'Gjuha shqipe nuk negociohet'/ Studentët shqiptarë në protestë, kërkojnë barazi - Rustemi: Na mohohet e drejta kushtetuese

Studentët shqiptarë të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut kanë dalë sot në protestë, duke kërkuar të drejtën themelore për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ata thonë se detyrimi për ta dhënë këtë provim në gjuhën maqedonase përbën një akt diskriminues dhe një shkelje të hapur të Kushtetutës dhe ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Njëri prej organizatorëve, studenti Ylli Rustemi, deklaroi në Syri Televizion se kjo problematikë ka zvarritur avancimin akademik dhe profesional të studentëve shqiptarë për gati dy dekada.

Ai shpjegoi se edhe pse ciklin e plotë të studimeve e ndjekin në gjuhën amtare, ata përballen me një barrierë gjuhësore të padrejtë në momentin kyç të karrierës së tyre.

“Ne studiojmë në gjuhën shqipe, provimet i japim në gjuhën shqipe, ndërsa provimin e jurisprudencës detyrohemi ta japim në gjuhën maqedonase, ku ndihemi të diskriminuar,” tha Rustemi.

LEXO EDHE: Protesta për shqipen në RMV / Ministria e Jashtme kujtohet me vonesë, por jo Spiropali

Ai shtoi se kjo praktikë është në kundërshtim me të drejtat e garantuara me ligj.

Përpara protestës, studentët i janë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë me një kërkesë zyrtare, të mbështetur nga 385 nënshkrime të mbledhura në një kohë rekord nga tre universitetet kryesore shqiptare në vend: Universiteti i Evropës Juglindore, Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup.

Megjithatë, përgjigja e ministrisë ka qenë negative, duke i shtyrë studentët drejt protestës si mjet për të kërkuar të drejtat e tyre. Edhe pse është formuar një grup pune në nivel qeveritar për të adresuar çështjen, deri më tani nuk është ofruar asnjë zgjidhje konkrete.

Studentët shprehen të vendosur dhe paralajmërojnë se protesta e sotme paqësore është vetëm hapi i parë.

Ata nuk përjashtojnë mundësinë e përshkallëzimit të veprimeve, përfshirë bojkotimin e provimeve, nëse zëri i tyre nuk dëgjohet.

“Gjuha shqipe nuk negociohet dhe ne si studentë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut nuk do ta lejojmë këtë,” përfundoi Rustemi, duke theksuar se lufta e tyre është për barazi dhe dinjitet.

Deklarata e plotë:

“Edhe njëherë jam Ylli Rustemi nga Fakulteti Juridik në Universitetin e Evropës Juglindore.

Së bashku me disa kolegë studentë nga fakultetet juridike, kemi ndërmarrë një nismë për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Neve si studentë në Maqedoninë e Veriut, studiojmë në gjuhën amtare, në gjuhën shqipe. Provimet i japim në gjuhën shqipe, ndërsa provimin e jurisprudencës detyrohemi ta japim në gjuhën maqedonase, ku ndihemi të diskriminuar dhe këtu nuk respektohet kushtetuta dhe ligji.

Kjo nismë është nisur nga kolegu im Mevlan Ademi, së bashku jam një ndër përkrahësit e parë të kësaj nisme dhe këtu pastaj kemi bërë një kërkesë deri te Ministria e Drejtësisë dhe në disa institucione të tjera përkatëse.

Kërkesa është nënshkruar nga gjithsej 385 studentë, nga tre universitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Nga Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë dhe kampusin e Shkup, nga Universiteti shtetëror i Tetovës dhe nga Universiteti Nënë Tereza në Shkup.

Kjo, pas dorëzimit të kësaj kërkese që e kemi dërguar në Ministrinë e Drejtësisë, ministri iIgor Filkov ka dhënë përgjigje negative, i cili nuk e ka respektuar kushtetutën dhe ligjin e përdorimit të gjuhëve dhe pas asaj neve si studentë jemi të detyruar që të dalim në protestë për të arritur një të drejtë tonë, pasi që ndihemi të diskriminuar.

Problemi i jurisprudencës është me vite me radhë, ka qenë ky problemi.

Domethënë ka gati dy dekada që nuk respektohet dhe kërkesa jonë e vetme si studentë është që  kjo problematikë mos të politizohet, pasi që kemi bashkëpunim dhe është formuar një grup pune në qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për provimin e jurisprudencës nga profesorë adekuat, të cilët po punojnë të gjetur një zgjidhje të problemit, mirëpo akoma nuk kemi një përgjigje konkrete për këtë.

Dhe neve si studentë jemi të detyruar të dalim në protestë, protestë absolutisht paqësore, e cila neve kërkojmë vetëm të drejtat tona për barazi dhe dinjitet.

Gjuha shqipe nuk negociohet dhe këtë neve si studentë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut nuk do ta lejojmë asesi.

Neve kemi qenë në takime të ndryshme nga ana e pozitës shqiptare që janë për momentin në qeveri. Kemi realizuar takime, na kanë premtuar se do gjejnë zgjidhje, por zgjidhje akoma nuk kanë gjetur.

Ndërsa ministrit i bëj apel nga këtu, që të respektojë ligjin dhe kushtetutën e shtetit dhe të punohet për zgjidhje të problemit".