Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare

Nina Muho, sopranoja shqiptare e ftuar në operën sllovene

Nina Muho, sopranoja shqiptare e ftuar në operën sllovene

18:02, 18/12/2023
A+ Aa A-

Nga Entela Binjaku

Nëse do të pyeteshin qytetarët në Shqipëri se cilat janë disa nga veprat e repertorit operistik botëror që njohin, me siguri një ndër përgjigjet e marra do të ishte ‘La Traviata’.

Mbase edhe një ndër veprat më të dashura. Ajo që e afron publikun me këtë operë madhështore të Xhuzepe Verdit është padyshim muzika që të çon zemrën peshë, janë skenat e bukura dhe plot shkëlqim, heroina që  të mbërthen me pasionin e saj, vuajtjen dhe sakrificën për dashurinë.

Violeta Valeri dhe Alfredoja i saj kudo ku interpretohen mirëpriten nga publiku që përqafon nga salla historinë e tyre të dashurisë. Kur sapo kishte mbyllur në Tiranë rolin e Mikaelës në operën ‘Karmen’ të Bizesë, sopranoja e njohur Nina Muho udhëtoi drejt Mariborit ku e priste trupa e Teatrit Kombëtar të Sllovenisë. Orkestra drejtohet nga dirigjenti Roberto Gianolai njohur për bashkëpunime të rëndësishme në drejtimin e disa prej orkestrave më të mira në Evropë, SHBA dhe Azi, nga Rusia në Kinë e Japoni, në Amerikën e Jugut e deri në Emiratet Arabe.

‘La Traviata’ po shfaqet për publikun slloven në dy mbrëmje dhjetori. Një kast i vetëm, nën regjinë e njërit prej emrave të njohur si argjentinasi Hugo de Ana. Pjesëmarrës i rregullt në festivalin e Arenës së Veronës,  ai  shquhet për vendosjen ne skenë të veprave në Operën e Romës, Teatrin San Karlo të Napolit, Operën gjermane në Berlin, Operën Mbretërore në Londër, Teatrin Mbretëror në Madrid, Operën e Uashingtonit, Skalën e Milanos etj.

Partneri në skenë i sopranos Nina Muho, e cila është e ftuara e veçantë në këto dy shfaqje është tenori slloven Martin Sušnik- që interpreton rolin e Alfredo Germontit. ‘Muzika, që i bën jehonë dritës së salloneve dhe sallave të ballos,që portretizon betejat e brendshme tek njeriu, përshkon historinë intime dhe mjedisin në të cilin zhvillohet dramae një kurtizaneje të re të pakënaqur parisiene.

Prandaj, nuk është për t'u habitur që Traviata fatmirësisht është e hapur ndaj shumë llojeve të interpretimeve regjisoriale, të cilat prekin thellë njerëzit modernë gjithashtu’, thuhet në njoftimin që faqja zyrtare e Operës së Mariborit ka bërë për këtë shfaqje. Ndërkohë sopranoja vlonjate Nina Muho është dita-ditës duke u shndërruar në një emër të përveçëm e të spikatur të kantos lirike jo vetëm shqiptare, por edhe asaj ndërkombëtare.

Si publiku i Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë, ashtu edhe ai italian në Teatrin ‘Verdi’ të Triestes, apo edhe i Operës Kombëtare të Zagrebit kanë pasur mundësinë të shohin Violeta Valerinë nën interpretimin e Nina Muhos. Dy vjet më parë sopranoja shqiptare e ndau natën e ndërrimit të viteve në skenë, ndërsa interpretonte me trupën e Teatrit ‘Verdi’ të Triestes ‘La traviatën’.

Këtë shfaqje pati mundësinë ta ndiqte një publik i gjerë falë transmetimit televiziv drejtpërdrejt përmes ekranit. Nga një shfaqje tek tjetra derimë sot Nina ka interpretuar para publikut italian në teatrot e Triestes, Kaljarit, Katanias, Trevizos, ku jo vetëm ka debutuar, por edhe është rikthyer. Nga Shqipëria në Kroaci, Itali e Tajvan, sot ajo po interpreton në Slloveni.

Të dielën në mbrëmjen e 17 dhjetorit 2023 bashkë me trupën sllovene, dirigjentin Italian, nën drejtimin regjisorial të artistit argjentinas, sopranoja nga Shqipëria do të ngjitet sërish në skenë për t´i dhuruar publikut Violetën e saj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco