Kushte të vështira për armenët e bllokuar në Nagorno-Karabak

Kushte të vështira për armenët e bllokuar në Nagorno-Karabak

21:08, 16/02/2023
A+ Aa A-

 

Për mbi shtatë javë, rreth 120 mijë armenë në Nagorno-Karabak nuk kanë qasje tek bota e jashtme. Që nga 12 dhjetori, rruga e vetme për të hyrë dhe për të dalë në rajon, e njohur si Korridori Lachin, është mbyllur.

Hasmik Muradyan u largua së bashku më fëmijën e saj në moshë të vogël nga rajoni Hadrut i Nagorno-Karabakut, për shkak të luftës së vitit 2020.

“Herën e fundit që kam blerë diçka, ishte me kupona: vajin, miellin, orizin, sheqerin. E pjek bukën në furrën e druve, pasi nuk kemi më gaz”, thotë zonja Muradyan.

Pjesa më e madhe e rajonit, e banuar ekskluzivisht nga armenë, kaloi nën kontrollin e Azerbajxhanit pas luftës një-mujore në vitin 2020. Që nga ajo kohë, Azerbajxhani ka ndërprerë herë pas here lëvizjen e lirë përgjatë Korridorit Lachin.

Por që nga 12 dhjetori, një grup civilësh nga Azerbajxhani, që e përshkruajnë veten “eko-aktivistë”, bllokuan rrugën duke penguar edhe paqeruajtësit rusë.

Në bisedimet me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev këmbënguli se rruga vazhdon të jetë e hapur.

Por, Sekretari Blinken i bëri thirrje Presidentit Aliyev të rihapë Korridorin Lachin duke theksuar rrezikun e një krize humanitare në këtë zonë. Departamenti i Shtetit thotë se situata ka fashitur shpresat për një paqe të qëndrueshme mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Për momentin, situata në Korridorin Lachin është bërë një pengesë për procesin e paqes. Kjo është arsyeja që krahas shqetësimit për situatën humanitare, po bëjmë përpjekje për rihapjen e menjëhershme të këtij korridori”, thotë Karen Donfried, Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë.

Më 19 janar, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë ku i bëhet thirrje Azerbajxhanit të rihapë menjëherë Korridorin Lachin.

Por sidoqoftë bllokada vazhdon. Shkollat dhe kopshtet qëndrojnë të mbyllura që më 18 dhjetor, pasi nuk ka më gaz për ngrohjen e mjediseve.

“Nuk i mbanim dot fëmijët këtu pasi dhomat janë të ftohta”, thotë Anahit Danielyan, drejtorja e kopshtit të fëmijëve “Askeran”.

Kryqi i Kuq po punon për të transferuar pacientët e sëmurë rëndë nga Nagorno-Karabaku drejt Armenisë. Ndërkaq ka mungesa në ushqime dhe medikamente.

“Jemi shtruar dy herë në spital brenda një muaji. Drita nuk ka. Gaz nuk ka. Është shumë e vështirë. Qumështi pluhur për bebet nuk gjendet më në farmaci”, thotë zonja Muradyan.

120 mijë banorët në rajon që kanë nevojë për furnizime me mallra bazë, pyesin veten se kur do t’i jepet fund kësaj bllokade. /VOA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco