Tetë persona shpallen fajtorë për sulmet në Bruksel

Tetë persona shpallen fajtorë për sulmet në Bruksel

10:09, 26/07/2023
A+ Aa A-

Një gjykatë në Bruksel ka shpallur fajtorë gjashtë burra për vrasje dhe dy të tjerë për akuza për terrorizëm pas sulmeve vetëvrasëse me bombë që vranë 32 persona dhe plagosën më shumë se 300 në aeroport dhe një stacion metroje në 22 Mars 2016.

Sulmuesit janë pjesë e një celule belgo-franceze të grupit terrorist të Shtetit Islamik. Disa nga ata në gjyq ishin dënuar tashmë për pjesëmarrje në sulmet terroriste të Parisit.

Në mesin e të dënuarve është edhe Salah Abdeslam, i cili tashmë po vuan një dënim të përjetshëm në Francë për rolin e tij në sulmet terroriste të Parisit të vitit 2015, të cilat synuan teatrin Bataclan dhe stadiumin kombëtar të Francës, duke vrarë 130 njerëz dhe duke plagosur 350.

Abdeslam u arrestua disa ditë para shpërthimeve të Brukselit. Ai u largua nga Parisi për në Belgjikë pas sulmeve të vitit 2015 dhe mohoi përfshirjen në shpërthimet katër muaj më vonë. Por gjykata në Bruksel tani e ka dënuar atë për vrasje dhe tentativë vrasjeje edhe në Bruksel.

Një tjetër nga ata që tani janë shpallur fajtorë për të dy shpërthimet, Mohamed Abrini, u identifikua duke ikur nga aeroporti Zaventem. Ai u bë i njohur si “burri me kapelë” dhe ishte në mesin e një numri të dyshuarish të arrestuar në Bruksel disa javë më vonë. 

Ndryshe nga Abdeslam, Abrini kishte pranuar rolin e tij në sulme, duke rrëfyer se kishte përgatitur eksplozivët për bombardimet. Vendimet mbyllin një kapitull në gjyqin më të madh në historinë e Belgjikës, me më shumë se 900 paditës që morën pjesë në seancat që filluan në Dhjetorin e vitit të kaluar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco