‘Princesha Aisha' vetëm 17-ditëshe, vritet bashkë me vëllanë nga një sulm izraelit Kur Mahmoud ishte shtrirë në shtratin e tij në spital, e ëma i solli atij dy fëmijët e vdekur, për t’i dhënë lamtumirën e fundit përpara se të varroseshin.

‘Princesha Aisha' vetëm 17-ditëshe, vritet bashkë me vëllanë nga një sulm izraelit

12:18, 20/12/2023
A+ Aa A-

Rafah, Gaza  - Ajo lindi në mes të luftës, në një spital pa energji elektrike në një qytet jugor të Gazës që bombardohet çdo ditë. Familja e saj e quajti atë al-Amira Aisha - "Princesha Aisha". Ajo nuk e mbylli  javën e saj të tretë para se të vdiste, e vrarë në një sulm ajror izraelit që shkatërroi shtëpinë e saj të martën.

Familja e saj e gjerë ishte në gjumë kur goditja rrafshoi ndërtesën e tyre të banimit në Rafah para agimit, tha Suzan Zoarab, gjyshja e foshnjës dhe e mbijetuar nga shpërthimi. Zyrtarët e spitalit thanë se 27 persona u vranë, mes tyre Amira dhe vëllai i saj 2-vjeçar, Ahmed.

“Vetëm 2 javëshe. Emri i saj as nuk ishte regjistruar”, tha gjyshja Suzan, me zërin që dridhej teksa fliste nga ana e shtratit të spitalit të djalit të saj, i cili gjithashtu u plagos nga shpërthimi.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, kjo tragjedi familjare vjen pasi numri i të vdekurve palestinezë në Gaza po shkon në 20,000. Shumica dërrmuese është vrarë në sulmet ajrore izraelite që kanë goditur pa mëshirë, enklavën e rrethuar të Gazës prej dy muajsh e gjysmë, duke shkatërruar shpesh shtëpi me gjithë familjet brenda.

Familja Zoarab ishte ndër të paktat  familje palestineze në Gaza që qendroi në shtëpi. Sulmi i Izraelit, një nga më shkatërruesit e shekullit të 21-të, ka zhvendosur rreth 1.9 milionë njerëz - më shumë se 80% të popullsisë së territorit - duke i dërguar ata në kërkim të strehimit në shkollat e OKB-së, spitalet, kampet e tendave ose në rrugë.

Por Zoarabët qëndruan në pallatin e tyre trekatësh. Dy nga djemtë e Suzanës kishin apartamente në katet më të larta, por familja e gjerë ishte grumbulluar në katin e parë, duke besuar se do të ishte më e sigurt. Kur goditi predha, vrau të paktën 13 anëtarë të familjes Zoarab, duke përfshirë një gazetar, Adel, si dhe njerëz që strehoheshin aty pranë.

“Pamë se e gjithë shtëpia ishte shembur mbi ne,” tha Suzan. Punonjësit e shpëtimit i nxorrën ata dhe viktimat e tjera, të gjallë dhe të vdekur, nga rrënojat.

Princesha Aisha ishte vetëm 17-ditëshe. Ajo lindi më 2 dhjetor në Spitalin e Gjysmëhënës së Kuqe të Emirateve në Rafah kur nuk kishte energji në objekt, tha Suzan.

"Ajo ka lindur në një situatë shumë të vështirë," tha gjyshja Suzan.

Që nga e hëna, 28 nga 36 spitalet e Gazës në të gjithë Rripin e Gazës u raportuan si jashtë shërbimit, sipas OKB, ndërsa tetë objekte shëndetësore të mbetura ishin vetëm pjesërisht funksionale. Mes shkatërrimit, rreth 50,000 gra palestineze janë shtatzënë, tha OBSH.

Prindërit e Princeshës Aisha dhe Ahmedit arritën të shpëtojnë: Mamaja e tyre, Malak, me djegie dhe mavijosje në fytyrë, babai i tyre Mahmoud, me një legen të thyer. Dhe kur Mahmoud ishte shtrirë në shtratin e tij në Spitalin Kuvajt të Rafahut, Suzan i solli atij dy fëmijët e vdekur për t’i dhënë lamtumirën e fundit përpara se të varroseshin./ar.sh/SYRI.NET

Image

Image

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco