Tensionohet situata në Bashkinë e Vlorës, tregtarja: Merr armët e më vrit, por nga puna nuk lëviz
Tregtarët e Vlorës kanë protestuar kundër largimit të mundshëm nga vendet e tyre të punës, duke shprehur revoltën dhe pasigurinë për të ardhmen. Ata kanë braktisur tezgat e tyre për të kërkuar të drejtën për të qëndruar aty ku punojnë prej dekadash.
Tensioni ka qenë i lartë para godinës së bashkisë, teksa një prej tregtareve u shpreh se jetesën e ka siguruar me punë të ndershme.
"As s'kam vrarë, as s'kam prerë, as me drogë s'i kam marrë. Vetëm me djersën e ballit," tha ajo, duke këmbëngulur se nuk do të largohet nga vendi i saj i punës në asnjë rrethanë. "Aty ku jam, aty do të qëndroj dhe nuk lëviz. Merr armët dhe më vrit!",- tha ajo.
LEXO EDHE: VIDEOLAJM / Tregtarët futen me forcë brenda Bashkisë së Vlorës
Një tjetër tregtare shpjegoi se ata kanë mbi 30 vite që operojnë në atë zonë dhe i paguajnë rregullisht taksat.
Problemi kryesor qëndron te mungesa e garancive për një vend të ri pune në rast zhvendosjeje. "Nuk duam të lëvizim fare nga puna. Sepse ai nuk na garantoi. Edhe po të bëhet tregu i ri, ne që shesim në rrugë na tha 'nuk ju garantoj dot'", deklaroi ajo.
Si pasojë e kësaj situate, tregtarët kanë lënë punën dhe "bukën e gojës" për të kërkuar zgjidhje, duke theksuar se nuk do të heqin dorë nga kërkesa e tyre për të qëndruar në tregun aktual ku kanë ndërtuar jetën e tyre.
Deklarata e plotë:
Unë kam djalë për të ushqyer. As s'kam vrarë, as s'kam prerë, as me drogë s'i kam marrë. Vetëm me djersën e ballit.
Kam atë biznes që kam atje dhe po aty duam të qëndrojmë. Aty dhe nuk lëviz. Hajde bre! Merr armët dhe më vrit
Kemi 30 vjet. Po. Po nuk duam të lëvizim fare nga puna. Aty paguajmë taksat, të gjitha. Edhe po të bëhet tregu, ne që shesim në rrugë na tha, 'nuk ju garantoj dot'. :
Sot e kemi lënë punën të gjithë. Imagjinoje, gjithë këta tregtarë e kanë lënë punën, kanë lënë bukën e gojës.