'Dhuna ndaj qytetarëve në protestë', Tusha: U godita nga një objekt që erdhi nga kryeministria e Ramës
Ilir Tusha, është një nga protestuesit e dhunuar gjatë protestës së 10 shkurtit. I ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto' rrëfeu momentin kur u godit në kokë ndërsa po filmonte me celularin e tij.
Ai tha se dhuna e pashpjegueshme nuk erdhi nga kordoni i policisë që kishte përballë, por nga një kënd i lartë, duke hedhur dyshime se objekti mund të jetë hedhur nga godina e Kryeministrisë.
Ngjarja ka ndodhur brenda pak minutash pas përfundimit të fjalimeve. Sipas dëshmisë nga studioja e 'Kafe Shqeto', Tusha tha se ndodhej rreth 7-8 metra larg efektivëve të policisë dhe ishte i qetë, duke filmuar me telefonin e tij.
“S’po bëja asnjë gjë, s’kisha asgjë në duar. Çfarë arsye kishin të më godisnin?”, shprehet ai.
Sjellja e policisë, u karakterizua nga një “arrogancë e papame” dhe ofendime, duke përmendur edhe rastin e një qytetari tjetër që u tërhoq zvarrë.
Ai përshkruan gjithashtu skena kaosi pranë selisë së Partisë Demokratike, ku u hodhën molotovë dhe gaz lotsjellës, ndërsa makina e ujit arriti deri në shkallët e institucionit, një akt që ai e cilëson të paprecedentë.
Deklarata e plotë:
"Nuk kishin arsye kishin me më goditur mua o vëlla? Se s'po bëja asnjë gjë, s'kisha asgjë në duar, vetëm po rrija me telefon në dorë, kaq.
Unë isha isha diku te 7-8 metra afër kordonit policor, nuk kisha asnjë protestues përballë vetes, dhe mendoj se kjo goditje ka ardhur direkt nga kryeministria lart.
Nuk është se ka qenë drejtpërdrejt, sepse në pozicion të atillë që isha me telefon, telefoni nuk mund të lejonte goditjen time në kokë.
Kam qenë prapa parlamentit deri në orën 11 e sa të darkës, pastaj aty më thanë (te selia e Partisë Demokratike) që kemi parë tmerr, pasi janë hedhur dhe kundragaz dhe molotov.
Pa llogaritur molotovët që u futën brenda te kafja, domethënë në krahun e djathtë është një kafe e vogël. Lëshuan molotov, madje janë dhe të filmuara nga lokali.
Policia u soll me një arrogancë të papame. Madje ishte dhe ofenduese dhe gjatë përplasjeve. Nuk e kuptoj se ku e kanë atë guxim, atë lloj motivi, atë lloj urrejtjeje".