VIDEO/ Misioni i parë i Indisë drejt Diellit/ BBC: Ja cili do jetë objektivi i tij

12:09, 02/09/2023
A+ Aa A-

Pak ditë pasi bëri histori, duke ulur të parën raketë në polin jugor të Hënës, India nis edhe një mision drejt Diellit.

Sipas BBC, raketa Aditya L1 u nis me sukses të shtunën. Ajo do të udhëtojë 1.5 milionë kilometra nga Toka- duke përshkruar 1 përqind të distancës drejt Diellit.

Pas katër muajsh udhëtim, Aditya L1 do vendoset pikërisht në pikën ku tërhiqen forcat gravitacionale të Tokës dhe Diellit. Pasi të vendoset në pikën e ‘parkimit’, ajo do rrotullohet rreth Diellit me të njëjtin ritëm si Toka. Kjo do të thotë se sateliti do të kërkojë shumë pak karburant për të funksionuar.

Aditya është pagëzuar sipas Perëndeshës Hindu të Diellit.

Sipas BBC, misioni do të kushtojë rreth 46 milionë dollarë.

Agjencia hapësinore indiane thotë se sateliti ka në bord shtatë instrumente specifike, të cilat do të vëzhgojnë disa prej shtresave të Diellit. Studimet do i ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë aktivitetin diellor, si erërat diellore dhe shpërthimet diellore, të cilat ndikojnë në Tokë.

Eksperti Mylswamy Annadurai, tha për BBC se Dielli ndikon vazhdimisht në motin e Tokës përmes rrezatimit, nxehtësisë dhe rrjedhjes së grimave dhe fushave magnetike. Në të njëjtën kohë, Dielli ndikon edhe në motin hapësinor.

“Moti në hapësirë luan një rol në mënyrën se si funksionojnë satelitët në mënyrë efektive. Erërat diellore dhe stuhitë mund të ndikojnë te elektronika e satelitëve, madje mund të rrëzojnë edhe burimet e tyre të energjisë. Por ka boshllëqe në njohuritë tona për motin hapësinor,” tha Annadurai për BBC.

Aditya do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë, madje edhe të na japë një paralajmërim për yllin, nga i cili varet jeta jonë, tha Annadurai.

“Njohuritë për aktivitetet e Diellit, si erërat diellore apo shpërthimet diellore, disa ditë përpara, do na ndihmojnë të largojmë satelitët tanë nga rruga e dëmshme. Kjo do na ndihmojë në rritjen e jetëgjatësisë së satelitëve tanë në hapësirë”.

Misioni, shton ai, mbi të gjitha do të ndihmojë në përmirësimin e të kuptuarit tonë shkencor për Diellin- yllin 4.5 miliardë vjeçar, që mban të bashkuar sistemin tonë diellor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco