A mundet që vrullin e së djathtës ekstreme në Evropë ta ndalojë Taylor Swift?!

A mundet që vrullin e së djathtës ekstreme në Evropë ta ndalojë Taylor Swift?!

11:49, 16/01/2024
A+ Aa A-

Zgjedhjet e ardhshme evropiane janë një provë kryesore për forcat politike, veçanërisht në Francë dhe Gjermani, pasi ato lundrojnë në territor të paeksploruar për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, shkruan Georgios Samaras.

Me afrimin e zgjedhjeve evropiane në qershor, ankthi midis liderëve të kontinentit është në rritje dhe me arsye të fortë.

Në Gjermani, AfD vazhdimisht ka mbi 20% në sondazhe dhe Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen në Francë vazhdon të fitojë vrull – të dyja vazhdim i një tendence që po shihet në një numër shtetesh anëtare.

Në atë që ngjan si një thirrje e dëshpëruar e minutës së fundit, Margaritis Schinas, Zëvendës President i Bashkimit Evropian, ka mbështetur idenë e përfshirjes së yllit të popit Taylor Swift për të rritur ndërgjegjësimin për zgjedhjet e ardhshme.

Miratimi vjen mes paralajmërimeve se parlamenti mund të ndeshet me sfida serioze qeverisëse.

E vërteta është se BE-ja po përballet me zgjedhje të komplikuara. Rritja e mbështetjes për partitë e ekstremit të djathtë shpesh i atribuohet shqetësimeve rreth migrimit, me luftërat kulturore të ngulitura tashmë fort në diskursin e zakonshëm.

Dua Lipa dhe Stromae si shpëtim?

Votuesit gjithashtu duket se u japin përparësi premtimeve të sigurisë të ofruara nga parti të ndryshme të ekstremit të djathtë në të gjithë Evropën, me një bllok premtimesh ku theksohen masat e rrepta kundër azilkërkuesve që lidhin shumicën e këtyre partive.

Megjithatë, është thelbësore të pranohet se forcat tradicionale në Evropë, veçanërisht partitë kryesore evropiane, kryesisht në qendrën e djathtë, kanë flirtuar me disa nga këta elementë ideologjikë për vite me radhë. Ky normalizim në vazhdim i diskursit të së djathtës ekstreme ka rezultuar në një mjegullim të linjave midis entiteteve me prirje të djathtë.

Shtrohet pyetja: a ka një mënyrë efektive për të trajtuar pasojat e këtij normalizimi dhe për të zbutur kërcënimin në rritje të ekstremit të djathtë përpara zgjedhjeve?

Ndërsa Brukseli thuhet se po shqyrton mobilizimin e superyjeve të tjerë evropianë, duke përfshirë Rosalía, Måneskin, Dua Lipa dhe Stromae për të ndihmuar që votuesit të shkojnë në qendrat e votimit këtë vit, çështja duket shumë më e madhe se diçka që zgjidhet lehtësisht me thirrje, popullit.

Taylor Sëift ndoshta nuk mund të japë zgjidhje dhe ndërsa koha përpara zgjedhjeve po ngushtohet, është e domosdoshme që qendra e djathtë evropiane të ndërmarrë urgjentisht procesin sfidues të rizbulimit të identitetit të saj.

Rreziqet e anashkalimit të retorikës së lidhur me ideologjitë e ekstremit të djathtë, duhet të pranohen dhe duhet të merren masa strategjike për të kundërshtuar këtë prirje në afat të gjatë.

Një ndryshim në fokus

Ka shembuj të shumtë se si partitë politike të qendrës së djathtë i kanë përshtatur strategjikisht axhendat e tyre politike për t'u lidhur me ideologjitë e ekstremit të djathtë.

Një rast i dukshëm në këtë pikë është projektligji i diskutueshëm i imigracionit i miratuar në dhjetor në Francë, i cili shërben si një manifestim i hapur i këtij fenomeni.

Përballë ndarjeve të brendshme partiake dhe reagimeve, Presidenti Emmanuel Macron e gjeti veten në kurthin e një krize ideologjike duke propozuar masa të rrepta migracioni.

Projektligji,në  veçanti, paraqet ndryshime në kriteret për përfitime të caktuara të sigurimeve shoqërore për të huajt. Le Pen e konsideron projektligjin një triumf për qëndrimin e saj ideologjik.

Me sigurimin e rizgjedhjes për një mandat të dytë në vitin 2022, Macron pranoi hapur se mbështetja që ai mori nga votuesit nuk ishte domosdoshmërisht një miratim i ideve të tij, por më tepër një lëvizje strategjike për të kundërshtuar ngritjen e së djathtës ekstreme.

Kjo njohje nxjerr në pah një kontradiktë të dukshme në qëndrimin e tij politik, duke nënvizuar një paqartësi ideologjike që theksohet më tej nga popullariteti i tij dukshëm i pafavorshëm.

Qendra e djathtë vazhdon të largohet nga rrënjët e saj

Në verën e vitit 2023, Friedrich Merz, kreu i CDU-së së Gjermanisë, flirtoi shkurtimisht me idenë e bashkëpunimit me AfD-në e ekstremit të djathtë, veçanërisht në nivelin e qeverisjes vendore.

Ky largim nga tradita ngre shqetësime rreth dobësimit të vendosmërisë së CDU-së, duke shënuar një zhvillim të rëndësishëm në politikën konservatore pas Luftës së Dytë Botërore.

Një prirje e ngjashme është shfaqur në Spanjë, ku Partia Popullore konservatore ishte afër formimit të një qeverie koalicioni me Vox-in e ekstremit të djathtë.

Vox, i njohur për axhendën e tij anti-LGBTQ dhe dyshimi i fortë për ngrohjen globale i pengoi votuesit, duke çuar në një fitore të papritur për të majtën dhe kryeministrin Pedro Sanchez.

Ndërkohë, Demokracia e Re e qendrës së djathtë të Greqisë po kalon një zhvendosje të dukshme nga rrënjët e saj tradicionale të qendrës së djathtë. Një skandal përgjimi e ka njollosur mandatin e parë të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis dhe qeveria po përballet me akuzat për shtyrjen mbrapsht të emigrantëve në kufij. Kohët e fundit, partia greke po përballet me rezistencë serioze brenda radhëve të saj, pasi fraksioni i saj ultrakonservator nuk pranon ta mbështesë legalizimin e martesave të të njëjtit seks, duke përforcuar më tej, hapjen e partisë ndaj të djathtës ekstreme.

Një Union i paqeverisshëm?

Pavarësisht zhvendosjes djathtas të vërejtur së brendshmi në shumë parti tradicionale të qendrës së djathtë, Partia Popullore Evropiane (PPE) shquhet për përkushtimin ndaj ideologjisë së saj.

Veçanërisht, PPE ka refuzuar përfshirjen në negociata me grupin e Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë ose Identitet dhe Demokracisë, duke e veçuar veten nga peizazhi më fleksibël i politikës së brendshme të qendrës së djathtë.

Sondazhet e fundit tregojnë se PPE dhe Social-Demokratët  pritet të sigurojnë përkatësisht 171 dhe 141 vende. Mundësia e formimit të një koalicioni me Liberalët nënvizon angazhimin e PPE për të ruajtur aleancat tradicionale brenda Parlamentit Evropian.

Kërcënimi i afërt i një rritjeje të papritur të ndikimit të ekstremit të djathtë në qershor paraqet një sfidë të frikshme që mund të jetë e vështirë për t'u trajtuar në zgjedhjet e mëvonshme./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco