Ndryshime në qeverinë britanike, Sunak emëron Shapps si ministrin e ri të Mbrojtjes

Ndryshime në qeverinë britanike, Sunak emëron Shapps si ministrin e ri të Mbrojtjes

16:54, 31/08/2023
A+ Aa A-

Në Britani, ish ministri i energjisë Grant Shapps u emërua ministër i Mbrojtjes duke zëvendësuar kreun e deritanishëm të mbrojtjes Ben Wallace, një lëvizje surprizë që rikonfirmon mbështetjen e Londrës për Ukrainën, ndërsa ngre pikëpytje mbi mungesën e përvojës ushtarake të zotit Shapps.

“Do të punoj me burrat dhe gratë e Forcave tona të Armatosura që mbrojnë sigurinë e vendit dhe do të vazhdoj mbështjetjen e Britanisë së Madhe ndaj Ukrainës ndërsa lufton kundër agresionit barbar të Putinit”, shkroi në rrjetin social X zoti Shapps, pasi qeveria njoftoi emërimin e tij.

Britania, një furnizuese kryesore për mbrojtjen e Ukrainës, po përpiqet të rrisë prodhimin e armëve, në përpjekje për të ndihmuar Kievin të zmbrapsë forcat ruse dhe të plotësojë rezervat e veta.

Moska ka dënuar ndihmën ushtarake të Britanisë për Ukrainën, duke thënë se po e zgjeron konfliktin.

Ministri i ri i Mbrojtjes, 54 vjeçari Grant Shapps vizitoi Keivin muajin e kaluar. Ndërkohë Ben Wallace konfirmoi dorëheqjen e tij si ministër i mbrojtjes në një letër dërguar kryeministrit Sunak ku i bënte atij thirrje që t’i konsiderojë përparësi shpenzimet për mbrojtjen.

Zoti Wallace, që ndihmoi Britaninë të udhëhiqte përgjigjen ndaj agresionit rus në Ukrainë, tha muajin e kaluar se donte të tërhiqej pas 4 vjetësh në këtë detyrë dhe të shihte për mundësi të tjera jashtë parlamentit./VOA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco