Harry Bajraktari përshëndet kongresmenin Willson: Serbia po e gënjen Perëndimin, OSBE-ja s’duhet të mbahet në Beograd

Aktivisti dhe biznesmeni shqiptar në Shtetet e Bashkuara, Harry Bajraktari, ka reaguar pas kërkesës së 42 kongresmenëve amerikanë për të zhvendosur Sesionin Vjetor të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së nga Serbia drejt Karolinës së Jugut.

Bajraktari ka falënderuar kongresmenin Joe Wilson dhe 41 kolegët e tij nga të dyja partitë, duke e cilësuar qëndrimin e tyre si një mbështetje për demokracinë dhe një denoncim të politikave të Beogradit.

Sipas tij, Serbia vijon të mbajë lidhje të ngushta me Rusinë, Kinën dhe Iranin, duke mos ndryshuar qasjen e saj ndaj Perëndimit.

Bajraktari akuzoi gjithashtu Serbinë se nuk është shkëputur nga e kaluara e saj gjatë viteve ’90 në Ballkan, duke përmendur përgjegjësinë e regjimit të Sllobodan Millosheviçit për krime lufte dhe spastrim etnik.

‘E falënderoj Kongresmenin Joe Wilson, Bashkëkryetar i Komisionit të Helsinkit, dhe 41 kolegët e tij nga të dyja partitë për lidershipin e tyre në mbrojtje të demokracisë dhe ekspozimin e fytyrës së vërtetë të Serbisë.

Beogradi po e gënjen Perëndimin. Serbia ka qenë gjithmonë e rreshtuar krah Rusisë, Kinës dhe Iranit, vende armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara, demokracisë dhe lirisë.

Serbia kurrë nuk ka ndryshuar. Është e njëjta Serbi përgjegjëse për gjenocid dhe spastrim etnik në Ballkanin Perëndimor gjatë viteve 1990.

Pak ditë më parë Snezhana Paunoviq, ministre në Qeverinë e Serbisë, deklaroi publikisht se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën🇽🇰

Serbia nuk është vendi adekuat për ta organizuar Sesionin Vjetor të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në vitin 2027. Kjo ngjarje duhet të mbahet në Charleston, jo në Beograd.

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara dhe mbarë kombin shqiptar’, shkruan Harry Bajraktari në një postim në rrjete sociale.