Jo vetëm francezët, fermerët spanjollë paralajmërojnë mobilizim: Po përballemi me zhgënjim

Jo vetëm francezët, fermerët spanjollë paralajmërojnë mobilizim: Po përballemi me zhgënjim

18:30, 30/01/2024
A+ Aa A-

Lëvizjes së zemërimit të fermerëve evropianë do t’i bashkohen kolegët e tyre spanjollë, me tre sindikatat më të mëdha të vendit që njoftojnë një sërë veprimesh në javët e ardhshme. “Sektori i bujqësisë në Evropë dhe Spanjë po përballet me një zhgënjim dhe shqetësim në rritje”, kryesisht për shkak të “burokracisë mbytëse të krijuar nga rregulloret evropiane”, thanë në një deklaratë të përbashkët shoqatat Asaja, UPA dhe Coag.

Të tre organizatat, të cilat nuk specifikojnë datat e sakta të mobilizimit të tyre, thonë se duan një “moderim” dhe “thjeshtim” të politikës së përbashkët bujqësore, si dhe një “plan ambicioz veprimi” në nivel BE – Spanjë dhe rajonet spanjolle.

Fermerët evropianë po “luftojnë kundër një tregu të çrregulluar që importon produkte bujqësore nga vendet e treta me një çmim të ulët, gjë që ul çmimet e ushqimeve në BE dhe Spanjë’, theksojnë tre organizatat. Ato ankohen se produktet që hyjnë jo nga vendet e BE-së nuk respektojnë rregullat evropiane, sa i përket mbrojtjes së mjedisit dhe është burim i konkurrencës së pandershme, duke kërcënuar qëndrueshmërinë e mijëra fermave në Spanjë dhe Evropë.

Mobilizimet masive të fermerëve në BE

Mobilizimet e fermerëve janë shumëfishuar prej disa ditësh në Bashkimin Evropian dhe veçanërisht në Francë ku fermerët kanë bllokuar me traktorët e tyre që dje, të hënën, tetë rrugë rreth kryeqytetit, nën vëzhgimin e forcave të sigurisë.

Sindikata Asaja në Spanjë tha të hënën se dëshiron t’i bashkohet lëvizjes. Presidenti i sindikatës tha se spanjollët kanë të njëjtat probleme me fermerët francezë dhe se fshati spanjoll po neglizhohet. Spanja së bashku me Francën dhe Poloninë janë fuqitë më të mëdha bujqësore në Evropë. Vendi, i cili prodhon një pjesë të madhe të frutave dhe perimeve që konsumohen në BE, megjithatë është përballur me një thatësirë ​​historike për tre vjet, e cila ka dobësuar një numër të madh fermash dhe ka shkaktuar një rënie të të korrave, veçanërisht në vajin e ullirit dhe drithërat.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco