Mnistrat e G20 nuk arrijnë dot marrëveshje për çështjet kryesore të klimës

Mnistrat e G20 nuk arrijnë dot marrëveshje për çështjet kryesore të klimës

14:36, 29/07/2023
A+ Aa A-

Indi - Ministrat e mjedisit dhe të klimës në botë ranë dakord për shumicën e çështjeve, por nuk arritën një konsensus për çështje të tilla si karburantet fosile, emetimet dhe taksat e karbonit.

Takimi përfundimtar i ministrave të klimës dhe mjedisit nga ekonomitë më të mëdha të botës përfundoi pa një marrëveshje apo deklaratë të përbashkët të premten, pavarësisht lutjeve nga figurat kryesore që kombet të shfaqen në një front të bashkuar ndaj ndryshimeve klimatike, ndërkohë që ekstremet e motit po prekin gjithë globin.

Në një mbledhje në Chennai të Indisë, ministrat nga Grupi i 20 vendeve – të cilat lëshojnë rreth 80% të gazeve të ngrohjes së planetit në botë – nuk ranë dakord për katër nga 68 pikat e diskutimit.

Një dokument i publikuar nga grupi tregon se vendet nuk ranë dakord për synimin për të arritur kulmin e emetimeve deri në vitin 2025, duke kaluar në energjinë e pastër ose një taksë mbi karbonin si një mënyrë për të reduktuar emetimet.

Ministri i tranzicionit ekologjik i Francës, Christophe Bechu tha se ishte "shumë i zhgënjyer":

"Ne nuk jemi në gjendje të arrijmë një marrëveshje për rritjen drastike të energjisë së rinovueshme, nuk jemi në gjendje të arrijmë një marrëveshje për heqjen ose eliminimin e karburanteve fosile, veçanërisht qymyrin, dhe është thjesht shumë e çuditshme të shohësh se çfarë ndodh jashtë këtij hoteli, kësaj G20-e në botën reale dhe duke parë vështirësitë, për të gjetur vetëm formulimin diplomatik për këto çështje mjedisore”.

Të tjerë thonë se gota është gjysmë e mbushur:

"Ne nuk mundëm të arrinim në konsensus, por ramë dakord për shumë," tha ministri kanadez i klimës Steven Guilbeault në një konferencë virtuale për shtyp pas takimit.

Vendimet e ministrave tani do t'u kalojnë liderëve të vendeve përpara një samiti në Nju Delhi në shtator të këtij viti. Do të jetë shansi i fundit i grupit për të nxjerrë një deklaratë të përbashkët mbi klimën këtë vit.

India, e prekshme nga pasojat klimatike

Bota aktualisht është ngrohur rreth 1.2 gradë Celsius që nga kohërat para-industriale dhe efektet tashmë janë duke u ndjerë në të gjithë botën, me Indinë veçanërisht të prekshme.

Në fillim të këtij viti, më shumë se 100 njerëz vdiqën gjatë një valë të nxehti në qendër të vendit dhe javën e kaluar të paktën 27 njerëz vdiqën në Indinë perëndimore për shkak të rrëshqitjeve të dheut të shkaktuara nga shirat e dendur.

Që kur India mori presidencën e G-20 dhjetorin e kaluar, asnjë nga takimet që kanë të bëjnë me fusha të ndryshme politike si punët e jashtme, financat, energjia dhe ndryshimet klimatike nuk ka dalë me një komunikatë të përbashkët, por njoftimet e tyre mund të jenë pjesë e një dokumenti përfundimtar për samitin e liderëve në shtator.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco