Franca në nivel të lartë alarmi, dislokon 7000 ushtarë pas sulmit fatal në shkollë Policia e trazirave të CRS rrethon një zonë pranë shkollës së mesme Gambetta në Arras, Francë, më 13 tetor 2023

Franca në nivel të lartë alarmi, dislokon 7000 ushtarë pas sulmit fatal në shkollë

14:43, 14/10/2023
A+ Aa A-

Franca njoftoi të shtunën se do të vendosë 7,000 ushtarë pasi shpalli një alarm të nivelit të lartë pas goditjes me thikë të një mësuesi nga një person me origjinë çeçene, i cili gjithashtu plagosi rëndë tre të tjerë në një shkollë.

Sulmi ndodhi në qytetin verilindor të Arrasit, vend i një popullsie të madhe hebreje dhe myslimane.

Policia arrestoi sulmuesin e dyshuar, Mohammed Moguchkov, i cili kishte thirrur frazën arabe "Allahu Akbar!" (Zoti është më i madhi), sipas elementeve paraprake të hetimit.

Autoritetet kanë sugjeruar një lidhje të mundshme me dhunën e vazhdueshme në Lindjen e Mesme dhe me presidentin Emmanuel Macron që e denoncoi incidentin si një akt të "terrorit islamist".

Dislokimi i ushtarëve nga Operacioni Sentinelle do të përfundojë të hënën në mbrëmje, sipas pallatit presidencial Élysée.

Sentinelle është një operacion ushtarak francez me 10,000 ushtarë dhe 4,700 policë dhe xhandarë të vendosur që nga sulmet e janarit 2015 për të mbrojtur pjesët e vendit që konsiderohen të ndjeshme nga terrorizmi.

"Kjo shkollë u godit nga barbaria e terrorizmit islamik," tha Macron pas vizitës në shkollë, duke shtuar se viktima "ndoshta kishte shpëtuar shumë jetë" me guximin e tij për të ndalur sulmuesin.

Macron tha se një tjetër tentativë për sulm në një rajon tjetër ishte penguar nga forcat e sigurisë.

Sipas Ministrisë së Brendshme, Presidenti po i referohej arrestimit të një burri të "radikalizuar", i cili u arrestua duke lënë një sallë lutjesh në departamentin Yvelines (njësia administrative) pranë Parisit për mbajtjen e një arme të ndaluar.

Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin tha më vonë se kishte "ndoshta një lidhje midis asaj që po ndodh në Lindjen e Mesme dhe këtij incidenti" në Arras.

Franca ngriti nivelin e saj të gatishmërisë në pozicionin më të lartë pas një takimi të nivelit të lartë të  sigurisë të kryesuar nga Macron të premten, tha zyra e kryeministrit për AFP.

Gjithsej 10 persona janë vënë në paraburgim, tha një burim policor për AFP të shtunën.

Përveç sulmuesit të dyshuar, disa anëtarë të familjes së tij po mbahen pas goditjes me thikë të premten, tha burimi.

Dy bjellorusë ishin në mesin e të arrestuarve, tha një burim tjetër policor.

Prokurori Kombëtar i Antiterrorizmit njoftoi se ka hapur një hetim.

Sulmuesi Moguçkov, i cili është në të 20-at, është nga rajoni i Çeçenisë, kryesisht myslimanë të Kaukazit të Rusisë. Ai ishte tashmë në një regjistër kombëtar francez të njohur si "Fiche S" si një kërcënim i mundshëm i sigurisë, tha një burim policie për AFP, dhe nën mbikëqyrje elektronike dhe fizike nga agjencia e brendshme e inteligjencës franceze, DGSI.

"Terrorizmi ka goditur"

Viktima, një mësues frances, u godit me thikë në fyt dhe gjoks.

Në mesin e të plagosurve ishte një roje e sigurisë e shkollës, i cili u godit disa herë me thikë dhe po lufton për jetën e tij, dhe një mësues në gjendje më pak të rëndë, shtoi burimi.

Një pastruese u plagos gjithashtu, sipas prokurorit anti-terror Jean-François Ricard.

Asnjë nxënës në shkollë nuk u lëndua, tha një burim tjetër policor.

Sulmi vjen pothuajse tre vjet pas një dite pas prerjes së kokës më 16 tetor 2020 të mësuesit Samuel Paty, gjithashtu nga një burrë me origjinë çeçene, pranë shkollës së tij në një periferi të Parisit.

“Tre vjet pas vrasjes së Samuel Paty-t, terrorizmi ka goditur sërish një shkollë dhe në një kontekst që ne të gjithë e dimë”, tha Macron.

Policia thotë se vëllai 17-vjeçar i Moguchkov u ndalua pranë një shkolle tjetër.

Panik në shkollë

Nxënësit dhe mësuesit u kufizuan në ambientet e shkollës përpara se të liheshin jashtë pasdite.

Një kordon i madh sigurie u ngrit rreth shkollës ku ishin mbledhur prindërit, dhe policia, zjarrfikësit dhe shërbimet e urgjencës u vendosën, raportuan gazetarët e AFP.

Martin Dousseau, një mësues filozofie që ishte dëshmitar i sulmit, përshkroi një moment paniku gjatë pushimit, kur nxënësit e shkollës u gjendën ballë për ballë me njeriun e armatosur.

"Ai sulmoi stafin e mensës. Doja të zbrisja për të ndërhyrë, ai u kthye nga unë, më ndoqi dhe më pyeti nëse isha mësues historie dhe gjeografie," tha Dousseau.

“Ne u mbrojtëm, më pas mbërriti policia dhe e ndaloi atë”.

Franca ka vuajtur një seri sulmesh nga ekstremistët islamikë që nga viti 2015, duke përfshirë sulmet vetëvrasëse dhe me armë në nëntor 2015, të marra përsipër nga grupi Shteti Islamik (IS), në objektiva në Paris, ku u vranë 130 njerëz.

Vitet e fundit ka pasur një qetësi relative, megjithëse zyrtarët kanë paralajmëruar se kërcënimi mbetet.

Mbrojtje e shtuar

Macron tha në një fjalim drejtuar kombit të enjten se 582 objekte fetare dhe kulturore në Francë po marrin mbrojtje të shtuar policore pas sulmit nga Hamasi ndaj Izraelit.

Duke folur në Arras, ai ripohoi mesazhin e tij nga ajo adresë për francezët që të "qëndrojnë krah për krah" dhe "të qëndrojnë të bashkuar".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco