Australianët votojnë kundër njohjes së indigjenëve me kushtetutë

Australianët votojnë kundër njohjes së indigjenëve me kushtetutë

14:11, 14/10/2023
A+ Aa A-

Votuesit në Australi e kanë kundërshtuar të shtunën një propozim për ta ndryshuar kushtetutën e shtetit për t’i njohur indigjenët në këtë shtet.

Në referendum është kërkuar mbështetje për krijim të një trupi parlamentar që do ta këshillonte në të ardhmen qeverinë për çështjet që lidhen me këtë komunitet.

Për të bërë ndryshime kushtetuese është e nevojshme shumica dërrmuese.

Sipas Komisionit Zgjedhor Australian, kjo nënkupton që mbi 50 për qind e votave duhet të jenë për ndryshimet në katër prej gjashtë rajoneve kryesore australiane.

Pas 9.1 milionë votave të numëruara, nga 17.7 milionë në total, shpresat për krijim të shumicës janë shuar.

Sipas sondazheve 58 për qind e votuesve kanë votuar kundër ndryshimeve dhe 42 për qind kanë qenë për.

Kryeministri australian, Anthony Albanese, ka thënë se e respekton vendimin e popullit australian dhe procesin demokratik.

“Tani na takon neve të bëhemi bashkë dhe të gjejmë një mënyrë për pajtim. Jam optimist që mundemi dhe duhet ta gjejmë”.

Yes23 – emri i fushatës për njohje të indigjenëve me kushtetutë – ka thënë përmes një deklarate se rezultati nuk është ai që e ka pritur.

Në maj të vitit 1967 australianët kanë votuar për ta ndryshuar kushtetutën, ashtu që indigjenët të mund të konsiderohen pjesë e popullsisë australiane./REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco