GJKKO liron nga burgu Xhelal Rrajën, ndryshohet masa e sigurisë për vëllain e ish-deputetit PS

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi sot të zëvendësojë masën e sigurimit nga arrest me burg në arrest shtëpie për Xhelal Rrajën vëllain e ish deputetit të Ramës, Rrahman Rraja.

Me vendimin nr. 26, datë 04.02.2026, i marrë nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca, u pranua kërkesa e Rrajës për zëvendësimin e masës së sigurimit të vendosur më 15.05.2024 dhe 12.07.2024. Masa e re e caktuar ndaj tij është “arrest në shtëpi”, sipas nenit 237 të Kodit Penal.

Sipas vendimit:

-Rraja nuk mund të largohet nga banesa e tij dhe nuk mund të komunikojë me persona të tjerë, përveç atyre që bashkëjetojnë me të.

-Zbatimi dhe mbikëqyrja e masës do të bëhet nga komisariati i policisë që mbulon vendbanimin e tij.

Xhelal Rraja është vëllai i ish deputetit të Ramës, Rrahman Rraja, i cili u arrestua më 10 korrik, 2024 në kuadër të dosjes “Revanshi” i akuzuar për veprat penale grup të strukturuar kriminal dhe sigurim kushtesh për të kryer vrasjen e ish-deputetit Arben Ndoka.

Sipas SPAK Ndoka ishte planifikuar të ekzekutohej në janar të 2021, kur do shkonte tek një i njohur i tij për ngushëllim. Durim Bami, Endrit Dokle, Xhelal Rraja dhe Marklen Haka thurën planin për vrasjen e Ndokës.

Lexo edhe:  Ishte në kërkim, arrestohet Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit të PS

Vendimi i GJKKO:

1. Kërkuesi Xhelal Rraja me datë 17.12.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me
objekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit të vendimit Nr. 49, datë 15.05.2024 të
Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
Tiranë, miratuar me vendimin Nr. 78, datë 12.07.2024 të kësaj Gjykate dhe caktimin e
masës së sigurimit atë të “Detyrimit për t’u paraqitur pranë Oficerit të Policisë
Gjyqësore”, për këtë shtetas”.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe
Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flora
Hajredinaj dhe Bib Ndreca, me vendimin nr. 26, datë 04.02.2026, vendosi:

1. Pranimin e kërkesës.

2. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” caktuar ndaj të
pandehurit Xhelal Rraja, me vendimin Nr. 49, datë 15.05.2024 dhe me vendimin
Nr.78, datë 12.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për
Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me masën e sigurimit personal
“Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.

3. Urdhërohet i pandehuri Xhelal Rraja, të mos largohet nga banesa e tij, e cila
ndodhet në ****, Njësia Administrative ****, ****.

4. Urdhërohet i pandehuri Xhelal Rraja, të mos komunikojë me persona të tjerë, me
përjashtim të personave që bashkëjetojnë me të.
5. Zbatimi dhe mbikqyrja e vazhdueshme e kësaj mase sigurimi të bëhet nga
Komisariati i Policisë që mbulon vendbanimin e tij.

6. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit Xhelal Rraja, nga ambjentet e
paraburgimit nëse nuk mbahet i arrestuar, i ndaluar ose i dënuar për ndonjë vepër
tjetër penale.

7. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

8. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për
Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat
nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

Tiranë, më datë 04.02.2026