'Bizneset e rindërtuara mbahen 'peng'/ Shallari: Bashkia thotë pres VKM, por pronën time e kam që 7 vite pa përdorim

Qytetari Saimir Shallari, i ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto' denoncon absurdin burokratik me të cilin po përballet prej vitesh, pasi dyqani i tij, i dëmtuar nga tërmeti, u rindërtua nga shteti por nuk i dorëzohet.  Saimiri, pronari i njësisë tregtare, rrëfen se ndonëse pallati ku ndodhej biznesi i tij është rindërtuar plotësisht, ai ende nuk ka marrë çelësat e pronës së tij.

Sipas dëshmisë së tij, autoritetet vendore, konkretisht bashkia, e kanë informuar se plani i rindërtimit përfshinte vetëm njësitë e banimit dhe jo ambientet e biznesit. Ky justifikim vjen në kundërshtim të plotë me premtimet fillestare.

Qytetari pohon se kur dorëzoi të gjithë dokumentacionin e pronësisë, përfshirë certifikatat hipotekore, iu garantua se do të rimerrte pronën e tij pas përfundimit të punimeve.

LEXO EDHE: 'Na morën pronat për zyra shteti'/ Banorët e Durrësit në protestë: Po na shkelin të drejtat!

“Pallati është rindërtuar, dyqanet janë bërë po prapë njësoj siç kanë qenë, por thjesht janë të mbyllura,” shprehet ai, duke shtuar se përgjigja e vetme që merr nga bashkia është se duhet të presë një Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM).

Situata bëhet edhe më e rëndë kur krahasohet me fatin e fqinjëve të tij. Të gjithë banorët e tjerë të pallatit i kanë marrë apartamentet e tyre të reja dhe janë vendosur prej rreth një viti e gjysmë. Ndërkohë, pronarët e dyqaneve mbeten në pritje, pa asnjë afat apo siguri ligjore.

LEXO EDHE: 'Ku të fle me kalamaj?' Banorët e 'Urës së Dajlanit' kërkojnë strehim: Qeveria po na lë në qiell të hapur!

Ironikisht, qytetari tregon se bashkia i ka sugjeruar se mund t’i marrë ambientet për zyra dhe se ai duhet t’i drejtohet gjykatës për të kërkuar të drejtën e tij.

Një propozim që ai e konsideron të palogjikshëm. “Pse të bëj gjyq për një pronë që tashmë është rindërtuar? Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, madje edhe për një diferencë të vogël në sipërfaqe nuk do të kishim pretendime,” thotë ai.

Prej gati shtatë vitesh pa biznesin e tij dhe pa asnjë të ardhur, Saimiri dhe pronarë të tjerë në të njëjtën situatë ndjehen të braktisur. 

Deklarata e plotë:

"Ne do merrnim po prapë ambientet tona që të ishim. Mbas gjithë pallati u rindërtua, u bë, u mbajtëm në bashki pesë herë, në komunë pesë herë, po të gjitha llafet janë ‘presim një VKM, presim një VKM’, ndërkohë që ne nuk përfitojmë asnjë lloj gjëje, jemi një.

Pallati është rindërtuar, ambientet, dyqanet janë bërë po prapë njësoj siç kanë pas qenë.. Dyqanet thjesht janë të mbyllura për momentin. Këto ditë kemi pasur zhvillime të reja që komuna vjen do t'i marri për zyra të reja.

Është rindërtuar dyqani dhe ne si pronarë thonë që nuk ju takon sepse plani i rindërtimit ka vetëm për familjet, jo për dyqanet. Ndërkohë që ne kur dorëzuam dokumentacionin bazë, fotokopjet e hipotekave, fotokopjet e noterive, na thanë që ju do i merrni po prapë këto objekte. Dhe ky ishte një gëzim i madh për ne sepse besuam te fjala e qeverisë si do t'i marrim. Dhe gjithë ditës rrinim me shpresën.

Komunikimi i fundit me bashkinë e kemi vajtur pesë herë. Të njëjtin justifikim nxjerrin gjithmonë, po duhet një VKM nga kryeministri.  Asnjë lloj premtimi tjetër.

Vjen, thotë ne do t'i marrim për zyra, futemi ne njëherë kur t'i bëni gjyqin pastaj po të fitoni gjyqin ne dalim prapë. Po ne s'kemi pse të bëjmë gjyqe tani kur një pronë është bërë, një pronë është rindërtuar. Ne nuk ngremë pretendime se sa është 1 metër më pak. Po dhe 1 metër më shumë po të jetë, ne po prapë e blejmë me çmimin e tregut. 

Banorët janë rikthyer. Çelësat janë ndarë, kanë rreth nja 1 vit e gjysmë. Janë ndarë çelësat e shtëpive.  Kurse për dyqanet, asnjë gjë.

Dhe pse pyetja dhe besimi jonë ishte i madh sepse duke u rindërtuar pallati, katër herë më shumë gëzonim ne, thoshim një ditë do ta marrim pronën tonë, por kjo s'u bë e mundur asnjëherë.

Kozgjatja nuk është ndonjë problem, hajde po presim dhe një vit, dhe dy vjet, po të paktën të dali një ligj, bashkia të thotë që do prisni dhe pak po do t'i merrni. Kurse ne për ne s'ka vendim fare, thotë bizneset nuk llogariten fare, thotë. Do të llogariten vetëm për ambientet, për shtëpitë".