Loja me letra përfundoi në sherr me thika - Zbardhet konflikti mes të rinjve në Korçë, 16 vjeçari në spital

Një konflikt i çastit mes disa të rinjve në fshatin Bulgarec të Korçës ka përfunduar me plagosjen e një 16-vjeçari, ngjarje që dyshohet se ka nisur brenda ambienteve të një lokali ku të rinjtë po luanin me letra.

Si autor i dyshuar i ngjarjes është identifikuar 19-vjeçari, Arbër Mersinaj i cili është arrestuar mëngjesin e sotëm nga policia, ndërsa i plagosuri është një 16-vjeçar, banues në fshatin Bulgarec.

Sipas të dhënave paraprake, debati mes tyre ka nisur për motive të dobëta, të lidhura me lojën dhe një pije, dhe më pas situata ka eskaluar në përplasje fizike. Gjatë sherrit, i mituri është goditur me thikë dhe ka përfunduar i plagosur.

Lexo edhe:  EMRI/ Korçë, plagosi me thikë 16-vjeçarin pas një sherri, arrestohet autori 19-vjeçar

Burime familjare të të dyja palëve japin versione të ndryshme për ngjarjen. Familjarët e të dyshuarit 19-vjeçar pretendojnë se konflikti fillimisht ka qenë verbal dhe se i plagosuri e ka goditur i pari me sende të forta, duke e rrëzuar në tokë, pas së cilës situata ka dalë jashtë kontrollit. Ndërsa familjarët e të plagosurit deklarojnë se përplasja ka nisur gjatë lojës me letra dhe ka degjeneruar në dhunë fizike, ku më pas është përdorur edhe thika.

Lexo edhe: Plagosje me thikë në fshatin Bulgarec të Korçës/ 17-vjeçari përfundon në spital

Pavarësisht versioneve të ndryshme, të afërmit e të dyja palëve theksojnë se nuk ka pasur më parë konflikte mes familjeve, të cilat kanë pasur marrëdhënie të mira dhe kontakte të vazhdueshme, duke e cilësuar ngjarjen si një përplasje të momentit.

I plagosuri po merr trajtim në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 19-vjeçari Arbri Mersinaj është shoqëruar nga autoritetet, të cilat po hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes.