Rusia e dëshpëruar, kërkon ushtarë jashtë shtetit

Rusia e dëshpëruar, kërkon ushtarë jashtë shtetit

17:46, 09/09/2023
A+ Aa A-

Vdekja e Yevgeni Prigozhin, udhëheqësit të grupit Wagner, ka ngritur pikëpyetje të reja për fatin e mercenarëve, dy muaj pas përpjekjes së tyre të dështuar për kryengritje.

Vetëm 4% e mercenarëve i janë bashkuar ushtrisë ruse, 8000 të tjerë mbeten në Bjellorusi dhe ka më shumë se 5000 që veprojnë në Afrikë. Megjithatë, pyetja e vërtetë është se si Vladimir Putin do të rishpërndajë pjesët e këtij grupi dhe cilat do të jenë pasojat.

Aktualisht, Rusia po e përballon ‘operacionin special’ në Ukrainë me vështirësi dhe po përpiqet të rekrutojë ushtarë të rinj. Në fakt, Duma tashmë ka votuar pro shtyrjes së moshës së shërbimit ushtarak nga 27 në 30 vjeç.

Përveç kësaj, televizioni rus ka bërë programe intervistash me familjet e ushtarëve për të lavdëruar heroizmin e djemve, bashkëshortëve, nipërve dhe miqve të tyre që kanë dhënë jetën për vendin gjatë muajve të fundit. Sikur të mos mjaftonte kjo, Rusia po kërkon ushtarë edhe jashtë vendit.

Kremlini ka nisur një fushatë që synon të përdorë vendet fqinje si furnizuese ushtarësh. Me shterimin e një pjese të madhe të burimeve në vend, Moska ka propozuar kthimin e rinisë armene dhe kazake në mbrojtësit e ardhshëm të Rusisë. Për këtë, ajo ofron një pagesë fillestare prej 495,000 rubla (4 700 euro) dhe një pagë mujore duke filluar nga 190,000 rubla (1 800 euro), sipas Ministrisë Britanike të Mbrojtjes. Për më tepër, në funksion të zgjedhjeve presidenciale që do të zhvillohen vitin e ardhshëm, Putin ndjen presion të madh për të mos militarizuar më kot qytetarë rusë.

Të dielën e kaluar, presidenti i Këshillit të Sigurimit, Dmitri Medvedev, tregoi se Kremlini kishte rekrutuar rreth 280 000 njerëz që nga janari. Në fillim të gushtit, e njëjta shifër ishte 230 000, që mund të nënkuptojë se vetëm në gusht janë thirrur 50 000 persona.

Në të dy vendet, Armeni dhe Kazakistan, janë publikuar video që i bëjnë thirrje meshkujve për të bindur ‘djemtë’ e tyre të regjistrohen. Në një nga reklamat, një taksi, një roje sigurie dhe një trajner shihen duke ndryshuar uniformat e tyre për atë të ushtrisë ruse.

Megjithëse rekrutimi ka qenë më intensiv në Kazakistan, ku ka një prani të madhe të rusëve etnikë, shteti rus ka këmbëngulur për pjesëmarrjen e emigrantëve nga Azia Qendrore në operacionin special në Ukrainë. Këta luftëtarë të rinj për Rusinë mund të kenë probleme kur kthehen në vendet e tyre të origjinës, pasi qeveritë e tyre, që nga fillimi i luftës, kanë nxjerrë rregullore të ndryshme që dënojnë bashkëpunimin me Rusinë në operacionin e saj special. /A2

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco