Misteri i dashnoreve të Vladimir Putin

Misteri i dashnoreve të Vladimir Putin

13:08, 12/10/2021
A+ Aa A-

Nga Owen Matthews, Spectator

Ka një gjë të çuditshme në Instagramin e 18-vjeçares Luiza Rozova. Aty mund të shohësh foto të mëngjeseve të saj (fruta ekzotike në pjata me formë zemre), selfie me bikini dhe foto nga apartamenti i saj në Paris, këpucët e reja dhe udhëtimet në Luvër (e maskuar rëndë). Por nuk do e shihni kurrë fytyrën e saj. Nëse kontrollon imazhet e saj përpara se të pastronte profilin, e kupton qartë pse. Luiza- e lindur Elizaveta Vladimirnovna Kirvonogykh- ka një ngjashmëri të habitshme me Vladimir Putinin.

E njëjta histori edhe me nënën e saj, Sveltana Krivonogykh. Faqet sociale të biondes 46-vjeçare dikur ishin plot me fotot e saj në helikopter dhe me pamje spektakolare nga ballkoni i një apartamenti që sheh nga Porti i Vjetër i Monakos. Të gjitha këto u zhdukën nëntorin e shkuar, kur portali investigativ proekt.ru publikoi një shkrim ku thuhej se Svetlana ka qenë e dashura e Putinit dhe së bashku kanë një fëmijë jashtëmartesor- Elizaveta- e lindur në vitin 2003.

Krivonogikh punonte si pastruese në një dyqan në Leningrad si adoleshente përpara se të shkonte në universitet, ku sipas hetimit të proekt.ru, u përfshi në mënyrë romantike me Putinin në fillim të viteve ’90, në kohën kur ai ishte nënkryetar i bashkisë së Shën Petersburgut. Zëdhënësi i Putinit i hodhi poshtë akuzat si të pabazuara në fakte.

Themeluesi i portalit Proekt, Roman Badanin u etiketua si agjent i huaj dhe faqja e tij u mbyll. Pak më vonë, lideri i burgosur i opozitës, Alexei Navalny publikoi një video ku detajonte një rrjet kompleks kontratash, ku një seri qirash false nga kompani shtetërore përfundonin në llogaritë offshore të hapura në pronësi të Svetlana dhe Elizaveta Krivonogykh, si dhe anëtarë të tjerë të familjes së zgjeruar të Putin, mes tyre dhe miq fëmijërie dhe shkolle. Videoja e Navalnit u pa mbi 100 milionë herë, edhe pse historia nuk u raportua thuajse fare nga mediat zyrtare të Rusisë.

Javën e shkuar, dokumentet e njohura si ‘Pandora Papers’ zbuluan se Svetlana kishte blerë një apartament luksoz prej 4 milionë dollarësh në katin e katërt të një blloku apartamentesh në Monaku, duke përdorur një kompani guaskë offshore në Ishujt e Virgjër Britanikë, të krijuar vetëm pak javë pasi lindi vajzën e saj. Dokumentet e rrjedhura tregojnë po ashtu se vlera e përgjithshme e pasurisë së Krivonogykh shkon mbi 100 milionë dollarë. Në shumicën e vendeve, të tilla akuza për seks, para dhe pushtet do të ishin çështje kryesore e debatit kombëtar. Por jo në Rusi. Pse?

E para dhe më kryesorja, Putin ka qenë gjithmonë i fiksuar për të ruajtur fshehtësinë e jetës së tij personale- aq shumë sa nuk e ka pranuar asnjëherë as publikisht identitetin e vajzave të tij të ligjshme, gjeneticienes 36-vjeçare Maria Vorontsova dhe matematikanes Katerina Tikhonova. Edhe shtypi opozitar, që shkruan rregullisht për korrupsionin në rrethin e ngushtë të Putinit, ka qenë i kujdesshëm kur shkruan për femrat e Putinit.

Kur gazeta Moskovsky Korrespondent guxoi të raportonte në vitin 2008, se Putin po planifikon të martohet me dashnoren e tij, gjimnasten Alina Kabayeva, fituese e medaljes së artë olimpike, gazeta u mbyll menjëherë dhe kryeredaktori i saj u pushua nga puna. “Unë kam një jetë private, në të cilën nuk pranoj ndërhyrje. Kjo duhet të respektohet,” tha Putini në një sallë të mbushur me reporterë të pazë në konferencën e tij vjetor, duke denoncuar ata që ‘me hundët e tyre të qelbura dhe fantazitë erotike, depërtojnë në jetët e të tjerëve’.

Rusisë nuk i mungon një shtyp i verdhë i gjallë. Tabloidet MK dhe Zhizn- me një mori faqesh thashethemesh në internet- lulëzojnë duke u bazuar te skandalet seksuale dhe raportimet për njerëzit e famshëm. Por jeta dashurore e Putinit mbetet tabuja më e madhe mes subjekteve të ndaluara.

Në fillim të këtij muaji, Putini përsëriti politikën e tij të tolerancës zero në një transmetim direkt, duke kërkuar që t’i jepet fund gërmimit në jetën e elitave nga gazetarët. Ai madje kërcënoi me ndërhyrjen drakoniane të shtetit për të siguruar që media ruse të mbulojë ‘jetën reale’ në vend.

Kjo klimë frike dhe media thuajse krejtësisht e trembur, janë arsyeja se pse Svetlana dhe vajza e saj- si dhe dhjetëra gra e dashnore të elitës ruse- ndjehen të lira të postojnë publikisht foto nga jeta e tyre luksoze. Dhurata e supozuar e Putinit e apartamentit në Monako si dhe 8 milionë dollarë aksione në bankën Rossiya janë bërë në mënyrë sekrete. Por Putin nuk e pati problem që ta bënte Kabaevan edhe anëtare të parlamentit dhe drejtuese të një kompanie të madhe mediatike pro-Kremlinit.

Që kur emri i saj u bë publik vitin e shkuar, Luiza-Eketerina Krivongykh është bërë një yll në Instagram me mbi 80 mijë ndjekës, një DJ e njohur dhe ambasadore e një faqe blerjesh online për mallra luksi. Ajo ndoshta e fsheh fytyrën sepse është e turpshme. Por kjo është gjëja më e paktë për të cilën ajo- dhe të tjerë dashnore, fëmijë jashtëmartesorë, miq dhe të afërm të Putinit që kanë përfituar qindra milionë dollarë të vjedhura nga vendi i tyre- duhet të turpërohen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco