Vendimi i bashkisë Vlorë ‘i hedh në rrugë’, shoferët: Pirateria arrin 95% pas zhvendosjes së stacionit, na latë pa punë
Shoqata e transportit interurban ka pezulluar punën në shenjë proteste ndaj vendimit të bashkisë për zhvendosjen e stacionit të tyre në një vendndodhje të re, pranë zonës së njohur si "Kastrati", në rrugën që të çon drejt burgut.
Përfaqësuesit e shoqatës argumentojnë se vendimi është marrë në mënyrë të njëanshme dhe se vendi i ri nuk plotëson asnjë kusht minimal për operimin e sigurt dhe normal të shërbimit të tyre.
Sipas përfaqësuesit të shoqatës, Francesco Jonuzi, vendndodhja e re është tërësisht e papërshtatshme dhe paraqet rrezik të lartë si për qytetarët, ashtu edhe për vetë shoferët.
“Këtu nuk plotësohet asnjë kusht. Qytetari është i rrezikuar, shoferët janë të rrezikuar. Nuk kemi ku të qëndrojmë, nuk ka një biletari apo një vend ku pasagjerët të presin rehat për autobusin,” deklaroi ai.
Një tjetër pasojë alarmante e kësaj situate, sipas Jonuzit, është rritja galopante e transportit informal, ose siç njihet ndryshe, ‘piraterisë’. Ai shprehet se ky fenomen ka arritur shifra rekord, duke u marrë pjesën dërrmuese të tregut.
“Pirateria tani është rritur gati 95%. Ne vetëm 5% të pasagjerëve po transportojmë në Tiranë dhe rrethe. Kjo ndodh sepse vendet ku ishim më parë tashmë janë zënë nga stacionet e fugonave dhe taksive informale,” shtoi ai.
Përballë kësaj situate, transportuesit kanë paralajmëruar se pezullimi i punës do të vazhdojë derisa të gjendet një zgjidhje e pranueshme.
Kushti i tyre i vetëm është ndërtimi i një terminali të mirëfilltë që ofron kushtet minimale të sigurisë dhe shërbimit. “Ne kërkojmë një terminal. Autobusët nuk mund të qëndrojnë në rrugë, këtu na rrezikohet jeta,” theksoi Jonuzi.
Dëshmia:
"Unë jam Francesco Jonuzi, përfaqësues i shoqërisë interurbane. Dhe sot jemi mbledhur këtu për stacionin që na ka kaluar bashkia në miratim, që është stacioni i ri këtu te Kastrati, te rruga që lidhet me burgun.
Dhe ne s'jemi fare dakord, nuk kemi bërë asnjë marrëveshje, asnjë gjë me bashkinë që thotë, kemi bërë marrëveshje, kemi rënë dakord me autobuzat.
Ne nuk jemi dakord. Këtu s'plotësohet asnjë kusht. Këtu qytetari është i rrezikuar, shoferët janë të rrezikuar dhe ne nuk jemi dakord fare, s'ka kushte më minimale.
S'kemi ku mund të qëndrojmë, s'kemi ku mund të vëmë një biletari, të të rrijë shoferi edhe pasagjerët të rrinë rehat, që të presin autobuzin.
Gazetari: Nëse ndërtohet terminali, do të ishit dakord që ta ushtronit funksionin tuaj në këtë vend?
Po në qoftë se ka kushte, në qoftë se ndërtohet një terminal, ne atë po kërkojmë. Se terminali është për autobuzat. Nuk mund të na çojë në rrugë. Këtu na rrezikohet jeta.
Gazetari: Ju keni denoncuar dhe një fenomen tjetër që ka të bëjë me taksitë pirate, pra pirateria tani është rritur gati 95%.
Ne 5% po çojmë pasagjerë në Tiranë edhe në rrethet e tjera. Sepse në vendet që ishim ne, tani ka kaluar stacioni i fugonave, taksive, 4+1.
Gazetari: Çfarë do të bëni në rast se nuk ka një zgjidhje për ju?
Ne do vazhdojmë o vlla, do pezullojmë punën, siç e kemi pezulluar dhe sot, do pezullojmë punën se s'ka zgjidhje ky më fenomen. Po na marrin nëpër këmbë. Ne jemi taksapagues të rregullt edhe nuk po ja dalim dot më".