një tjetër gafë

20:54, 09/02/2024
A+ Aa A-

Në një fjalim të befasishëm të enjten, Presidenti amerikan Joe Biden reagoi me zemërim ndaj një raporti të Prokurorit të Posaçëm, Robert Hur, i cili po hetonte mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve sekrete nga zoti Biden pasi u largua nga posti i nënpresidentit më 2017.

Prokurori Hur e përshkruan në raport Presidentin Biden si “një burrë të moshuar me qëllime të mira dhe me kujtesë të dobët”.

Shtëpia e Bardhë akuzoi prokurorin Hur për përdorim të një “gjuhë shumë paragjykuese”, të papërshtatshme për Departamentin e Drejtësisë.

Presidenti Joe Biden nuk do të përballet me akuza për marrjen me vetëdije të dokumenteve të klasifikuara pasi u largua nga posti i nënpresidentit më 2017, njoftoi prokurori i posaçëm Robert Hur të enjten, duke rrëzuar një çështje të rëndësishme kundër presidentit, ndërsa ai kërkon mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Prokurori Hur shkruan në raport se vendimin për të mos ngritur akuza, e mori pas një hetimi 15-mujor, meqë zoti Biden ishte bashkëpunues dhe se do të ishte e vështirë që ai të dënohej.

Në raport ai e përshkruan presidentin si një “burrë të moshuar me qëllime të mira dhe me kujtesë të dobët”.

Ky vlerësim riktheu në qendër të vëmendjes shqetësimet e kahershme mbi moshën dhe kujtesën e Presidentit Biden.

Raporti e përshkruan kujtesën e demokratit 81 vjeçar si “të mjegulluar”, “të paqartë”, “të gabuar”, “të varfër” dhe me “mjaft kufizime”.

Në dokument thuhet se zoti Biden nuk mund të kujtonte momente të rëndësishme të jetës së tij, si për shembull vdekjen e djalit të tij Beau, ose koha kur ai shërbeu si nënpresident.

“Kujtesën e kam në rregull”, u përgjigj i zemëruar Presidenti Biden mbrëmjen e së enjtes në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë dhe mohoi të ketë harruar datën e vdekjes së djalit.

Beau Biden vdiq nga kanceri në tru më 2015, në moshën 46 vjeçare.

Megjithëse Presidenti Biden nuk do të përballet me akuza për keqpërdorim të dokumenteve sekrete, vlerësimet në raport mund të dëmtojnë mesazhin e zotit Biden për votuesit se ai është në gjendje të udhëheqë qeverinë dhe të mbrojë vendin.

Ndërsa zgjedhjet po afrojnë, votuesit kanë dyshime të mëdha për moshën e zotit Biden, pasi kanë parë gafat e tij, kollitjen, ecjen e ngadaltë dhe rrëzimet në paraqitjet publike.

Presidenti Biden tha se vlerësimet mbi kujtesën dhe vdekjen e djalit të tij “janë komente të parëndësishme” që “nuk kanë vend në këtë raport”.

“Si dreqin guxon ta ngrejë këtë çështje?”, u shpreh zoti Biden.

“Sinqerisht, kur m’u bë pyetja, mendova me vete se nuk është puna e tyre. Në ditën përkujtimore ne organizojmë shërbesë për ta kujtuar atë, ku marrin pjesë miqtë, familja dhe njerëzit që e donin atë. Nuk kam nevojë për askënd, nuk kam nevojë që dikush të ma kujtojë se kur ai ndërroi jetë”, tha zoti Biden.

Biden qëndroi gjatë në këtë temë për të bindur gazetarët se kujtesën e kishte të mirë, por sërish bëri një gafë duke ngatërruar presidentin e Egjiptit me atë të Meksikës.

“Siç e dini, fillimisht presidenti i Meksikës, Al Sisi, nuk dëshironte që të hapte portën e Gazës për të lejuar materialet humanitare të futeshin. Fola dhe e binda që ta hapte portën.”, tha Biden.

Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve mbi kujtesën e tij, Presidenti Biden tha se ai është “personi më i kualifikuar në vend për të qenë president dhe të përfundojë atë që ka nisur”.

Ekspertët ligjor thonë se raporti nuk paraqet një imazh të favorshëm për Biden.

“I lexova komentet e këshilltarit special për moshën dhe kujtesën e Presidentit Biden si të papërshtatshme përtej qëllimit të mandatit të Këshilltarit Special dhe absolutisht në kundërshtim me praktikat e Departamentit të Drejtësisë, që do të thotë se këto janë mendimet e tij personale. Ato janë gjithashtu spekulative dhe ato janë qartazi të dëmshme për Presidentin Biden në opinionin publik”, tha James Sample, profesor në shkollën e drejtësisë, Hofstra.

Ky vlerësim nxiti sulme të reja nga Republikanët dhe Donald Trump duke theksuar se Biden nuk është i përshtatshëm si president dhe nuk duhet të kandidojë. Gjithashtu, ka ngjallur shqetësim edhe në mesin e demokratëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco