Perëndimi ende nuk po ndihmon mjaftueshëm për të mundur Putinin

Perëndimi ende nuk po ndihmon mjaftueshëm për të mundur Putinin

16:06, 01/10/2022 Nga Niall Ferguson
A+ Aa A-

Pas kthimit nga një udhëtim mbresëlënës në Ukrainë, ku takova Zelenskin dhe pashë ukrainasit e ashpërsuar nga lufta.

Nga Niall Ferguson

Si historian, kam shkruar shpesh për idenë e një “kombi në armë”. Shtetet e Bashkuara u krijua jo vetëm nga Deklarata e Pavarësisë, por nga fitorja e saj – pas një lufte tetëvjeçare – mbi kundër Mbretit George III. Ishin luftërat revolucionare nga 1793 deri në 1815 ato që i kthyen “fshatarët në francezë”, siç thotë një shprehje e vjetër.

Edhe Italia e Gjermania moderne u bënë kombe përmes luftërave të përgjakshme. E ndërsa identiteti kombëtar britanik ishte farkëtuar në kohë shumë më të hershme, ne ende e përkufizojmë veten pjesërisht në mënyrë luftarake. Sa herë që këndojmë himnin kombëtar, për shembull, i kërkojmë Zotit që të na dërgojë një monark jo vetëm të lumtur e të lavdishëm, por para së gjithash fitimtar.

E megjithatë, me zvogëlimin e përmasave fizike të ushtrive moderne dhe me luftërat e fundit të zhvilluara në vende të largëta si Iraku dhe Afganistani, ne jemi larguar nga përvoja e një lufte popullore, në të cilën të gjithë marrin pjesë, të gjithë bëjnë sakrifica.

Ukraina ka provuar se një luftë e tillë ende ekziston. Dhe e kam parë me sytë e mi. Kam shkuar në Ukrainë çdo vit prej më shumë se një dekade për të marrë pjesë në konferencën e Strategjisë Evropiane në Jaltë – kryesisht një forum për debatin Perëndim-Ukrainë dhe për politikëbërjen.

Në fillim, shkova thjesht për të parë Jaltën, resortin e famshëm buzë Detit të Zi, ku Churchill, Roosevelt dhe Stalin u takuan në shkurt 1945 për të vendosur formën e Evropës së pasluftës.

Por shpejt u magjepsa nga Ukraina: asnjë popull në botë nuk provoi më tepër dhunë vdekjeprurëse të organizuar në shekullin e 20-të; asnjë tokë nuk ka qenë kaq e lagur me gjak.

Që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, konferenca është mbajtur në Kiev. Sivjet, nuk e prisja kurrë që të vazhdonte. Por për habinë – edhe kënaqësinë – time, më erdhi ftesa si zakonisht.

Problemi i vetëm: të shkosh në Kiev nuk është më gjë e lehtë.

Fluturimet civile janë shumë të rrezikshme – lufta po bëhet në qiell ashtu si në tokë. Kështu që e vetmja mënyrë për të hyrë ishte me tren, natën, përmes kufirit polak, me blindat e dritareve të ulura detyrimisht poshtë për të zvogëluar zbulimin nga ajri.

Dhe kështu u bë, pak më shumë se dy javë më parë, nisa udhëtimin duke kaluar ngadalë nëpër perëndimin e këtij vendi të shkatërruar nga lufta drejt kryeqytetit.

Shoqëria ukrainase dikur ka qenë thellësisht e ndarë – politika e saj është famëkeqe për korrupsionin, presidenti i saj është një ish-komedian, ngjitja në pushtet e të cilit ishte bërja realitet e subjektit të një seriali komik ku ka luajtur.

Megjithatë, invazioni rus shtatë muaj më parë jo vetëm që e ka kthyer atë president, Volodimir Zelenskin, në një udhëheqës heroik e karizmatik lufte, por, më e rëndësishmja, e bashkoi popullin ukrainas. Ushtarët dhe civilët janë njësoj në vendosmërinë e tyre për të mbrojtur pavarësinë dhe demokracinë e vendit të tyre.

Dhe, siç zbulova, Kievi është Ukraina në mënyrën më të bashkuar – një qytet që gumëzhin me shumë më tepër gjallëri nga sa do mund të guxohej në kohë të tilla.

Beteja e Kievit, natyrisht, u luftua dhe u fitua në fazën e parë të luftës. Luftimet tani janë përqendruar në jug, rreth Kherson dhe lindje, përtej Harkovit.

Dje, pas “fitoreve” në referendumet farsë këtë javë, Presidenti Putin nënshkroi dekretet që aneksonin katër prej këtyre zonave në përshkallëzimin e tij të fundit të dëshpëruar, edhe teksa ushtria e tij po vuan në mbajtjen e kontrollit të tyre.

Në kontrastt, qendra e Kievit duket pothuajse normale. Por nëse shkon drejt verilindjes, në periferitë e Irpin, Buça e Hostomel, do të shohësh urat e hedhura në erë, shtëpitë e shkatërruara dhe mjetet të blinduara ruse të djegura.

Ushtarët ukrainas këtu i quajnë invazorët “orkë” (ushtarët e Sauronit në trilogjinë Zoti i unazave). Do ta merrni vesh pse.

Jam tronditur nga memoriali i thjeshtë për viktimat e krimeve të luftës, të varrosur pranë kishës së Gjithë Shenjtorëve në Buça. Vetëm gjashtë muaj më parë ata varrosën këtu më shumë se 60 viktima – shumë prej tyre civilë të ekzekutuar me gjakftohtësi nga skuadrat e vdekjes në mars.

Aeroporti Antonov aty pranë ishte vendi ku forcat ajrore elitë ruse zbarkuan për herë të parë. Plagët e betejës së ashpër që pasoi janë të dukshme, përfshirë karkatën e atij që dikur ishte avioni më i madh në botë, AN-22, i njohur si “Mrija” (ëndërr) në gjuhën ukrainase.

E pranoj, kishte diçka emocionuese në udhëtimin me tren drejt Kievit një natë më parë. Buça ma prishi humorin dhe më përgatiti për mesazhin e zymtë në fjalimin e hapjes së konferencës nga Presidenti Zelenski se “dimri i pakënaqësisë” po afrohej me shpejtësi, jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë Evropën.

E kisha takuar Zelenskin më parë – pesë muaj pas zgjedhjes së tij befasuese në prill 2019. Më pëlqeu. “Trupvogël por energjik”, shkrova në atë kohë.

Gjatë drekës, më tregoi me humor se kohët e fundit kishte pasur “një telefonatë shumë të çuditshme”. (Telefonata e Donald Trump, në të cilën Trump thuhet se i premtoi të shkrijë ndihmën ushtarake në këmbim të një hetimi të rivalit të tij politik Joe Biden dhe marrëdhënieve të biznesit të djalit të tij Hunter në Ukrainë, e cila u bë publike dhjetë ditë më vonë)

Më vonë, në një kabare të jashtëzakonshme pas darkës, Zelenski doli në skenë me tre aktorë nga seriali i tij i vjetër.

Ai president naiv tashmë është zëvendësuar tërësisht nga lideri i luftës, i cili më 24 shkurt vendosi të qëndronte e të luftonte – me fjalët e pavdekshme: “Më duhen municione, jo biletë udhëtimi”.

Në epokën kur bota demokratike është mësuar me lidership të rremë, takimi me një lider të vërtetë është tronditës.

Zelenski e rrezaton vullnetin për të fituar. Zëngjirur, i parruar, i pagjumë, ai nuk mendon më të argëtojë. Qëllimi i tij i vetëm është të arrijë fitoren. “Nuk ka rrugëdalje veç fitoresh”, tha në fjalimin në Kiev. “Nëse brezi ynë nuk arrin ta fitojë këtë luftë shkatërrimtare gjatë jetës sonë, ajo do të vazhdojë ende. Shoqëria nuk dëshiron të ketë të bëjë me terroristë”.

Zelenski e meriton famën që ka. Por Ukraina nuk do t'i zmbrapste orkët në Mordor nëse edhe populli ukrainas nuk do të ishte ngritur në lartësinë e duhur për këtë sfidë historike.

Një i ri biond erdhi e më takoi në konferencë.

“Më mban mend nga vjet?”, më pyeti. “Isha student. Tani jam ushtar”. Kishte një buzëqeshje nga veshi në vesh, dukshëm krenar për shndërrimin.

Andrij Yermak, i cili drejton Zyrën e Presidentit, dikur ishte producent filmash. Tani, teksa u bën thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve që ta quajnë qeverinë ruse një sponsor shtetëror të terrorizmit, tingëllon më tepër si një prokuror në gjyqin e Nurembergut.

Dikush iu drejtua Ministrit të Mbrojtjes të Ukrainës, Aleksij Reznikov, me fjalën “Gjeneral”. “Në fakt, jam jurist”, erdhi përgjigjja me humor.

Por jo të gjitha transformimet e luftës janë gjëra për të qeshur. Takova Ivan Fedorov, ish-kryebashkiaku i qytetit jugor Melitopol, të cilën rusët e kapën rob dhe ia nënshtruan abuzimit psikologjik në fillim të marsit.

Fola edhe me Masi Najem, një avokat i kthyer në parashutist që shërbeu në Donbas pas pushtimit të vitit 2014. Sivjet u kthye sërish në front. Në qershor mori një plagë të rëndë në kokë dhe fraktura të shumta. Por, megjithëse dukej i dobët, ai qëndroi dhe foli me vendosmëri, duke u bërë thirrje bashkëkombësve të tij ukrainas – dhe botës – të mos harrojnë heronjtë e shumtë të plagosur të kësaj lufte.

A mund të fitojnë? Ndoshta.

Por nuk është aspak e sigurt. Sepse luftërat nuk fitohen vetëm me heroizëm – siç më është bërë e qartë nga pothuajse të gjithë ata me të cilët fola gjatë vizitës sime. Mesazhi i tyre i bënte jehonë mesazhit të Churchillit drejtuar Shteteve të Bashkuara në shkurt 1941: “Na jepni mjetet dhe ne do ta përfundojmë punën”.

Lufta moderne është në shumë mënyra vazhdimi i ekonomisë me mjete të tjera. Mbi këtë bazë, Rusia do të dukej e destinuar ta mposhtte Ukrainën, herët a vonë. Ka territor 28 herë më të madh; popullsi 3.3 herë më të madhe; dhe, më e rëndësishmja, ekonomi nëntë herë më e madhe.

Dhe, ndonëse të rënda, sanksionet perëndimore nuk bëjnë asgjë për të ndryshuar faktin se Rusia ka ende të ardhura të konsiderueshme (nëse reduktohen) nga eksporti i gazit dhe naftës së saj, ndërsa Ukraina mbetet shumë e varur nga ndihma ekonomike dhe ushtarake perëndimore.

Por madhësia nuk është gjithçka. 13 koloni amerikane mposhtën Perandorinë Britanike. Vietnami i Veriut mundi SHBA, Bashkimi Sovjetik nuk mund të fitonte në Afganistan. Perandoritë bien dhe vendet e reja çlirohen kur popujt e tyre luftojnë të bashkuar. Kjo është arsyeja pse kanë mbetur vetëm pak perandori.

Gjatë vizitës sime, forcat ukrainase bënë përparime mahnitëse – dhe tani ekziston një skenar shumë real në të cilin pozicioni rus zbërthehet më tej. E tyrja është një ushtri kryesisht koloniale, batalionet e saj më të mira janë zbrazur rëndë nga gjashtë muaj luftë shumë shkatërruese, rreshtat po mbushen ndadalë nga rekrutë të pastërvitur nga provincat e varfra lindore.

Morali është i ulët. Ushtri të tilla mund të sillen në një pikë kthese nëse ndeshen me kundërshtarë të armatosur mirë, të organizuar dhe të motivuar.

Atëherë pyetja që lind është se çfarë do të ndizte te Putin kolapsi rus? A do të rrezikonte përgjigjen e NATO-s duke u kthyer te armët bërthamore taktike?

As amerikanët, as evropianët nuk duan ta nxitin këtë, ndaj dyshoj se ndihma perëndimore për Ukrainën do të vazhdojë në nivelin aktual, duke siguruar që lufta të zvarritet. Shumë mund të kujtojnë se Lufta e Koresë, lufta e parë “e nxehtë” e Luftës së Ftohtë, zgjati tre vjet dhe përfundoi vetëm me një armëpushim, jo ​​me paqe përfundimtare.

Problemi, megjithatë, është se Ukraina mund të mos i rezistojë një lufte kaq të gjatë.

Ushtria e saj mund të jetë duke fituar tani për tani, por ekonomia po humbet. Siç është tipike në një luftë të këtij lloji, vendi i pushtuar ka pësuar një rënie të madhe të prodhimit thjesht sepse toka dhe kapacitetet prodhuese janë vjedhur ose shkatërruar. Marrja e territorit nga Putini këtë javë përfshin një zonë me madhësinë e Portugalisë.

Në të njëjtën kohë, një e treta e ukrainasve janë zhvendosur nga lufta; më shumë se 6.8 milionë janë larguar nga vendi dhe pjesa tjetër janë zhvendosur brenda vendit. Një pjesë e madhe kanë humbur punën, shtëpitë – jetën e tyre.

GDP e Ukrainës u tkurr me 15.1 për qind në tremujorin e parë të 2022. Në të dytin, u tkurr me 37 për qind. Papunësia është në nivelet e Depresionit të Madh. Inflacioni, i cili e filloi vitin me 10 për qind, tani është në 24 për qind dhe në rritje.

Prandaj, nëse SHBA dhe Evropa duan një fitore të Ukrainës, nuk ka rrugë tjetër veç rritjes së menjëhershme të mbështetjes – pavarësisht rrethanave të vështira ekonomike në të cilat gjendemi edhe vetë.

Qeveria e Kievit ka nevojë për reduktim të deficitit buxhetor. Banka qendrore ka nevojë për ndihmë në shmangien e inflacionit që ka marrë vrapin. Perëndimi duhet të rrisë edhe furnizimin me armë – veçanërisht me tanke e mjeteve të tjera të blinduara, si dhe mbrojtjen ajrore, e cilat tani është nën kërcënimin e rritur për shkak të dronëve iranianë të blerë së fundmi nga Rusia.

Deri tani, Perëndimi i ka dhënë Zelenskit dhe popullit të tij të guximshëm mbështetje të mjaftueshme ushtarake dhe ekonomike për të shmangur humbjen. Por nuk po u japim ende mjaftueshëm për të fituar – dhe dritarja për fitore nuk është pafundësisht hapur.

“Pavarësisht se sa ndihmë na jepni”, na u drejtua Zelenski në Kiev, “nuk do të jetë kurrë e mjaftueshme”.

Ndërsa kthehesha drejt Polonisë, e dija se e kisha gjetur atë që kisha ardhur për të kërkuar: një komb të tërë nën armë. Pas tre shekujsh nënshtrim ndaj imperializmit rus, Ukraina tani është e bashkuar nën vendosmërinë për të qenë e lirë dhe vetëqeverisëse, që është aq e fortë sa që i besoj kur thonë se nuk do të dorëzohen kurrë.

E vetmja pyetje që mbetet është nëse Perëndimi është i gatshëm të bëjë atë që duhet për t'i ndihmuar të fitojnë atë luftë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco