Brazil/ Vala e rrezikshme e të nxehtit pushton pjesë të mëdha të vendit

Brazil/ Vala e rrezikshme e të nxehtit pushton pjesë të mëdha të vendit

09:12, 18/11/2023
A+ Aa A-

Është ende pranverë në Brazil, mirëpo vala e rrezikshme e të nxehtit ka pushtuar pjesë të mëdha të vendit, duke i detyruar tregtarët të largohen nga rrugët për shkak të shqetësimeve shëndetësore dhe duke rritur kërkesat për furnizim me energji elektrike pas ndërprerjeve të shpeshta.

Sipas Institutit Kombëtar të Meteorologjisë, shumica e shteteve braziliane përballen me “rreziqe të mëdha” nga i nxehti. Instituti deklaroi gjendje emergjente në qendrën perëndimore, në juglindje dhe në disa pjesë të veriut për t’i paralajmëruar qytetarët për “mundësinë e aksidenteve dhe dëmeve të mëdha si dhe rrezikut për humbjen e jetëve njerëzore”.

Të martën në mëngjes, treguesi i temperaturës dhe lagështisë shkoi në 58.5 gradë celsius. Kjo temperaturë është më e larta e regjistruar ndonjëherë në Brazil. Temperaturat aktuale pësuan ulje të mërkurën, mirëpo u parashikua se ato do të ngrihen në 40 gradë celsius të enjten.

Kariokasit – siç quhen banorët e Rios – gjithmonë e kanë pasur diellin, të nxehtin, dhe plazhin si pjesë e identitetit të tyre, ka thënë Nubia Beray, koordinatorja e laboratorit në Universitetin Federal të Rio de Janeiro. Por ajo ka shtuar se ky i nxehtë është i tepërt edhe për ta.

“Kariokasit vijnë me autobusë në shtëpi pa kondicioner të ajrit. Tregtarët nëpër rrugë nuk mund të punojnë sepse nganjëherë alivanosen. I nxehti të vret,” ka thënë Beray.

Pasojat e të nxehtit

Sipas kompanisë meteorologjike Metsul, në Sao Paulo, temperaturat shkuan deri në 37.7 gradë celsius, që për pak nuk thyen rekordin për temperaturat më të larta. Rekordin e mori javën e kaluar shteti i Mato Grosso do Sul me 43 gradë celsius, kështu ka thënë Instituti Kombëtar i meteorologjisë, Inmet.

Ndërsa brazilianët iu kthyen fluturave elektrike, kondicionerëve të ajrit dhe tharëseve, për t’u freskuar, këto pajisje bënë që kërkesat për furnizim me energji të arrijnë rekord. Ndërprerje të energjisë elektrike u raportuan në Sao Paulo dhe Rio de Janeiro.

Gjatë të nxehtit të madh, zjarret e egra dogjën ligatinat më të mëdha tropikale që shtrihen në shtetin e Mato Grosso dhe Mato Grosso do Sul. Sipas Laboratorit të Universitetit Federal të Rio de Janeiro, zjarret kanë djegur një zonë rreth madhësisë së Qipros, apo me më shumë se 947 mijë hektarë.

Fenomeni El Niño

Temperaturat në Amerikën Jugore ndryshojnë nga fenomeni klimatik El Niño, dukuri natyrore periodike që i ngroh ujërat sipërfaqësor të Oqeanit Paqësor. Këtë vit, temperaturat e Oqeanit patën ngritje tepër të shpejtë – brenda disa muajve, ka thënë Danielle Ferreira, klimatologe tek Inmet. “Kjo lë të kuptohet se efektet po përshpejtohen”, ka thënë Ferreira.

Ferreira shtoi se në të kaluarën në Brazil, El Niño në veri ka shkaktuar thatësira ndërsa në jug sasi të mëdha të shiut. Këtë vit, efektet e kësaj dukurie klimatike kanë qenë veçanërisht të vrazhda.

Në pyllin e Amazonës, thatësira ka qenë aq e ashpër sa që komunitetet e varura nga rrugët ujore të thata kanë ngelur pa karburante, pa ushqim e pa ujë të filtruar. Ndërsa në shtetin jugor të Rio Grande do Sul, përmbytjet e shumta vranë dhjetëra banorë.

Shkencëtarët thonë se moti ekstrem po ndodh më shpesh për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit. Sipas studimit të publikuar këtë javë nga Instituti Kombëtar për Hulumtim në Hapësirë, valët e të nxehtit janë bërë shtatë herë më të shpeshta në shtatë dekadat e fundit. Vala aktuale e të nxehtit është e teta me radhë që kaploi Brazilin këtë vit. Për herë të parë, Brazili ka një rajon me karakteristika të shkretëtirës – shteti i Bahias në verilindje të vendit, këtë ka treguar studimi nga agjencioni federal në muajin nëntor.

Teksa temperaturat globale rriten, uji avullon më shpejt. Njëri nga autorët e studimit, hidrologu Javier Tomasella ka thënë se ky fenomen që njihet si shkretëtirëzim, po përparon në rajonet tjera të Brazilit. “Nuk kemi parë kurrë asnjë fenomen si ky” ka thënë Tomasella.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco