Nevoja për pushtet, Sanchez arrin marrëveshje me njeriun që po lufton për pavarësinë e Katalonisë

Nevoja për pushtet, Sanchez arrin marrëveshje me njeriun që po lufton për pavarësinë e Katalonisë

20:14, 09/11/2023
A+ Aa A-

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez siguroi mbështetjen kryesore që i nevojitej për të qëndruar në krye të qeverisë pasi arriti një marrëveshje me partinë separatiste katalonase Junts, të udhëhequr nga ish-presidenti katalonas, Carles Puigdemont.

Pas 15 javësh diskutimesh të mundimshme me partitë e tjera të krahut të majtë, Sanchez ra dakord të miratonte një ligj për amnistinë e separatistëve katalonas, duke shmangur kështu zgjedhjet e reja dhe duke arritur të siguronte vazhdimësinë si kryeministër, raporton politico.

Në këmbim të mbështetjes së shtatë deputetëve të Juntas, socialistët ranë dakord të miratonin një ligj që amnistonte këdo që ishte i përfshirë në referendumin e dështuar të pavarësisë së Katalonisë në vitin 2017.

Projektligji i amnistisë, i cili pritet të miratohet me mbështetjen e aleatëve të majtë të Sanchezit dhe partive separatiste baske dhe katalonase, do të lirojë rreth 1500 persona të cilët tashmë janë dënuar, ose janë aktualisht në gjyq, për pjesëmarrje në aksione të ndryshme separatiste.

Edhe pse askush nuk e ka parë ende tekstin përfundimtar të projektligjit, i cili duhet të dërgohet në parlament javën e ardhshme, përmbajtja e tij tashmë po shkakton tension brenda dhe jashtë vendit.

Ndërkohë, edhe në Bruksel, projektligji tërhoqi vëmendjen e Komisionerit Evropian të Drejtësisë, Didier Reynders, i cili i dërgoi një letër ministrit të Drejtësisë spanjolle të mërkurën duke thënë se lajmi i amnistisë shkaktoi “shqetësim serioz”.

 

Marrëveshja e sotme midis Sanchez dhe Puigdemont i jep fund paralizës politike disamujore në Spanjë, e cila ka qenë pa një qeveri efektive që kur zgjedhjet përfunduan pa një fitues të qartë. Pritet që Sanchez t’i drejtohet parlamentit javën e ardhshme, pas së cilës do të jetë në gjendje të formojë një qeveri të re.

Marrëveshja e nënshkruar i hap rrugën Puigdemont që të kthehet në Spanjë nga mërgimi dhe potencialisht të forcojë fushatën për pavarësinë e Katalonisë. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco