Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Asociacion apo Kosova në KE

Rripi i Gazës dhe historia e tij

Rripi i Gazës dhe historia e tij

09:45, 11/10/2023
A+ Aa A-

Izraeli është në luftë me grupin militant palestinez Hamas.

Qindra civilë janë vrarë që kur sulmi i befasishëm i të shtunës solli një përshkallëzim të madh të konfliktit mes dy palëve dhe futi rajonin në kaos.

Teksa nga Izraeli vijnë imazhet dhe videot e shkatërrimit, shumë njerëz po shohin edhe dhunën në Rripin e Gazës, një nga territoret me popullsinë më të dendur dhe të varfër në botë.

Izraeli urdhëroi një rrethim të Rripit të Gazës të hënën. Ministri i mbrojtjes Joav Gallant tha se nuk do të kishte "energji elektrike, as ushqim, as karburant" për më shumë se 2 milionë palestinezë që jetojnë atje.

Ja çfarë duhet të dimë për Rripin e Gazës dhe historinë e tij deri në luftën aktuale mes Izraelit dhe Hamasit:

Çfarë është Rripi i Gazës?

Rripi i Gazës është një zonë e vogël në kufi me Izraelin dhe Egjiptin në Detin Mesdhe. Është një nga dy territoret palestineze. Territori tjetër është Cisjordania e pushtuar nga Izraeli, që përfshin Jeruzalemin lindor dhe kufizohet me Jordaninë dhe Detin e Vdekur.

Gaza ka qenë pjesë e Perandorisë Osmane para se të pushtohej nga Britania nga viti 1918 në 1948 dhe Egjipti nga viti 1948 në 1967. Thuajse 20 vjet pasi Izraeli u shpall shtet në vitin 1948, pushtoi Rripin e Gazës nga Egjipti dhe Cisjordaninë nga Jordania në luftën e vitit 1967. Palestinezët i quajnë të vetët këto territore dhe i shohin si pjesë të një shteti të ardhshëm.

Izraeli e ka kontrolluar Gazën për 38 vjet dhe ka ndërtuar 21 vendbanime hebreje në kët periudhë. Tensionet dhe dhuna vijuan për vite me radhë, duke përfshirë intifadën e parë, gati katër vite protesta, trazira dhe bombardime në territoret palestineze dhe Izrael për pushtimin izraelit të Rripit të Gazës dhe Cisjordanisë. Gjakderdhja bëri që kryeministri Jitzhak Rabin të thoshte në vitin 1992: "Do të doja që Gaza të fundoset në det, por kjo nuk do të ndodhë, ndaj duhet gjetur një zgjidhje".

Në vitin 1993, marrëveshjet e njohura si Akordet e Oslos mes Izraelit dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës synonin përmbushjen e "të drejtës së popullit palestinez për vetëvendosje". Në vitin 1994, palestinezët morën kontrollin si autoritet qeverisës i Gazës. Në vitin 2003, kryeministri Arial Sharon vuri një zbatim planin për të çmontuar vendbanimet izraelite në Rripin e Gazës.

Në vitin 2005, Izraeli hoqi dorë nga kontrolli i Rripit të Gazës nën presionin e brendshëm dhe ndërkombëtar dhe tërhoqi 9000 kolonë izraelitë dhe forca ushtarake nga Gaza.

Kush e qeveris Rripin e Gazës? Kur e mori Hamasi kontrollin?

Hamasi, një nga dy partitë kryesore politike në territoret palestineze, u përplas me liderët palestinezë kur po ndërmjetësoheshin Akordet e Oslos në vitet '90. Hamasi erdhi në pushtet në Gaza pasi fitoi zgjedhjet e vitit 2006. Që atëherë nuk janë mbajtur zgjedhje.

Çfarë është Hamasi dhe pse e sulmoi Izraelin tani?

Edhe pse Izraeli ka hequr dorë nga kontrolli i Rripit të Gazës, ai ka mbajtur një bllokadë tokësore, ajrore dhe detare në Gaza që nga viti 2007. Rezultati ka qenë i dëmshëm për palestinezët, saqë OKB-ja është shprehur në vitin 2009 se bllokada si nga Izraeli ashtu edhe nga Egjipti kishte shkatërruan jetesën dhe kishte frenuar zhvillimin gradual në Gaza. Për Izraelin, bllokada ka shërbyer për të ruajtur kontrollin e kufirit të Gazës, për të parandaluar Hamasin që të forcohet dhe për të mbrojtur izraelitët nga sulmet e raketave palestineze.

Bllokada është kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut dhe OKB-ja, që e konsiderojnë Gazën akoma nën pushtimin ushtarak izraelit. Sipas OKB-së, bllokada i ka kushtuar ekonomisë së territorit palestinez rreth 17 miliardë dollarë për afro një dekadë. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka shkuar më tej në vitet e fundit duke thënë se bllokada shkel Konventat e Gjenevës, pretendim që zyrtarët izraelitë e kanë kundërshtuar.

Çfarë do të thotë rrethimi i Rripit të Gazës?

Ministri i mbrojtjes së Izraelit i tha Komandës Jugore të hënën se do të kishte një "rrethim të plotë" të Rripit të Gazës në fazat e hershme të luftës, duke ndërprerë energjinë elektrike, ushqimin dhe karburantin.

Rripi i Gazës, me popullsi të dendur, varet shumë nga Izraeli për ujë, energji elektrike dhe ushqim, duke i dhënë bllokadës një ndikim të fortë. Importet kryesore për Gazën janë ushqimet, mallrat e konsumit dhe materiale ndërtimi që vijnë nga Izraeli dhe Egjipti, dy partnerët kryesorë tregtarë. Pjesa më e madhe e frutave dhe perimeve të freskëta të Gazës vijnë nga fermat në kufirit të saj me Izraelin. Gaza e merr edhe energjinë nga Izraeli. Enklava ka burime ujore nëntokësore, por shumë puse janë prishur nga ndotja dhe uji i kripur. Më shumë se 90% në ujëmbledhësin e vetëm të Gazës nuk është më i pijshëm.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha të hënën se ishte “shumë i shqetësuar” nga plani i Izraelit për të “nisur një rrethim të plotë të Rripit të Gazës”. Civilët palestinezë janë "të bllokuar dhe të pafuqishëm", u tha Guterres gazetarëve në Nju Jork, duke i bërë thirrje Izraelit të lejojë akses të vazhdueshëm për ndihmësit dhe furnizimet humanitare.

Sa njerëz jetojnë në Rripin e Gazës? Kush jeton atje?

Më shumë se 2 milionë njerëz jetojnë në Gaza, duke e bërë atë "një nga territoret me popullsi më të dendur në botë", sipas Gisha, një organizatë joqeveritare izraelite. Me rreth 225 kilometra katrorë, Rripi i Gazës është pak më shumë se dyfishi i madhësisë së Uashingtonit, por ka trefishin e popullsisë. Gaza është më e vogël se Cisjordania, që është rreth 5700 kilometra katrorë.

Popullsia e Gazës është jashtëzakonisht e re. Sipas UNICEF, në Rripin e Gazës jetojnë rreth 1 milion fëmijë, që do të thotë se pothuajse gjysma e njerëzve në Gaza janë fëmijë. Pothuajse 40% e popullsisë është nën moshën 15 vjeç, sipas CIA-s.

Më shumë se 1.4 milionë banorë të Rripit të Gazës janë refugjatë palestinezë, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë në lindjen e afërt (UNRWA).

Territori ka një nga normat më të larta të papunësisë në botë, sipas statistikave të Bankës Botërore, dhe OKB-ja vlerëson se afërsisht 80% e popullsisë mbështetet në ndihmën ndërkombëtare për të mbijetuar dhe për të pasur në shërbimet bazë.

"Për të paktën një dekadë e gjysmë, situata socio-ekonomike në Gaza ka qenë në rënie të vazhdueshme," thotë faqja e uebit të UNRWA-së. “Tani kanë mbetur shumë pak opsione për popullin e Gazës, që jetuar nën ndëshkimin kolektiv si rezultat i bllokadës që vazhdon të ketë një efekt shkatërrues si lëvizja e njerëzve në Rripin e Gazës, dhe aksesi në tregje mbetet tejet i kufizuar.”

Çfarë e bën Rripin e Gazës të brishtë?

Meqë qyteti i Gazës është më i populluar se Tel Avivi dhe qytetet e tjera të mëdha të  botës, si Londra dhe Shangai, kundërsulmet e synuara si ato që Izraeli ka nisur ditët e fundit kanë shumë gjasa të godasin civilët. Konfliktet e mëparshme kanë vrarë qindra fëmijë. Pasi më shumë se qindra izraelitë janë vrarë në sulmet e befasishme të Hamasit gjatë fundjavës, sipas mediave izraelite, një kundërsulm nga forcat izraelite në Gaza ka shkaktuar gjithashtu viktima të shumta civile, sipas Ministrisë vendase të Shëndetësisë, duke përfshirë të paktën dhjetëra fëmijë.

Kushtet e jetesës në Gaza janë të zymta: 95% e popullsisë nuk ka akses në ujë të pastër, sipas UNRWA-së, dhe shkëputjet e energjisë elektrike herë pas here kanë ndikim në jetën e njerëzve.

Të hënën, Guterres tha se rreth 137,000 njerëz të zhvendosur ishin strehuar në shkolla dhe objekte të administruara nga UNRWA-ja, agjencia e OKB-së për ndihmë për palestinezët.

Marrë nga Washington Post, përkthyer e përshtatur nga Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco