Shqiptarët a janë fëmijë jetimë apo bij trashëgimtarë të një thesari antik ?

Shqiptarët a janë fëmijë jetimë apo bij trashëgimtarë të një thesari antik ?

10:25, 18/05/2024
A+ Aa A-

Nga Ndriçim Kulla:

Ka pasur një periudhë kur grekët e sotëm më tepër e kanë vuajtur se sa e kanë shijuar prejardhjen e tyre të lavdishme. Ata u ngjanin fëmijve që u kujtojnë orë e çast e me qortim babanë e pashëm, të mençur e të madhërishëm. Zeshkanë më shumë se të çelur në fytyrë, të shkurtër më tepër se të gjatë, shumica analfabetë e të rreckosur, në shekullin XX ata shkaktonin bezdi tek admiruesit e antikitetit.

Deri atëherë, kishin qenë nën mbulesën osmane, nën terr, por tani që dolën në dritë, zhgënjimi që shkaktonin ishte aq i madh sa ndonjëherë shoqërohej me një gjykim cinik: më mirë të kishin mbetur aty ku ishin, së paku, nuk do ta prishnin përfytyrimin tonë. Fqinjët e tyre shqiptarët, ndonëse më të çelët në fytyrë e disi më të gjatë nga shtati, sidomos në male, kanë ndier një pezm të ngjashëm lidhur me stërgjyshërit e tyre ilirë, me të vetmin ndryshim se, ndërsa grekët e hodhën acarimin e tyre te të tjerët, shqipëtarët e bluan brenda vetvetes. Ne qenkemi shqiptarët e lavdishëm, dukej se ulërinin ata, fill pas shpalljes së pavarësisë. Ku janë heronjtë e baladave e të legjendave, trimat e mençur dhe vajzat leshverdha si rrallëkush ? 

Megjithatë, sado të dukeshin të pangjashëm me stërgjyshërit, edhe grekët, edhe shqiptarët, ishin nipat e tyre të vetëm, edhe pse mund t’u dukej vetja jetim, pa fis të madh si sllavët dhe latinët, ashtu siç i kishin të vetmuara e pa familje edhe gjuhët e tyre: greqishten dhe shqipen. Kështu, zgafellat e të dy kombeve nisën të nxirrnin më shumë se kurrë kujtime të vjetra. Kujtimet aty ishin, nën themelet e jetës. Kishin qenë në tokën greke e po aq të thella, në mos më tepër, në tokën e fqinjëve veriorë, ku dukej sikur një pjesë e thesarit ishte zhvendosur për t’u ruajtur në alpet e papushtueshme shqiptare.

Atje, në bjeshkët e ftohta, rapsodët këndonin ende si në kohën e Homerit. Gra të vjetra, që të kujtonin erinitë, me petka të habitshme, që u shëmbëllenin atyre të vazove mikenase, përgjonin se mos të rinjtë i shmangeshin gjakmarrjes. Në kuvendet e burrave ndodhnin ngjarje të ngjashme me ato që kumtonin Herodoti dhe Plutarku. Lodrat dhe ndeshjet mortore ishin aq të ngjashme, saqë malësori shqiptar, po të kishte mundësinë të shikonte rendjen e Akilit e të Hektorit rrotull murit të Trojës, do t’i duhej njëfarë kohe për të shkafitur nëse kjo është garë apo dyluftim për vdekje. E kështu me rradhë, dëbimet nga flamuri (krahina), konkurset e bukurisë për burrat, “gjama” e famshme e burrave, që s’bëhej kurrë në sy të grave, mendësia spartane e gjer te “përtacia heroike” siç e quan gjermani G.Gesemann bjerrjen e kohës në bjeshkë.

Madje mund të thuhet akoma dhe më shumë. Ndonjëherë zhvendosjet ishin edhe më të mëdha, siç qe p.sh rasti i Fatumit të famshëm që përmend Kadareja. Pasi qëndroi pezull shekuj të tërë mbi jetën e grekëve të vjetër, u duk sikur një erë e fortë e shtyu atë drejt Veriut, për ta pllakosur mbi bjeshkët e shqiptarëve. Si të donin të lehtësoheshin disi, një pjesë nga fataliteti i jetës së tyre shqiptarët e shkarkuan te fqinjët e tyre, malazezët, por ajo ishte tepër pak në krahasim me pjesën që mbajtën për vete, prej së cilës vuajtën, krejt si heronjtë antikë prej varreve të pashërrueshme, qindra vjet. Vështirë se mund të gjendet gjëkund në botë një fundajë tjetër që ti shkonte më përshtat bustit të Eskilit a Homerit.

Atëherë, natyrshëm lind pyetja, pse vallë një ngjashmëri e tillë nuk haset aspak në trojet e aferta me kufijtë grekë, por në Alpet shqiptare, të cilat jo vetëm ishin tepër larg qiellit të Atikës, por ishin vende kaq të zymta e të ftohta, që greku i vjetër nuk mund t’i përfytyronte veçse si humbëtira për ndëshkime. Është atëherë ajo gurrë e një mendësie të përbashkët ose të ngjashme në pjesë të konsiderueshme ajo që e ka bërë të mundur këtë ruajtje kodi zakonor, që në historinë tonë duket si zhvendosje.

Vetëm se afëria në mes tyre nuk u ndal me kaq: proçesi mijëvjeçari ndeshjes midis forcave ruajtëse të Kanunit shqiptar dhe forcave shtytëse të tij, që pulsonte si një magmë e nëndheshme që në  “Orestian” eskiljane, arriti më në fund ta ngrerë qartë çështjen se cila është vallë ajo e drejtë që duhet të sundojë në shoqërinë njerëzore: ajo e shtysës së gjakut apo ajo shtetërore. Grekët e vjetër e humbën herët Kodin e tyre të lashtë, që e kishin të ngjashëm me fqinjët e tyre shqiptarë, në një kohë kur shqiptarët e ruajtën atë gjer vonë. Atëherë, a duhet të turpërohen apo të krenohen shqiptarët që ende në shekullin XX i kanë bërë gjyqësitë e gjakut si në kohën e Homerit? “Natyrisht që s’kanë kurrfarë arsyeje të krenohen, por as të mërziten më fort se ç’duhet, s’kanë arsye, sepse me fat e më shumë pa fat, kështu e kanë pasur rrugëtimin e tyre. Gjakmarrja, duke qenë diçka e ashpër, mizore, bënte pjesë në themelet e së drejtës. Dhe themelet janë shpesh të errëta. Në themelet e emancipimit njerëzor është një makinë e padukshme, më e tmershmja dhe më mizorja e të gjithave: ferri. Asnjë shpikje e njerëzimit nuk mund t’i afrohet për nga rëndësia kësaj makine. Është ajo që e bëri njeriun të përgjegjshëm për aktet e tij, që, nëpërmjet ankthit ia përmirësoi ndërgjegjien, që nëpërmjet tmerrit i dha idenë e parë të ndëshikimit të krimit.

Pra, që i dha idenë e së drejtës. E parë në këtë këndvështrim, gjakmarrja, si një nga pjellat e dukshme të makinës së nëndheshme të ferrit, do të sillte mbi tokë ftohtësinë dhe hijen e rëndë të tij. Ndaj, ajo pjesë e njerëzimit që u mundua dhe u kërrus prej rrebeshit të saj, duhet të mëshirohet, përpara se të gjykohet” (301). Por gjithësesi, ky është interpretimi emocional i gjithë historisë. Për të gjetur thelbin e zhvillimit të saj duhet të shohim të gjitha anët e problemit. Grekët e vjetër e humbën herët kodin e tyre të lashtë, që e kishin të ngjashëm me fqinjët e tyre shqiptarë. Në një kohë që shqiptarët e ruajtën atë gjer vonë në pjesën më të madhe të vëndit. Dhe kjo nuk është njëlloj, as shenjë merite e as damkë prapambetje. Dukuria ka shpjegimin e saj që lidhet me një sërë faktorësh historikë, shoqërorë e deri dhe gjeografikë, për arsye të pavarësisë që arritën të ruanin  disa zona, kryesisht malore.  E drejta romake, bizantike dhe ajo turke u turrën si valë të njëpasnjëshme për t’i fshirë dhe për t’i zbehur gjurmët e kodit të lashtë ndërballkanik. Qytetërimi grek, me zhvillimin e tij të atëhershëm, ishte e natyrshme që ta hidhte vetë hapin e parë, për ta bërë një gjë të tillë. Ishin të gjitha gjasat, duke qenë se ishin në të njejtin shtrat apo nënshtrat të drejte antike, që edhe shqiptarët të ecnin në po të njejtën rrugë, por pushtimet, duke filluar nga tragjedia romake, që shkatëroi pothuajse të gjitha qytetet e lulëzuara ilire, të ketë luajtur një rol pengues në këtë proces.

Në krahasim me “jus romana”, kodi shqiptar mund të dukej më i prapambetur, por shqiptarët e parapëlqyen, ngaqë ai vendoste mbi gjithçka opinionin publik. Nga kjo rrjedh moskuptimi i tij krejtësor me pushtuesin, pasi e fundit gjë për të cilën mund të interesohet një pushtues është pikërisht opinion publik i të mundurit. Ndërkaq, kundruall kësaj shpërfillje, Kodi shqiptar shpalos një shpërfillje akoma dhe më të madhe. Pikërisht ky kod kaq i detajësuar për çdo gjë, që nga mënyra e përshëndetjes, gjer te ndëshikimi i një krahine të tërë, nuk flet fare për pushtesit. Për kanunin, armët dhe ligjet e pushtesit nuk ekzistojnë, janë të mosqena si një fantazmë. Mirëpo, mbajtja në këmbë e një kodi të tillë, e një ngrehe të tillë paralele ligjore, nuk mund të sigurohej, veçse nëpërmjet një vizioni tragjik për jetën. Është ky vizion që dikton stilin, ngrirjen e gjithçkaje. Vetëm se duhet theksuar diçka shumë e rëndësishme.

Njëmijë vjet më vonë, “pllakat” e këtij shtrati të përbashkët ballkanik kishin filluar të largoheshin nga njëra tjetra e të merrnin drejtim krejtësisht tjetër. Kur Greqia, dikur e ndritshme, qe zhytur e tëra në muzgun bizantin, principatat dhe kontetë shqiptare, shumë më të zhvilluara tashmë se ajo, kishin kristalizuar një klimë europiane në kulturë dhe në ligje (statutet e qyteteve-komuna në territorin e saj e dëshmojnë gjerësisht këtë gjë). Kështu, në sintoni të plotë me frymën e Rilindjes, me ecjen e vrullshme drejt perëndimit, në epokën e bashkëpunimit të dy të drejtave sipas parimit venedikas, ato po e flaknin me shumë gjasë të drejtën e moçme. E gjithë kjo rrjedhë e natyshme, i gjithë ky proces në formësim e sipër, u ndërpre brualisht edhe për historinë e së drejtës dhe mentalitetit tonë juridik, nga një natë tjetër e zezë, më e errëta e të gjithave. Ajo pllakosi grekë e shqiptarë bashkë, të gjithë gadishullin e bukur dhe të magjishëm të arteve e legjendave. Dhe kjo ishte nata osmane. Hapësira e lirisë u shtrëngua drastikisht, kështu që shpirti dhe mentaliteti i popullit, përpara ligjit të zymtë të sheriatit që i propozohej, zgjodhi të mbështetej në kanunin e tij mijëravjeçar, ashtu sic qe, shkëmb ende i palatuar mirë, i përgjakshëm vërtet, por dinjitoz në tragjizmin e tij. Përballë këtij pushtimi dhe kësaj bashkëjetese ligjore, Kanuni i qëndroi çdo prove, duke u kthyer kushtetuta e së drejtës jo vetëm e shqiptarëve katolikë, por edhe e atyre që u kthyen në fenë muslimane. Kodi nuk bëri asnjë modifikim, në asnjë nga nyjet e tij, ngeli ashtu si njëmijë vjet më parë. Në të bënte hije e sundonte vetmueshëm kryqi i krishterë, thua se në Shqipëri nuk kishte ndodhur asgjë

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco