VIDEO/ Rama vijon tallet me shqiptarët për çmimin e naftës, ndërsa ata rendin drejt vendeve fqinje për t’u furnizuar

Edi Rama e ka nisur këtë të diel me propagandë në podcast-in e tij, duke komentuar çmimet e karburanteve dhe rolin e bordit të naftës të ngritur prej tij.

Qeveria vijon ta paraqesë bordin e transparencës së çmimeve të karburanteve si një mekanizëm në mbrojtje të konsumatorëve; këtë tallje me shqiptarët e përsëriti kryeministri mëngjesin e kësaj të diele, kur tha: “bordi nuk vendos çmimin e naftës arbitrarisht” dhe se roli i tij është thjesht mbikëqyrja e tregut dhe garantimi i transparencës.

“Bordi nuk vendos çmimin e naftës arbitrarisht, nuk ul çmimin duke vënë në rrezik kapacitetet e furnizimit, por thjesht dhe vetëm mbikëqyr lëvizjen e çmimit dhe nuk u lejon operatorëve të luajnë pas kurrizit të konsumatorëve. Roli është të sigurojë transparencë dhe të jetë në vëmendje për të mos lejuar shkeljen e vendimit të tij. Do bëjmë çmos që, deri në përfundim të kësaj situate, të jetë transparente dhe asgjë e tepërt të mos cenojë konsumatorët”, u shpreh Rama.

LEXO EDHE: Shqipërisë po i ikin të paktën një milion euro në ditë nga blerja e karburantit jashtë vendit

Megjithatë, përtej propagandës së kryeministrit, funksionimi u shkërmoq që ditën e parë. Në një rast konkret, ai vendosi çmimin e naftës në 205 lekë për litër, por pas reagimit dhe presionit nga operatorët e importit, çmimi u rrit në 218 lekë brenda 24 orësh. Ky zhvillim tregon qartë se qeveria është thjesht një dordolec në duart e importuesve të naftës, për sa kohë nuk ka ndërmarrë asnjë masë për lehtësimin e barrës, duke hequr taksat mbi karburantet.

Ndërkohë, ndryshe nga deklaratat zyrtare për mbrojtjen e konsumatorëve, situata në terren tregon një realitet tjetër. Qytetarë të shumtë shqiptarë janë drejtuar drejt vendeve fqinje si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi për t’u furnizuar me karburant me çmime më të ulëta. Pra, ky realitet tregon se rreth e rrotull ka vërtet qeveri të cilat kujdesen realisht për konsumatorin, jo vetëm të vendeve të tyre, por prej tyre përfiton edhe konsumatori shqiptar, që ndodhet përballë mashtrimeve nga kryeministri i vendit të vet.

LEXO EDHE: SYRI TV/ Në Shkup e Podgoricë nën 1.5 euro - shqiptarët kalojnë kufirin për naftën: Më lirë e cilësi më e mirë

Deri më tani, qeveria shqiptare nuk ka ndërmarrë asnjë masë reale për të lehtësuar barrën për konsumatorët, në të njëjtën mënyrë si në vendet e rajonit, ku janë aplikuar politika më direkte për kontrollin ose amortizimin e çmimeve.

Në këtë kontekst, deklaratat e kryeministrit për rolin e bordit janë një tallje e zakonshme e tij, ndërsa diferencat e çmimeve me vendet fqinje vazhdojnë të nxisin qytetarët të kërkojnë alternativa jashtë vendit.