Jani Aliaj u vra në burgun e Koridhalos/ Dyshohet vrasje me pagesë, autori ekzekutoi edhe Artur Bashimin
Policia greke dyshon se vrasja e 49-vjeçarit Jani Aliaj në burgun e sigurisë së lartë të Koridhalos është kryer me pagesë. Autori i dyshuar është një 28-vjeçar grek, i konsideruar si vrasës me pagesë, i cili rezulton i përfshirë edhe në një tjetër ekzekutim të bujshëm.
Sipas autoriteteve greke, bëhet fjalë për të njëjtin person që më 18 gusht 2025 ekzekutoi me armë zjarri 47-vjeçarin nga Gjirokastra, Artur Bashimi. Ngjarja ndodhi në zonën Agio Panteleimona në Athinë.
Artur Bashimi, ish i dënuar për vjedhje, dyshohet se u vra për motive hakmarrjeje, në lidhje me aktivitetin kriminal të vëllait të tij, Marsel Bashimi. Ky i fundit rezulton i përfshirë në ngjarje të rënda kriminale në Greqi, në bashkëpunim me Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, të dy të kërkuar në Shqipëri për vrasjen e Komisar Artan Cukut.
Autoritetet greke dyshojnë se edhe ekzekutimi i Jani Aliajt është porositur nga jashtë burgut dhe është kryer kundrejt pagesës. Sipas të dhënave paraprake të hetimit, Aliaj është goditur dy herë me thikë brenda qelisë së tij.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rrjetin kriminal që qëndron pas këtyre vrasjeve dhe për të identifikuar porositësit e mundshëm të ekzekutimeve.
Artur Bashimi