'Shpërthimi në ‘Violanta'/ Dëshmitë e të mbijetuarve: Rrjedhja e gazit ishte denoncuar muaj para tragjedisë
Rrjedhja e gazit që shkaktoi shpërthimin tragjik të 26 janarit 2026 në fabrikën “Violanta” ishte konstatuar muaj përpara ngjarjes, por sipas dëshmive të punëtorëve, paralajmërimet nuk u morën seriozisht nga drejtuesit e kompanisë. Pesë punëtorë humbën jetën në shpërthimin që shkatërroi pothuajse plotësisht një pjesë të objektit, ndërsa dëshmitë e mbledhura nga autoritetet hedhin dritë mbi një histori të gjatë neglizhence dhe mungese masash sigurie.
Një punëtor 31-vjeçar, i punësuar prej vetëm dy muajsh në fabrikë, ka deklaruar se që në fillim të dhjetorit 2025 kishte nisur të ndiente një erë të pazakontë në ambientet e prodhimit, të cilën e krahasoi me erën e LPG-së në pikat e karburantit.
Sipas tij, shqetësimi ishte raportuar te përgjegjësit, por situata nuk ndryshoi.
Ai theksoi gjithashtu se gjatë kohës që punoi në fabrikë nuk kishte marrë asnjë trajnim për emergjencat, nuk i ishin shpjeguar planet e evakuimit dhe nuk dinte si të vepronte në rast zjarri. Para shpërthimit, ai nuk dëgjoi asnjë alarm paralajmërues.
Një tjetër punëtor, me 28 vite eksperiencë në kompani, ku punonte edhe vajza e tij që humbi jetën në tragjedi, dëshmoi se era e gazit ishte raportuar disa herë te menaxherët e prodhimit.
Sipas tij, ishte thirrur një hidraulik, por ky i fundit kishte deklaruar se nuk kishte rrjedhje.
Ai shtoi se në Krahun B të fabrikës kishin ndodhur më parë incidente të vogla zjarri në furra, se kabllot elektrike në dysheme kishin shkaktuar goditje elektrike te punëtorët dhe se mirëmbajtja ishte e pamjaftueshme prej vitesh. Në ambientet e jashtme të kësaj pjese ndodheshin edhe dy rezervuarë të mëdhenj LPG.
Një punëtor 27-vjeçar, i cili ndodhej në turnin e natës, përshkroi momentin e shpërthimit rreth orës 04:00 të mëngjesit. Ai tha se dritat u fikën papritur dhe u dëgjua një zhurmë e fortë, e krahasueshme me shpërthimin e një granate.
Panele metalike dhe pjesë të ndërtesës fluturonin në ajër, ndërsa zjarri u përhap me shpejtësi. Ai arriti të dalë jashtë dhe njoftoi Policinë Kombëtare Greke, ndërkohë që nga brenda dëgjoheshin thirrje për ndihmë. Ndërtesa u përfshi pothuajse plotësisht nga flakët.
Dëshmitë tregojnë për një katastrofë të paralajmëruar, ku sinjalet e rrezikut ishin të pranishme për muaj me radhë, por nuk u trajtuan me seriozitetin e duhur.
Hetimet për përgjegjësitë penale dhe administrative vijojnë, ndërsa pesë jetë të humbura mbeten dëshmia më e rëndë e një tragjedie që, sipas gjithçkaje që ka dalë deri tani, mund të ishte shmangur./ Përgatiti: Syri.Net