Pretendimet e Antony Blinken për ‘pafajësi’ i shtohen tufës së gënjeshtrave për Hunter Biden

Pretendimet e Antony Blinken për ‘pafajësi’ i shtohen tufës së gënjeshtrave për Hunter Biden

11:53, 03/05/2023
A+ Aa A-

Nga Jonathan Turley, New York Post

Sekretari i Shtetit Antony Blinken po pretendon versionin politik të ngjizjes së papërlyer.

Në një intervistë me Fox, Blinken thotë se nuk ka asnjë faj në krijimin e letrës së vitit 2020 nga ish-zyrtarë të inteligjencës që pretendonin se historia e laptopit të Hunter Biden ishte me shumë gjasa dezinformim rus.

Pavarësisht se organizatori kryesor i letrës e emëroi atë si këshilltarin e fushatës së Bidenit, i cili ngriti i pari pretendimin, Blinken këmbëngul se ai nuk ka asnjë mëkat.

Të gjithë nënshkruesit e letrës po mbajnë të njëjtin pozicion.

Askush nuk ka faj në një nga historitë false më të llogaritura të mbjella ndonjëherë në mes të një cikli zgjedhor.

Kjo do të ishte mjaft e vështirë për t'u besuar, por nuk është e vetmja gënjeshtër që Blinken akuzohet se ka thënë në lidhje me Hunter Biden.

Blinken po përballet edhe me pyetje në lidhje me deklaratat e dyshuara si të rreme të bëra në Kongres në lidhje me Hunter Biden.

Ai pretendon se nuk i ka dërguar asnjëherë email Hunterit, në një kohë që mesazhet në laptopin e djalit të presidentit tregojnë të kundërtën.

Le ta nisim nga letra.

Me median që ia krijon mundësinë, Joe Biden ishte në gjendje ta përdorte atë për të hedhur poshtë provat e shitjes së mundshme të influencës dhe të akteve kriminale në laptop.

Gjatë debatit presidencial, një Biden i inatosur citoi letrën që provonte se historia e laptopit ishte “gjepurë” dhe pjesë e një “plani rus”. Ai shtoi se “askush nuk beson” se historia e laptopit ishte e vërtetë.

Media dhe kompanitë e mediave sociale më pas e varrosën historinë, përfshirë Twitter që e ndaloi diskutimin për të përpara zgjedhjeve.

Në zgjedhjet me rezultat të ngushtë, historia e rreme funksionoi në mohimin e një skandali të dëmshëm korrupsioni që përfshin miliona dollarë nga burime të huaja, përfshirë disa figura të lidhura me inteligjencën e huaj.

Pas marrjes së Dhomës së Përfaqësuesve nga Republikanët, ish-drejtori në detyrë i CIA-s, Michael Morrell, u thirr para Kongresit për të dhënë një deklaratë.

Kur u pyet se si erdhi kjo letër, Morrell u përgjigj pa hezitim: Blinken.

Ai tha se Blinken ishte “shtysa” pas pretendimit të rremë.

Morrell më pas organizoi dhjetëra ish-zyrtarë të sigurisë kombëtare që të nënshkruanin letrën me pretendimin se historia e laptopit të Hunterit kishte “të gjitha shenjat klasike të një operacioni informacioni rus”.

Të hënën, Blinken i tha korrespondentit të Fox News në Departamentin e Shtetit, Benjamin Hall, se “në lidhje me atë letër, nuk e bëra – nuk ishte ideja ime, nuk e kërkova, nuk e porosita. Dhe mendoj se dëshmia që dha ish-zëvendësdrejtori i CIA-s, Mike Morell, e konfirmon këtë”.

Morell e quajti atë si “nxitësi” i letrës. Pra, ndoshta Blinken po përpiqet të bëjë lojëra fjalësh, me “nxitës” si e kundërta e “porositës”. Morrell nuk dukej se kishte ndonjë dyshim apo hezitim pasi foli me Blinken dhe mblodhi shpejt një grup ekspertësh për të bërë pretendimin e rremë. Morell pranoi në Kongres se një nga qëllimet e tij ishte “të ndihmonte zëvendëspresidentin e atëhershëm Biden në debat dhe në fitoren e zgjedhjeve”.

Pra, del se askush nuk ka faj. As “nxitësi”, as organizatori, as nënshkruesit, as media. Ndoshta është faji i publikut që e hëngri mashtrimin.

Blinken po përballet me një pyetje më serioze të bërë nga senatori Ron Johnson (PR-Wisconsin), i cili deklaroi se Blinken gënjeu “pa iu dridhur qerpiku” kur dëshmoi nën betim në Kongres në vitin 2020 për polemikën. Johnson tha se Blinken deklaroi se nuk i kishte nisur asnjë email Hunter Bidenit.

Megjithatë, kohët e fundit u zbuluan emailet mes djalit të presidentit dhe Blinken. Ato tregojnë se të dy kishin komunikim më 2015, kur Blinken punonte në administratën e Obamës dhe Hunter ishte në bordin e firmës ukrainase të energjisë Burisma.

Johnson deklaroi në “Sunday Morning Futures” në Fox se “ne e dimë që ai gënjeu pa i lëvizur muskuli para Kongresit se nuk i kishte nisur asnjë email Hunter Bidenit. Mendoj se ai tha edhe një mori gënjeshtrash të tjera”.

Ka edhe emaile që sugjerojnë se Hunter ka komunikuar përmes gruas së Blinkenit, Evan Ryan, e cila tani shërben si sekretare e kabinetit të Joe Biden.

Na duhen edhe më tepër detaje mbi faktet themelore, por, nëse janë të vërteta, akuzat mund të përbëjnë vepra penale dhe të dënueshme. Blinken thuhet se i bëri këto deklarata si pjesë e procesit që çon në konfirmimin e tij. Nëse gënjeu, kjo mund të përbëjë një “deklaratë ose përfaqësim materialisht të rremë, fiktiv ose mashtrues" në Kongres, sipas kodit penal të SHBA, 18 US 1001.

Nëse Blinken ka gënjyer ose ka dhënë dëshmi të rreme, kjo përbën një vepër për të cilën mund të ngrihet akuzë. Një çështje e ndërlikuar është se teknikisht kjo nuk ndodhi gjatë kohës që ishte në detyrë, por teksa synonte të merrte atë detyrë. Për më tepër, mund të ketë deklarata të tjera që kur u bë Sekretar i Shtetit.

Natyrisht, gjatë fajësimit të Clinton, u ngrit çështja nëse dëshmia e rreme përbën vepër për të cilin mund të ngrihet padi. Kur kam dëshmuar në seancën e fajësimit, deklarova se ajo përmbush qartë standardin e një “krimi të lartë dhe kundërvajtje”. Sipas mendimit tim, nuk kishte rëndësi tema.

Të tjerë, si profesori i Harvardit, Laurence Tribe, ishin po aq të sigurt se dëshmia e rreme nuk e përmbushte atë standard në çështjen Clinton.

Fakti është se kabineti dhe zyrtarët e rangut të lartë janë akuzuar shpesh për deklarata të rreme pa u përballur me fajësim apo ndjekjen penale.

Për ironi, letra përfshin një shembull të dukshëm.

Ish-Drejtori i Inteligjencës Kombëtare gjatë administratës Obama, James Clapper, u akuzua për dëshmi të rreme para Senatit, por nuk u sanksionua nga Senati i kontrolluar nga Demokratët ose Departamenti i Drejtësisë i Obamës.

Më pas ai firmosi letrën për Hunter Biden.

Kjo histori mund të jetë inkurajuese për Blinken.

Sidoqoftë, pavarësisht rezultatit, Blinken duhet të japë disa shpjegime dhe një gjë është e qartë: Nuk ka asgjë të papërlyer rreth skandalit të Hunter Biden.

*Jonathan Turley është avokat dhe profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin George Washington

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco