Kryetari i bashkisë së New York-ut: Biden po dështon në krizën e emigrantëve

Kryetari i bashkisë së New York-ut: Biden po dështon në krizën e emigrantëve

11:20, 29/12/2023
A+ Aa A-

Kryebashkiaku demokrat i Nju Jorkut, Eric Adams, akuzoi administratën e Biden-it për dështimin në menaxhimin e krizës së emigrantëve, pasi ai vendosi kufizime të reja për azilkërkuesit që transportoheshin me autobusë në qytetin e tij.

Ndërhyrja vjen ndërsa një tjetër "karvan" masiv i emigrantëve po marshon drejt kufirit SHBA-Meksikë, ndërsa bisedimet urgjente zhvillohen mes Shtëpisë së Bardhë dhe presidentit meksikan.

Emigrantët që kalojnë kufirin meksikan në shtetet e mbipopulluara jugore të SHBA-së janë transportuar në mënyrë rutinore me autobusë drejt qyteteve veriore dhe demokrate muajt e fundit.

Zoti Adams shpalli një ndalim të autobusëve që mbërrinin pa paralajmërim, ndërsa ai iu bashkua kryebashkiakëve demokratë të Çikagos dhe Denverit për të kërkuar ndërhyrjen e administratës Biden.

"Nuk mund të vazhdojmë të bëjmë punën e qeverisë federale," tha zoti Adams në një konferencë të përbashkët shtypi.

"Qeveria federale i tha qytetit të Nju Jorkut: ‘Ne nuk do të bëjmë punën tonë – bëjeni ju punën tonë. Ju kujdesuni për 4000 njerëz në javë, Eric, ju dhe ekipi juaj", shtoi ai.

Javën e kaluar, 14 autobusë me emigrantë mbërritën në Nju Jork në një natë të vetme, pa një destinacion.

Zoti Adams tha se qytetet amerikane kishin arritur një pikë kulminante ndërsa qeveria amerikane qëndroi duarkryq në vend që të ndihmonte në lehtësimin e fluksit të njerëzve pa dokumente të mbetur në rrugë.

Përpjekjet për të organizuar takime me administratën kishin qenë të pafrytshme, tha ai.

"Jam i çoroditur. Më duhet të vazhdoj ta kundërshtoj këtë dhe jam i kënaqur që tani po na bashkohen edhe qytete të tjera. Ai koalicion do të vazhdojë të rritet sepse këto qytete meritojnë më mirë," vazhdoi ai. "Qytetet nuk duhet të trajtojnë problemet kombëtare."

Në një përpjekje për të kontrolluar fluksin, zoti Adams tha se do të vendoste kufizime të ashpra për kompanitë e autobusëve dhe kërcënoi të burgoste operatorët që nuk respektonin vendimin. Ata tani do të duhet të njoftojnë 32 orë para për mbërritjen e tyre dhe koha e dorëzimit do të jetë e kufizuar. Policisë i është dhënë kompetenca për të sekuestruar autobusët nga operatorët që kundërshtojnë urdhrin ekzekutiv të zotit Adams.

"Ne nuk mund të lejojmë autobusët me njerëz që kanë nevojë për ndihmën tonë të mbërrijnë pa paralajmërim në çdo orë të ditës dhe natës," tha zoti Adams.

Sipas zyrtarëve të Nju Jorkut, më shumë se 161,000 emigrantë kanë mbërritur në qytet në 18 muajt e fundit. Masat e Nju Jorkut u bëjnë jehonë atyre të prezantuara tashmë nga Çikago. Teksasi i anashkaloi kufijtë duke udhëzuar operatorët që të largonin emigrantët në periferi të qytetit, duke krijuar kaos, sipas kryebashkiakut të Çikagos, Brandon Johnson. Qyteti, i cili ka pranuar më shumë se 26,000 emigrantë, ishte "në pikën kulmimante", shtoi ai.

"Ekonomitë tona lokale nuk janë krijuar dhe ndërtuar për t'iu përgjigjur kësaj lloj krize. Ne po improvizojmë me sistemin aktualisht", tha zoti Johnson.

Kryetari i bashkisë së Denverit, Mike Johnston tha se qyteti kishte pranuar më shumë se 35,000 emigrantë dhe po strehonte 4000. Shtëpia e Bardhë mbrojti trajtimin e saj të krizës, duke thënë se kishte ndihmuar 10,000 emigrantë të aplikonin për leje pune.

Fluksi në kufirin e SHBA-së ka arritur nivele rekord pasi zoti Biden hoqi kufizimet e vendosura nga ish-presidenti Donald Trump.

Një karvan prej rreth 6000 emigrantësh që ecin nëpër Amerikën Qendrore për në SHBA ka të ngjarë të përkeqësojë tensionin në vendkalim. Karvanët, shpesh të promovuar nga organizatat për të drejtat e emigracionit, ishin një tipar i kontrolleve fillestare të kufirit të zotit Trump.

Karvani i fundit filloi të marshonte javën e kaluar ndërsa Shtëpia e Bardhë organizoi bisedime të papritura me qeverinë meksikane gjatë festave të Krishtlindjeve.

Antony Blinken, sekretari i shtetit, Alejandro Mayorkas, sekretari i sigurisë kombëtare dhe Liz Sherwood-Randall, këshilltarja e zotit Biden për sigurinë kombëtare, mbajtën ato që u përshkruan si "bisedime produktive, me Andrés Manuel López Obrador, presidentin meksikan.

Goditja e Meksikës ndaj kontrabandistëve

Nuk u njoftuan politika zyrtare, por sipas Shtëpisë së Bardhë, Meksika ka rënë dakord të godasë kontrabandistët. Të mërkurën, emigrantët dhe azilkërkuesit, shumë me fëmijë të vegjël, ecën përgjatë autostradës pranë qytetit jugor meksikan të Villa Comaltitlán. Disa mbanin një pankartë ku shkruhej "Eksod nga varfëria".

Rosa, nga El Salvadori, tha se shpresonte që zyrtarët të lehtësonin vuajtjet e emigrantëve. "Ne po kërkojmë diçka më të mirë për fëmijët tanë dhe familjet tona," tha ajo ndërsa ecte. "Shpresoj se kjo t'i prekë zemrat e tyre."

Emigrantët dhe azilkërkuesit udhëtojnë përmes Meksikës në SHBA për t'i shpëtuar dhunës, problemeve ekonomike dhe ndikimeve negative të ndryshimeve klimatike, sipas Kombeve të Bashkuara. Shifra që ka kaluar Rajonin e rrezikshëm të Darienit që kalon Kolumbinë dhe Amerikën Qendrore, ka kaluar gjysmë milioni në vitin 2023, dyfishi i rekordit të vitit 2022.

Luis García Villagrán, një aktivist për të drejtat e emigrantëve, kritikoi takimin, duke thënë se shqetësimet kryesore të zyrtarëve ishin çështjet e brendshme elektorale dhe se më shumë përpjekje për zbatimin e ligjit që synojnë ndalimin e emigrantëve për të arritur në kufirin e SHBA-së do të dëmtonin vetëm më të varfrit e të varfërve.

"Ata duan që gratë dhe fëmijët të jenë pjesë e pazareve", tha ai, duke folur përbri karvanit të martën. "Ne nuk jemi pjesë e pazareve të asnjë politikani."/The Telegraph - Syri.net

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco