Gyula Andrassy: Babai im kurrë nuk mendoi ta pushtonte Shqipërinë

Gyula Andrassy: Babai im kurrë nuk mendoi ta pushtonte Shqipërinë

09:42, 25/11/2018

Nga Aurenc Bebja, Francë.

“Le Temps” ka botuar, të enjten e 8 majit 1913, në faqen n°2, intevistën e ish-ministrit dhe kontit austro-hungarez, Gyula Andrássy, dhënë asokohe gazetës hungareze “Pesti Hirlap”, në lidhje me çështjen shqiptare, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një intervistë e kontit Andrassy

Korrespondenti ynë nga Budapesti na telegrafon :

Në një intervistë për Pesti Hirlap për çështjen shqiptare, ish-ministri kont, Gyula Andrássy, djali i Kancelarit të famshëm austro-hungarez, bëri këto deklarata :

“Një veprim ushtarak i Austro-Hungarisë dhe i Italisë nuk do t’i përputhej politikës së babait tim, veçanërisht nëse do të kishte për qëllim ndarjen e Shqipërisë ose një condominium austro-italian në atë vend.

Babai im kurrë nuk mendoi të pushtonte Shqipërinë, sepse ai e dinte se shqiptarët do të jenë miqtë tanë për sa kohë që ne do të favorizonim pavarësinë e tyre, por nëse do t’i pushtonim, ata do të bëheshin armiqtë tanë.

Përveç kësaj, ai refuzoi çdo ndarje me Italinë dhe madje edhe çdo fiksim të sferave të ndikimit, sepse ai ishte i sigurt se do të kishim dalë të humbur.

Në të vërtetë, Italia do të fitonte një pozitë të fortë strategjike nëse do të instalohej në Shqipërinë jugore, ndërkohë që posedimi i Shqipërisë së Veriut nuk do të përmirësonte situatën tonë.

Austro-Hungaria dhe Italia ishin në favor të emancipimit të popujve të Ballkanit, veçanërisht për pavarësinë e Shqipërisë.

Le të mos e braktisim këtë program, në bazë të të cilit Italia mund të ruajë interesat e saj reale dhe Austro-Hungaria po ashtu, pa rrezikuar një përplasje.

Le të mos shkojmë më tej, të mos e ekspozojmë veten në një konflikt me Italinë; Le të mos vëmë në provë aleancën tonë me Italinë duke ndarë Shqipërinë.”

Konti Andrassy shtoi se nuk e shihte të nevojshme ndërhyrjen ushtarake në Shqipëri dhe nëse kjo do të ishte e nevojshme gjithsesi, ai do të preferonte ndërhyrjen e ndërkombëtarëve ndaj asaj paralele austro-italiane./ Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco