Lajmi i fundit

SYRI I BOTËS/ Me moderatore Dori Daka

Pse turqit preferuan një autokrat të staxhionuar në vend të një demokrati të paprovuar

Pse turqit preferuan një autokrat të staxhionuar në vend të një demokrati të paprovuar

11:31, 29/05/2023
A+ Aa A-

Nga Orla Guerin, BBC News

Recep Tayyip Erdogan mund të ketë stonuar kur këndoi serenata para përkrahësve të tij, por kur vjen puna te lufta në zgjedhje, ai godet notat e duhura.

Ai e lexon elektoratin më mirë se anketuesit dhe analistët, të cilët menduan se mund të mposhtej nga opozita. Jo këtë herë.

Kundërshtari i tij, Kemal Kilicdaroglu, ishte vetëm 4 pikë përqindjeje pas tij. Pa dyshim që Presidenti Erdogan do të reflektojë për këtë sapo të nisë mandatin e tretë.

Ky vend anëtar strategjik i NATO-s ka zgjedhur rrugën e tij, me shumicën e votuesve që preferuan një autokrat të staxhionuar në vend të një demokrati të paprovuar, në formën e Kilicdaroglu.

Lideri i opozitës u paraqit në fushatë si Zotnia i Mirë, fillimisht duke premtuar një pranverë të re për Turqinë. Më pas devijoi nga e djathta, duke premtuar të kthente në shtëpi gjithë refugjatët. Kjo i siguroi pak përkrahje më tepër nga nacionalistët, por nuk mjaftoi.

Lideri islamik i Turqisë, Erdogan, ka një lidhje të fortë me ndjekësit e tij që shkon 20 vjet prapa. Shumë janë konservatorë fetarë si ai. Ata kanë ngecur me të, në të mirë e në të keq – dhe në hiperinflacion – duke i dhënë edhe pesë vjet të tjerë.

Pas njoftimit të rezultatit, rrugët e Ankarasë u shndërruan në një kaleidoskop flamujsh turq, buri makinash dhe përkrahës të Erdoganit në festë. Shumë u mblodhën para pallatit të tij presidencial, të rregulluar sipas dëshirës së Erdoganit, me mbi 1000 dhoma. Rivali i tij kishte premtuar ta vinte në përdorim publik.

“Jemi të bekuar që presidenti ynë do të na udhëheqë përsëri”, tha Hatixhe Duran, 50 vjeç, me një buzëqeshje të gjerë poshtë shamisë. “Nuk ka ndjenjë më të madhe se kjo. Le ta marrë vesh e gjithë bota. Ai është një lider që ka sfiduar gjithë botën dhe i ka dhënë mësim”.

Kjo është një pjesë kyç e mesazhit që ai ka dhënë: Erdogan është një lider i fortë, një sulltan i ditëve të sotme që nuk di të përulet.

Mesazhi i zgjedhjeve është që shumica këtu preferon një njeri të fortë para një njeriu të mirë.

Tani ai ka marrë më tepër krahë. Opozita është goditur keq, ndërsa Kremlini feston.

Ky ishte rezultati që dëshironte Vladimir Putin – ndaj nuk është çudi që ai ishte i pari që uroi liderin turk. Putin bëri çfarë mundi për ta çuar peshoren në favorin e tij, përfshirë shtyrjen e një pagese 600 milionë dollarë për gaz rus.

Erdogan hyri në garë me shumë avantazhe: kalitjen në beteja, lidhjen me njerëzit, si dhe kontrollin mbi 90% të medias.

Në fjalimin e fitores këmbënguli se “vetëm Turqia ishte fituese”, por nuk humbi kohë për të sulmuar opozitën dhe komunitetin LGBTQ.

Të dyja mund të vihen edhe më tepër në shënjestër tani dhe të drejtat e njeriut dhe fjala e lirë mund të bëjnë hapa pas në vitet e ardhshme. Ka pak ‘checks and balances’, dhe lideri jetëgjatë i Turqisë nuk njihet për vetëpërmbajtje.

Ata që donin ndryshim, thuajse 48% e votuesve, do të zhgënjehen e ndoshta edhe frikësohen.

Shumë parashikojnë më tepër besim fetar e më pak liri në jetën publike të kësaj republike sekulare që në tetor feston 100-vjetorin.

Turqia është tani një komb i ndarë me ekonomi trokë. Kritikët thonë se presidenti nuk ka zgjidhje për asnjërën.

Dhe çfarë do të thotë rezultati i zgjedhjeve për fqinjët e Turqisë dhe aleatët në NATO? Ata do të shohin me vëmendje, duke e ditur që Presidentit Erdogan shpesh i pëlqen të përmbysë rendin ekzistues botëror.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco