Kur Ismail Qemali hante në të njëjtën tavolinë me Sir Edward Grey dhe lidhte 'fijet' me Anglinë

Kur Ismail Qemali hante në të njëjtën tavolinë me Sir Edward Grey dhe lidhte 'fijet' me Anglinë

09:17, 27/12/2019

Nga Aurenc Bebja, Francë

“L’Écho de Paris” ka botuar, të dielën e 29 dhjetorit 1912, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me rolin e Ismail Qemalit në marrëdheniet midis Anglisë dhe shqiptarëve, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

(Nga korrespondenti ynë i veçantë) Vjenë, 25 dhjetor.

Ditën e kaluar, Ismail Qemali i telegrafoi Sir Edward Grey-t falënderimet e Qeverisë së Përkohshme, për mbështetjen që ky burrë i shquar dha për çështjen shqiptare në njohjen e autonomisë së saj.

Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë së përkohshme vizitoi konsujt e Austro-Hungarisë dhe Italisë në Vlorë. Tashmë mund të themi se çështja e Shqipërisë ka gjetur një terren të gatshëm në Angli dhe ka dëmtuar kështu simpatitë serbe.

Këto marrëdhënie midis Anglisë dhe shqiptarëve ka kohë që ekzistojnë.

Ismail Qemali filloi në karrierën konsullore dhe ishte, rreth 1876, konsulli i përgjithshëm i Turqisë në Galatz. Ai lidhi një miqësi të ngushtë me kolegun e tij anglez. Atëherë Anglia përfaqësohej në Galatz nga askush tjetër përveç Sir Arthur Nicholson.

Deputeti i Beratit krijoi më vonë marrëdhënie të tjera angleze. Deri kohët e fundit, ai hante në të njëjtën tavolinë me Sir Edward Grey-n, një fakt i jashtëzakonshëm kur e dimë se kreu i Zyrës së Jashtme (Foreign Office) ka reputacionin e njeriut që preferon jetën e thjeshtë sesa atë mondane.

Agjitatori shqiptar pritej prej kohësh nga Sir Edward Grey që kur u pranua në Ballplatz. Konti Berchtold u kthye posaçërsisht nga Pesti për ta pritur. Ai darkoi tek ambasadori turk, Mavrogeni Bej, me Xhahid Hysenin, ish-redaktorin e Taninit.

Deri atëherë, ne e kishim parë atë vetëm në Vjenë në shoqërinë e korrespondentit të Times, Z. Munz, atë të çështjes Cartwright, i cili kishte shoqëruar anglezin Sir Max Woechter në turneun e tij në favor të çarmatimit pranë Mbretërve të Ballkanit dhe ishte bërë ndërmjetësi i tij pranë ambasadorëve. Ismail Qemali u nis menjëherë për në Trieste me një avullore të Lloyd-it, e cila e transportoi atë në Durrës. Ai solli me vete të gjithë flamujt shqiptarë, të bërë në Vjenë, të cilët ne i kemi parë të valviten që prej asaj kohe.

Personazhi i çuditshëm dhe misterioz, i cili kishte mbërritur disa javë më parë nga Kostandinopoja pa asnjë qindarkë dhe pak nga pak figuroi si punonjës administrate, politikan, gazetar, aventurier, përmbushi ëndrrën e tij për t’u bërë gjithashtu një ditë themelues Shteti.

Krejt ndryshe nga Ismail Qemal Pasha shfaqet mistikja zonja Durham, e cila, me një zell apostolik, ka dëshmuar se ishte një nënë për shqiptarët. Herë si ambulanciere dhe herë si gazetare, ajo mbështeti çështjen e tyre para Evropës dhe u siguroi gjithashtu ndihma dhe kujdes. Po ashtu, ndikimi i saj është i madh zonat malore, veçanërisht te malesorët.Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco