Bastisen kamionët e ndihmave humanitare në Gaza

Bastisen kamionët e ndihmave humanitare në Gaza

08:10, 18/12/2023
A+ Aa A-

Kamionët e ndihmave që hynë në Gaza nga Egjipti u pushtuan nga palestinezë të uritur, që në mungesë të ushqimit për një kohë të gjatë, i vodhën furnizimet. Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë thotë se njerëzit e uritur po e bëjnë pothuajse të pamundur shpërndarjen e ndihmave tek të gjithë.

Ndërkohë pika kufitare Kerem-Shalom midis Izraelit dhe Gazës u hap për kamionët e ndihmës të dielën për herë të parë që nga shpërthimi i luftës, një lëvizje për të dyfishuar sasinë e ushqimit dhe ilaçeve që arrijnë në Gaza.

Por Izraeli hodhi dyshime për shpërndarjen e ndihmave, duke akuzuar zyrtarët e OKB-së mosshpërndarjen e furnizimeve që hyjnë nga Egjipti. Agjencitë e ndihmës thonë se shpërndarja e ndihmave është ndërprerë nga dhuna.

Pamjet e marra me dron tregojnë mijëra vetë që qëndrojnë në radhë për të marrë ushqim në Rafaht të Gazës Jugore. Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së ka thënë se gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës po vdes nga uria.

Një sulm ajror në Rafah la të vdekur të paktën katër palestinezë dhe një numër të paidentifikuar të plagosur. Njerëzit u mblodhën pranë ndërtesës së shkatërruar në kërkim të të mbijetuarve. Pavarësisht pretendimeve se Rafah është i sigurt për ata që ikin nga qyteti i Gazës, sulmet ajrore izraelite vazhdojnë çdo natë.

Në një tjetër ngjarje, të plagosurit u dërguan me urgjencë me ambulanca dhe me karroca në spitalin Al Nasser pas një sulmi ajror izraelit në një shkollë të UNRWA në Khan Younis. Shumica e viktimave të plagosur ishin fëmijë dhe pleq.

Ushtria izraelite tha të dielën se 121 ushtarë janë vrarë që nga fillimi i fushatës tokësore më 27 Tetor, kur tanket dhe këmbësoria filluan ofensivën tokësore në Gazë.

Në mbledhjen javore të kabinetit, Kryeministri Benjamin Netanyahu lexoi një letër, për të cilën tha se është shkruar nga të afërm të ushtarëve të rënë në betejë.

“Ju keni një mandat për të luftuar. Ju nuk keni mandat të ndaleni në mes,” tha Netanyahu duke citur letrën dhe më pas shtoi: Ne do të luftojmë deri në fund.

Numri i humbjeve në radhët e ushtrisë izraelite është tashmë pothuajse dy herë më i lartë se gjatë ofensivës tokësore të vitit 2014. Netanyahu tha të shtunën se lufta në Gaza është ekzistenciale dhe duhet të shkojë deri në fitore, me enklavën të çarmatosur dhe nën kontrollin e sigurisë izraelite.

Kryeministri konfirmoi se negociatat e reja të ndërmjetësuara nga Katari po zhvillohen për lirimin e pengjeve, por anashkaloi një pyetje mbi takimin e raportuar në Europë midis shefit të tij të spiunazhit David Barnea dhe Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, kryeministër i Katarit. Fillimisht lajmi ngjalli shpresat për një marrëveshje të re armëpushimi me Katarin ndërmjetësues.

Vrasja aksidentale e tre pengjeve nga forcat izraelite ka rritur presionin ndaj Netanyahut për të siguruar lirimin e të tjerëve, por Hamasi tha se nuk do të negociojë asnjë shkëmbim “nëse agresioni kundër popullit tonë nuk ndalet një herë e përgjithmonë”.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco