VIDEO/ Zjarri në avionin e Japan Airlines, detajet që shpëtuan 379 pasagjerë

VIDEO/ Zjarri në avionin e Japan Airlines, detajet që shpëtuan 379 pasagjerë

08:53, 03/01/2024
A+ Aa A-

Nëntëdhjetë sekonda. Kaq kohë iu desh ekuipazhit të avionit të Japan Airlines që u përplas me një avion të Rojes Bregdetare japoneze në aeroportin Haneda të Tokios për ta evakuuar pasagjerët që ndodheshin brenda.

Në një minutë e gjysmë, 379 njerëz në bord dolën teksa Airbus A350 po digjej. 

E ndërsa autoritetet po hetojnë shkakun e përplasjes misterioze me avionin e rojes bregdetare që transportonte ndihma për viktimat e tërmetit  (në të cilin vdiqën 5 nga 6 personat në bord), të gjithë flasin për një evakuim “mrekulli”, falë të cilit u shpëtua 367 pasagjerët dhe ekuipazhi i Japan Airlines.

Por nuk ishte një “mrekulli”. 

Ekspertët ia atribuojnë evakuimin e suksesshëm të Airbus-it të djegur një kombinimi të rregulloreve moderne të sigurisë dhe kulturës strikte të sigurisë së Japan Airlines. 

Ekuipazhi "thjesht" bëri atë për të cilën ishin të trajnuar: ata ruajtën gjakftohtësinë dhe i udhëzuan pasagjerët në mënyrë të rregullt dhe të shpejtë drejt sigurisë.

 

 

Ky reagim nga ekuipazhi nuk ishte befasues. Anëtarët e JAL kalojnë nëpër trajnime rigoroze dhe të detajuara pasi linja ajrore ka një kulturë shumë strikte rreth procedurave standarde duke bërë gjithçka siç duhet. 

Kjo është një nga arsyet që në këtë rast ekuipazhi duket se ia ka dalë kaq mirë. 

Ku bazohet kjo kulturë?

Në selinë e Japan Airlines, që nga viti 2005 janë ekspozuar rrënojat e Fluturimit 123 dhe historitë e njerëzve që humbën jetën në këtë fluturim.

 Ky është aksidenti ajror më vdekjeprurës që përfshin një avion të vetëm dhe ndodhi më 12 gusht 1985, kur një aeroplan i Japan Airlines që fluturonte nga Tokio në Osaka u rrëzua, duke vrarë 520 nga 524 personat në bord. 

Edhe pse, siç doli, shkaku i rrëzimit ishte një gabim i teknikëve të Boeing në bishtin e avionit dhe jo të linjës ajrore, ai ndjek JAL edhe sot e kësaj dite.

Në fund të fundit, ky është aksidenti i vetëm në historinë e Japan Airlines.

Drejtuesit e kompanisë thonë se rekrutët e rinj duhet të shohin rrënojat dhe historitë e njerëzve që humbën, të kenë një ndjenjë përgjegjësie që po marrin përsipër. 

Se ata duhet të kuptojnë se duhet të jenë të gatshëm të bëjnë atë që duhet të bëjnë kur diçka nuk shkon. 

Dhe kjo, siç rezulton, funksionon mirë kur kombinohet me stërvitje shumë të vështirë dhe një obsesion me çdo detaj të fundit të sigurisë. 

Kjo është arsyeja pse Japan Airlines është vlerësuar si një nga më të sigurtat në botë, me shtatë yje në renditjen e Airlineratings.com.

Në të njëjtën kohë, përveç shpejtësisë dhe profesionalizmit të ekuipazhit (i cili zgjodhi anën e duhur për të hapur daljet e emergjencës që pasagjerët të mos digjeshin) dhe qetësisë së pasagjerëve, një rol të rëndësishëm luajti edhe vetë Airbus. 

Pas një sërë përplasjesh me zjarre katastrofike, avionët modernë kanë "hapje" pranë daljeve dhe rrëshqitje më të gjata në mënyrë që pasagjerët të dalin më shpejt. 

Ata gjithashtu kanë gjithnjë e më shumë sinjale të dukshme të dritës së daljes së urgjencës për pasagjerët që nuk ndjekin konferencën para fluturimit, dhe kabinat janë bërë nga materiale që vonojnë zjarrin të arrijë sa më shumë që të jetë e mundur.

 



Dhe ndërsa Airbus shtrihet plotësisht i shkatërruar dhe djegur në pistën Haneda, ekspertët po përpiqen të zgjidhin misterin e përplasjes mes dy avionëve. Japan Airlines ka thënë se ekuipazhi i saj ishte liruar nga Kulla e Kontrollit për t'u ulur - gjë që u konfirmua dje - kështu që barra bie mbi ekuipazhin e helikopterit ASH-8 të Gardës Bregdetare me dy motorë që transportonte ndihmën për viktimat e tërmetit.

Skenarët mbizotërues janë dy: Piloti i aeroplanit të Rojës Bregdetare që priste të ngrihej, hyri gabimisht në pistë për t'u ngritur, ose Kulla e Kontrollit e drejtoi gabimisht helikopterin e vogël në pistë. Në çdo rast, bisedat e regjistruara mes ekuipazheve tokësore dhe ajrore dhe kutitë e zeza të avionit, do të japin përgjigjet...
 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco