Dritëro Agolli lindi në Menkulas të Devollit. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Studimet e larta për letërsi i mbaroi në Petërburg.
Për shumë kohë, Agolli ishte gazetar në të përditshmen "Zëri i popullit", dhe kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë.
Ai la pas një krijimitari mjaft të gjerë me poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj.
Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli u bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.
Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij.
Në prozën e tij Agolli solli risi vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata lanë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë. Frazeologjia e pasur popullore dhe filosofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën.
Vepra e tij poetike më e shquar është Nënë Shqipëri (1975), ku krijohet figura e Atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta që ndeshi në rrugën e vet dhe me vendosmërinë për të përballuar çdo pengesë e armik.
Në poemën Baballarët theksohet rëndësia e veçantë e vijimësisë së traditave revolucionare në jetën e shoqërisë. Në një sërë vjershash dhe poemash Dritëro Agolli pasqyron frymën heroike të periudhës së Luftës ANÇ (Poema e udhës, Poemë për babanë dhe për vete etj.).
Në prozë bëri emër sidomos romani "Komisari Memo" (1969), në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës ANÇ. Nga ngjarjet e kësaj periudhe e merr subjektin edhe romani "Njeriu me top" (1975), që flet për ndikimin e luftës çlirimtare në mentalitetin e njerëzve. Dritëro Agolli ka botuar edhe mjaft tregime e novela nga jeta e sotme.
Ndër krijimet satirike romani Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo (1973) vë në lojë konformizmin, servilizmin dhe vanitetin si shfaqje të huaja për njeriun e ri.
Dritëro Agolli u zgjodh për 30 vite me rradhë deputet në Parlamentin Shqiptar
Veprat e Dritëro Agollit
Hapat e mia në asfalt, 1961
Zhurma e erërave të dikurshme, 1964
Shtigje malesh dhe trotuare, 1965
Mesditë, 1968
Komisari Memo, roman, 1969
Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, roman 1973
Nënë Shqipëri, 1974
Njeriu me top, 1975
Fjala gdhend gurin, 1977
Trëndafili në gotë, roman, 1980
Fytyra e dytë, dramë
Mosha e bardhë, dramë
Udhëtoj i menduar, 1985
Njeriu i mirë, tregime
Kalorësi lakuriq, roman - 1996
Arka e djallit, roman - 1997
I përndjekuri i dashurisë, poezi - 2013
Prit edhe pak, poezi - 2016
© SYRI.net