Zelenskyy viziton Poloninë, takim me udhëheqësit e vendit fqinj

Zelenskyy viziton Poloninë, takim me udhëheqësit e vendit fqinj

17:36, 05/04/2023
A+ Aa A-

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy po qëndron për një vizitë zyrtare në Poloni për të falënderuar vendin fqinj për mbështetjen e dhënë pas nisjes së agresionit rus.

Zyrtarët polakë thanë se bisedimet e zotit Zelenksyy me Presidentin Andrzej Duda u përqendruan tek konflikti në Ukrainë dhe bashkëpunimi e mbështetja ndërkombëtare për Kievin. Zoti Zelenkyy takohet edhe me kryeministrin polak dhe me refugjatët ukrainas që u larguan drejt Polonisë pas sulmit nga Rusia.

Vizita e zotit Zelenskyy në Varshavë ishte njoftuar paraprakisht, ndryshe nga udhëtimet e tij të tjera, të paparalajmëruara në Shtetet e Bashkuara, Francë dhe Belgjikë. Një zyrtar polak tha se kjo ishte hera e parë që Presidenti udhëtoi jashtë vendit së bashku me zonjën e pare Olena Zelenska, që prej nisjes së sulmit nga Rusia në shkurt të vitit të shkuar.

Polonia ka qenë një aleat kyç për Ukrainën pas sulmit nga Rusia. Sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët rreth 1,5 milionë refugjatë ukrainës janë regjistruar për të siguruar statusin e mbrojtjes së përkohshme në Poloni. Polonia ka shërbyer gjithashtu si qendër kryesore për shpërndarjen e ndihmave humanitare dhe ushtarake që vendet partnere kanë dërguar për Ukrainën.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara njoftuan një paketë të re ndihme ushtarake prej 2.6 miliardë dollarësh për Ukrainën që përfshin armatime për sistemet e mbrojtjes ajrore ‘Patriot’.

Në fjalimin e përnatshëm të mërkurën, para vizitës në Poloni, presidenti Zelenskyy falënderoi presidentin Joe Biden, Kongresin dhe popullin amerikan për ofrimin e kësaj ndihme. /VOA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco