Presidenti i Koresë së Jugut thotë se samiti me SHBA dhe Japoninë është moment historik

Presidenti i Koresë së Jugut thotë se samiti me SHBA dhe Japoninë është moment historik

12:36, 15/08/2023
A+ Aa A-

Seul - Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol tha të martën se samiti i kësaj jave me liderët e Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë do të vendosë një moment historik të ri në bashkëpunimin trepalësh përballë kërcënimeve bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut në zhvillim.

Në një fjalim që shënonte përvjetorin e çlirimit të vendit të tij nga sundimi kolonial i Japonisë 1910-1945, Yoon theksoi nevojën për të rritur bashkëpunimin e sigurisë me Uashingtonin dhe Tokion, përmes mjeteve të zbulimit dhe shkëmbimit në kohë reale të të dhënave mbi armët dhe raketat bërthamore të Veriut.

Samiti "do të vendosë një moment historik të ri në bashkëpunimin trepalësh duke kontribuar për paqen dhe prosperitetin në gadishullin korean dhe në rajonin Indo Paqësor", tha Yoon.

Yoon do të takohet me Presidentin e SHBA Joe Biden dhe kryeministrin japonez Fumio Kishida në Camp David në Maryland të premten, ku ata do të nisin një sërë nismash të përbashkëta mbi teknologjinë, arsimin dhe mbrojtjen, thanë zyrtarë të lartë amerikanë.

Që prej marrjes së detyrës në maj 2022, Yoon ka kërkuar të përmirësojë marrëdhëniet me Tokion, të rrënuara nga grindjet mbi paditë e kompensimit të viktimave të punës së detyruar të Japonisë gjatë sundimit të saj kolonial.

Japonia thotë se çështja u zgjidh sipas një traktati të vitit 1965 që normalizoi marrëdhëniet, por lidhjet e tensionuara kanë penguar përpjekjet e udhëhequra nga SHBA për të forcuar bashkëpunimin trepalësh në frenimin e programeve të armëve të Koresë së Veriut.

Yoon ka ndërmarrë hapa për të kompensuar viktimat me paratë e Koresë së Jugut, në vend të fondeve japoneze, dhe vizitoi Tokion në mars në udhëtimin e parë të tillë nga një udhëheqës koreano-jugor në 12 vjet.

"Korea dhe Japonia janë tani partnerë që ndajnë vlera universale dhe ndjekin interesa të përbashkëta," tha Yoon në fjalim, duke u zotuar të nxisin shkëmbimet për çështjet e sigurisë dhe ekonomike.

Fjalimi nuk përmendi shqetësimet e sigurisë në lidhje me fuqitë e tjera të mëdha në rajon, përfshirë Kinën dhe Rusinë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco